Pse na duhet vitamina B9?
Vitamina B9, e cila njihet edhe me emrin acid folik, luan një rol thelbësor në zhvillimin e mirë të fetusit. Megjithatë, një në dy gra në moshën pjellore shfaq një defiçit të kësaj vitamine…
– Për çfarë shërben vitamina B9?
– Vitamina B9 merr pjesë në sintezën e neuromediatorëve, që janë thelbësore për funksionimin e sistemit nervor dhe në veçanti, të trurit. Ajo merr pjesë gjithashtu edhe në prodhimin e rruazave të kuqe dhe të bardha. Acidi folik në metabolizmin tonë ndikon në rinovimin e lëkurës e pareteve të zorrëve dhe, në mënyrë të përgjithshme, në shumëfishimin e qelizave. Acidi folik luan rol edhe në parandalimin e sëmundjeve kardiovaskulare dhe të disa kancereve.
– Pse grave shtatzëna u jepet acid folik?
– Vitamina B9 është e nevojshme për të trajtuar disa anemi dhe për të parandaluar keqformimet fetale. Marrja e acidit folik disa javë para shtatzanisë dhe në fillim të saj, bën të mundur evitimin e anomalive të tubit neural, që prekin sistemin nervor të bebes.
– Cila është sasia e këshilluar?
– Sasia ditore e këshilluar për një të rritur është afro 300-400 mikrogramë në ditë. Një grua shtazanë mund të marrë një dozë të përditshme 500-600 mikrogramë. Rreziku i marrjes së dozave më të mëdha është shumë i rrallë, megjithatë, acidi folik, apo folatet mund të reduktojnë aktivitetin e disa ilaçeve anti-epileptikë, kundër malarjes, etj.
– Cilat janë shenjat që tregojnë se kemi mungesë të vitaminës B9?
a. Ngërçe muskulare
b. Lodhje të shkaktuara nga një anemi
c. Dhimbje koke
d. Probleme me gjumin
e. Probleme gastro-intestinale
Personat më të ekspozuar janë ata që konsumojnë shumë alkool, ata që vuajnë nga sëmundje kronike të zorrëve (si sëmundja e Crohn-it), ose pacientët e trajtuar me kimioterapi kundër një kanceri. Megjithatë, mund të kesh defiçit të kësaj vitamine, edhe pa u ankuar nga asnjë shqetësim. Llogaritet se afro gjysma e grave në moshë pjellore kanë defiçit të kësaj vitamine. Mund të kesh defiçit të saj edhe kur ke intolerancë ndaj glutenit.
– Ku mund ta gjejmë këtë vitaminë?
– Ajo është e pranishme në shumë perime, por edhe në produkte me origjinë shtazore. Më poshtë i kemi radhitur sipas sasisë së secilës kategori:
Produkte bimore: Groshël, spinaq, majdanoz i freskët, sallatë, lulelakër, lakër Brukseli. Perime të thata (fasule, thjerrëza). Drithëra, lajthi, fistikë, kikirikë, asparagë, bizele, pjepër. Agrume, kivi, patate, rrush, mollë.
Produkte shtazore: Mëlçi, pashtet, e verdhë veze, djathë, të brendshme shpendësh.
– Çfarë këshillash do të jepnit për ata që kanë mungesë të vitaminës B9?
– Një defiçit me këtë vitaminë është diçka e shpeshtë, prandaj këshillohet të konsumohen ushqimet e pasura me vitaminë B9, sidomos perimet. Nëse doni të mbeteni shtatzënë, konsumoni ushqime të pasura me folate dhe kërkojini mjekut t’ju japë acid folik shtesë dy muaj para mbetjes shtatzanë dhe një muaj pas. Ndiqni këshillën e mjekut për të marrë shtesë acidi folik nëse keni një fëmijë që vuan nga një anomali e lindur e mbylljes së tubit neural, nëse merrni ilaçe kundër diabetit, apo epilepsisë, ose keni probleme me ushqimin (mbipeshë, ose anoreksi).