“Sulejmani i madhërishëm”
Sulejmani mendon për të shkuarën dhe vuan, ndërsa i kujtohet kur Mustafai ishte fëmijë i vogël. Në Amasja, Mustafai mendon për lajmet që i ka sjellë Atmaca, se është përgatitur një komplot kundër tij. Ai merr një letër nga i ati, që i kërkon të shkojë në kampin e tij dhe të gjithë e këshillojnë të mos shkojë sepse dënimi për të, pas këtij komploti të Hyrremit e Rustemit, do të jetë ekzekutimi. Mustafai, i inatosur thotë se ai do t’u bindet urdhërave të të atit dhe se, megjithëse në gjithë këta vjet Hyrremi është munduar ta vërë kundër të atit, nuk ia ka arritur kurrë dhe kështu ka për të ndodhur edhe këtë herë.
Kur mbeten vetëm, Jahja i thotë Atmacës se duhet ta mbrojnë Princin vetë, pa e ditur ai dhe përgatisin një kryengritje, pasi janë të bindur se të gjithë jeniçerët do të jenë të gatshëm të mbrojnë Mustafain. Ata vendosin se ka ardhur fundi i Sulejmanit dhe ka ardhur koha për të patur një Sulltan të ri.
Xhihangiri tërbohet kur dëgjon nga Hyrremi se çfarë ka bërë Mustafai dhe i thotë asaj se ky është një kurth që i është ngritur të vëllait dhe se, kushdo që e ka ngritur këtë kurth, ndodhet në pallat. Bejaziti e ndjek duke u përpjekur ta qetësojë e duke i thënë se e vërteta me siguri do të dalë shpejt. Sulejmani lexon edhe një herë këshillën e Shahut të Persisë për Mustafain, që ta vrasë të atin sepse për sa kohë të jetojë, ai do të përbëjë rrezik për të… Xhihangiri dhe Bejaziti mundohen ta bindin të atin se ky është një kurth, por ai vetëm buzëqesh. Xhihangiri i kërkon ta marrë me vete në kamp. Bejaziti i thotë të vëllait se ai do të bëhet mburoja e Mustafait. Mihrunisa i kërkon Jahjasë dhe Atmacës të mbrojnë Mustafain. Ata vendosin së bashku të heqin nga froni Sulejmanin dhe të ngjisin në të Mustafain. Rustemi paralajmëron Zalin të jetë i gatshëm që me ardhjen e Mustafait, të mos ndodhë ndonjë e papritur. Hyrremi i kërkon Xhihangirit të mos shkojë në kamp, por ai thotë se e ka për detyrë të mbrojë vëllain e tij të pafajshëm. Rustemi merr të gjitha masat që të mos ndodhë ndonjë rebelim i jeniçerëve.
Sulejmani largohet nga pallati për në kamp me një pamje që tremb edhe Hyrremin. Mustafai, nga ana e tij, përshëndetet me familjen dhe Mehmeti i vogël i kërkon të kthehet shpejt. Sulejmani niset drejt kampit, i ndjekur nga ekzekutuesit. Mihrimaja pyet të ëmën se cili mund të jetë dënimi për Mustafain dhe ajo i thotë “ekzekutim”. Mihrimaja thotë se nuk e priste një dënim kaq të rëndë për të vëllain, por Hyrremi i thotë se në momentin që vodhi vulën e Mustafait, ajo e kishte të kishte të qartë se çfarë do të vinte pas kësaj.
Mustafai i afrohet kampit dhe një korrier i sjell lajmin nga Sulltani të qëndrojë larg kampit dhe në kamp të futet i vetëm në momentin kur Sulltani do ta kërkojë. Jahja i thotë se është e qartë që Sulltani do ta vrasë dhe i kërkon të mos shkojë. Mustafai i thotë se të gjithë mendojnë të njëjtën gjë, ama ai është i bindur se i ati i kërkon vetëm të bisedojnë. Megjithatë, nga ana e tij, Mustafai dyshon në qëllimin e Sulltanit, ndaj vendos që para se të shkojë tek ai, të shkruajë një letër për të atin, letër që e vendos në xhepin e brendshëm të pelerinës së tij. Selimi pyet Xhihangirin pse ka ardhur në kamp dhe ky i fundit thotë se ka ardhur të mbrojë Mustafain, që i ati të mos e vrasë. Mustafai mëson se Xhihangiri është në kamp. Atmaca i thotë fshehurazi Jahjasë se gjithçka po shkon sipas planit. Xhihangiri shkon tek i ati dhe i kërkon që t’i japë mundësi Mustafait të shpjegohet për këtë që ka ndodhur. Kur Sulejmnai i kërkon të mos ndërhyjë, Xhihangiri i thotë se Mustafai është i pafajshëm. Ai i kërkon të atit ta sigurojë se nuk ka për ta vrarë Mustafain. Sulltani, duke parë vuajtjen e tij, i thotë se nuk ka për ta bërë këtë dhe Xhihangiri, i lumtur, i puth dorën, ndërkohë që vështrimi i Sulejmanit thotë të kundërtën e fjalëve të tij. Ahmedi shikon ekzekutuesit në karrocë dhe me një shënim, lajmëron Mustafain në mënyrë anonime që të mos shkojë, sepse i ati do ta ekzekutojë. Mustafai nuk i beson shënimit, duke menduar se ndoshta ky është një truk i Rustemit, për ta shtyrë atë të mos u bindet urdhërave të të atit. Mustafai i kërkon Atmacës që, nëse kjo do të jetë nata e tij e fundit, t’i premtojë se do të mbështesë Bejazitin. Xhihangiri shkon në kampin e Mustafait dhe i thotë i lumtur të mos ketë frikë sepse i ati i premtoi se ata vetëm do të diskutojnë. Mustafai i thotë se kurrë nuk kishte menduar se i ati do ta vriste dhe i jep Xhihangirit një unazë, duke i thënë se ai është personi tek i cili ka më shumë besim. Sulejmani i kërkon Selimit ta marrë Xhihangirin për gjueti të nesërmen në mëngjes…
Atmaca i thotë Jahjasë se jeniçerët presin fjalën e tij për të vepruar, ndërsa Zali i thotë Rustemit se të gjitha përgatitjet kanë mbaruar. Dy jeniçerët që kanë folur me Atmacën, janë vrarë. Atmaca e kupton se diçka ka shkuar keq dhe shkon të takojë Jahjanë, i cili e priste i gatshëm për rebelimin, por shikon se atë e kanë vrarë me një shigjetë. Xhihangiri e kupton se të gjithë e kanë mashtruar dhe bën të kthehet në kamp, duke thirrur emrin e Mustafait.
Mustafai futet në tendën e të atit dhe shikon kurrizin e tij. Sulejmani kthehet dhe i thotë i tërbuar se e ka tradhtuar. Menjëherë shfaqen ekzekutuesit dhe Mustafai, habitet. Ai lufton me ta, duke u përpjekur të shpëtojë, por Zali e sulmon dhe e mbyt me një litar, ndërsa Sulejmani shikon ekzekutimin e të birit me një shikim të ftohtë e të pamëshirshëm. Kur gjithçka merr fund, ai u kërkon të gjithëve të dalin jashtë, i afrohet dhe përqafon trupin e vdekur të të birit. Atij i duket sikur po përqafon trupin e vdekur të Mustafait kur ishte fëmijë dhe nis të thërrasë emrin e tij…