Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

U hapa prindërve një plagë të dytë!

Në moshën 20 vjeçare, unë, për herën e parë, pësova një zhgënjim… Djalin me të cilin u fejova, e gjeta vetë, me dashuri. Mbas tre vjet fejese me të, u zhgënjeva, pasi ai nuk ishte i zoti vetes së tij e jo më të ishte për mua. Edhe pse e doja shumë, nuk mund të vazhdoja më me të. Atë e mbanin prindërit e tij me lek dhe me të gjitha, ndërsa unë nuk isha askush në atë shtëpi, por në atë mënyrë nuk mund të krijohej një familje, kështu që e mblodha veten dhe vendosa të ndahesha prej tij. Por zhgënjimi që përjetova nuk më lejonte të kisha besim tek asnjë mashkull tjetër. Kur isha në ata moshë, i thashë vetes: “Nëse nuk gjen njerin e duhur, më mirë rri kështu si je”, mirëpo ndonjëherë njeriu nuk është zot i vetes, pasi është i rrethuar nga njerëzit e tij më të dashur dhe do të mundohet t’ua bëjë qejfin të gjithëve. Vitet kalonin dhe prindërit e mi bëheshin gjithmonë e më shumë merak për mua.. Ata vazhdimisht më thoshin: “Të iku mosha, shiko shoqet e tua janë martuar dhe janë bërë me fëmijë”, “Ashtu do ta kalosh jetën ti?” e shumë e shumë fjalë të tjera të këtij lloji. Me pak fjalë, ua plasa buzën, kur thotë populli. Për hatër të tyre, më duhej të vendosja të lidhesha me dikë, por mosha më kishte kaluar dhe nuk ishte e lehtë të gjeja dikë që të më përshtatej. Një ditë në shtëpinë tonë erdhi djali i xhaxhait, i cili ka punuar gjithmonë në Itali dhe i tha babait tim:

“Këtë herë, kam ardhur me mision në shtëpinë tuaj”. Babi e pyeti se përse bëhej fjalë dhe ai filloi të na tregonte se në Itali na paskësh një shok shumë të ngushtë, i cili kohët e fundit ishte ndarë nga e shoqja jo për fajin e tij, por për fajin e gruas, pasi siç thoshte kushëriri im, ajo ishte tërbuar nga e mira. Ai vazhdonte t’i tregonte babit tim se “menjëherë, kur mora vesh se shoku im po ndahej, më vajti mendja tek Alma”, pra, tek unë. Ai vazhdoi duke më thënë: “Vërtet keni diferencë moshe, por ju siguroj se është njeriu më i mirë që kam njohur ndonjëherë në jetën time, ai është shumë punëtor dhe i zoti për të përballur një martesë të dytë”. Ai ishte 54 vjeç, ndërsa unë sapo kisha mbushur 35 vjeçe. Kushëriri im vazhdonte të thoshte fjalët më të mira për të, por unë nuk isha e sigurtë për atë që doja. Nëse do të vendosja për një lidhje, do ta bëja vetëm për hatrin e prindërve të mi, se ma “hëngrën kokën” me lutjet e tyre.

I thashë kushëririt se do ta shikoja si variant dhe ai ia transmetoi këtë mesazh shokut të tij, i cili vinte herë pas here në Shqipëri, pasi merrej me proceset e divorcit. Bashkë me kushëririn tim ai erdhi në qytetin e Fierit, aty ku unë banoja. Në pamjen e parë më pëlqeu shumë, nuk e tregonte moshën, ndoshta edhe nga mënyra se si vishej, pasi ishte tip sportiv. Kushëriri na prezantoi dhe më pas u largua për të na lënë në intimitetin tonë. Përveçse ishte simpatik, ai ishte edhe shumë i gojës dhe filloi të më tregonte për vuajtjet e sakrificat që kishte kaluar në jetë, për të ndërtuar një familje të shëndoshë. Ai vazhdoi: “Por ndonjëherë sakrificat nuk shërbejnë për asgjë, nëse një familje nuk është e bashkuar dhe të vlerësojnë e të respektojnë punën edhe vlerat e njëri–tjetrit”.

Advertisement

Ashtu siç ai më tregonte, ish-bashkëshortja e tij ishte dehur nga të mirat që ai i kishte krijuar dhe kishte filluar një lidhje të re jashtë martese. Ndër të tjera, ai më tha: “Unë kam nevojë për një njeri të mirë, që të më dojë e të më respektojë sepse për gjërat e tjera kujdesem vetë”. Sigurisht, edhe unë nga ana ime, i tregova për fejesën time të parë dhe arsyet pse u ndava me të. Në aq pak kohë sa ndenja me Bujarin, jua them me zemër se fillova ta doja dhe nuk doja t’ia dija për vitet që ai mbante mbi supe. E ndjeja se edhe ai do të më donte si i çmendur. Gjatë kohës që ai ishte në Shqipëri filluam të dilnim përditë dhe kishim nisur ta donim shumë njëri–tjetrin. Ai më thoshte gjithmonë: “Nëse ti do të jesh me mua kjo që je sot, unë do të të mbaj si princeshë, pasi asgjë nuk na mungon, çdo gjë e kemi të ngritur”. Ish-gruaja e tij nuk kish mundur të merrte asgjë prej pasurisë së tij, sepse në atë mënyrë i kishte rregulluar ai gjërat. Edhe unë, nga ana ime, kisha filluar ta doja si e çmendur, sepse ai të bënte që ta doje. Ai përkujdesej për mua si për një fëmijë. Prindërit e mi u gëzuan shumë për fatin që më ra dhe më këshillonin që të isha një grua e përsosur për të, pasi edhe ai, i tillë ishte për mua. Pas dy muajsh njohjeje, ne vendosëm të jetonim në Itali derisa të mbaronte gjyqi i ndarjes nga ish-gruaja e tij dhe pas kësaj, ai do të martohej me mua. Muajt që kaluam në Itali, me plot gojën mund të them se ishin si muaj mjalti për mua. Bujari, ashtu siç më kishte treguar edhe kushëriri im, ishte vërtet një njeri shumë i rregullt në të gjitha drejtimet. Ai më tregonte çdo gjë, që te rroga që merrte, çdo faturë që paguante etj. Ai kishte edhe dy fëmijë me ish-gruan e parë dhe u dërgonte edhe atyre para, duke i mbajtur në pëllëmbë të dorës. Unë ndjehesha si e përkëdhelura e tij. Ai më blinte çdo gjë që më pëlqente dhe krenohej me mua, pasi edhe unë e doja dhe e respektoja për punën që ai bënte dhe i rrija në këmbë për çdo gjë. Kishim krijuar një lidhje shumë të ekuilibruar dhe ndjeheshim të lumtur për dashurinë tonë. Bujari kishte dëshirë që ne të kishim edhe fëmijën tonë, pasi ai donte që të më shikonte të kompletuar nga të gjitha anët. Ky fakt më bënte të kisha më shumë besim tek ai. Njerëzit e Bujarit habiteshin se si unë e kisha marrë atë me një diferencë aq të madhe në moshë dhe gjithmonë i thoshin: “Bëj kujdes se ndoshta të ka marrë për pasurinë!”, por unë luftoja përditë për t’i vërtetuar se një gjë e tillë nuk ishte e vërtetë. Unë atë e doja me gjithë shpirt, ai për mua ishte njeriu që ëndërroja. Përkëdheljet e tij më bënin që me të, të ndjehesha si një fëmijë i vogël, si një femër e dashuruar dhe një grua e plotësuar në të gjitha drejtimet, por e gjithë kjo zgjati deri në momentin kur ne vendosëm të martoheshim dhe të bënim celebrimet. Mbas një viti bashkëjetese me Bujarin, erdhi koha kur do të realizonim ëndrrën tonë sepse në atë kohë mbaroi edhe gjyqi i ndarjes së tij me ish-gruan.

Një ditë para se t’i drejtoheshim zyrës së gjendjes civile për të finalizuar martesën tonë, Bujari më tha të ulesha pranë tij, sepse kishte për të diskutuar me mua një problem, i cili na përkiste të dyve. U ula pranë tij dhe po e dëgjoja me shumë kujdes. Ai më tha:

“Para se të hedhim firmën, për të lidhur martesën tonë, dua që të shkojmë te një noter dhe të deklarojmë se, secili nga ne, do të mbajë pasurinë që e ka vendosur vetë”.

Kur më tha këtë gjë, mua, sa nuk më ra pika. M’u duk sikur gjithë ajo lumturi që kishim ndërtuar, u shemb përpara këmbëve të mia. Për një çast, shtanga fare dhe nuk e di se sa mund të më kishte vajtur tensioni, por heshtjen time e theu Bujari, duke më thënë:

“E di që të erdhi e papritur, por këtë gjë po e bëj për t’u vërtetuar njerëzve që ti me mua nuk je martuar për pasurinë time”.

Edhe unë e mblodha veten dhe i thashë:

“Po, do të bëj ashtu si të thuash ti”.

Ai, i gëzuar, më përqafoi dhe më tha: “E dija se kjo do të ishte përgjigjja jote!”, por unë, për herë të parë në lidhjen time me Bujarin, ndjeva një lloj neverie nga përqafimi i tij. Në krahët e tij, nuk munda t’i mbaja dot lotët, ato më rrëshqisnin nëpër faqe dhe më vinte inat që nuk mund t’i ndaloja. Bujari u habit që unë po qaja dhe për herë të parë në mendjen e tij filluan të lindnin shumë pikëpyetje, që vinin në diskutim sinqeritetin tim. Doja ta mblidhja veten dhe të reagoja ndryshe, nuk doja që ai të mendonte se unë e doja për interes, se me të vërtetë unë nuk e doja për atë arsye, por qaja sepse me Bujarin kishim gati një vit që bashkëjetonim dhe ai ende nuk kishte krijuar besim tek unë. Ai më krahasonte me femrat ordinere që lidhjen me një mashkull e shohin në bazë të interesit të tyre. Unë kisha marrë tjetër kulturë në familje dhe nuk do t’ia falja kurrë vetes një gjë të tillë. Bujarit, gjatë këtij viti, isha munduar që si e si t’ia mbushja mendjen se unë e doja për vetitë e karakterin e tij të fortë dhe ajo ka qenë dita më e keqe që kisha kaluar në lidhjen time me të. Ai më tha:

“Unë nuk kam më fuqi të punoj për të ardhmen time, nëse ty një ditë të merr dreqi mendtë dhe ma punon si ajo e para”…

Ai vazhdonte të fliste dhe fjalët e tij vazhdonin të më trishtonin akoma më shumë. Lotët që më rridhnin si çezmë nuk më linin të flisja dhe t’i shpjegoja se unë nuk e meritoja këtë që po më bënte. Ai kishte ndërtuar një vilë tre katëshe në Tiranë dhe të gjithë këtë, po e bënte për të mbrojtur atë shtëpi, nga frika se mos ndoshta unë një ditë ndahesha prej tij dhe i merrja pasurinë që ai kishte mundur ta vinte me punën e tij. Atë natë nuk vura gjumë në sy. Mendja ku nuk më shkonte; mendoja se Bujari nuk ishte ai që unë kisha menduar, mendoja se sikur ai një ditë të bashkohej me ish-gruan, mua do të më linte në mes të rrugës. Shumë mendime më vinin në mendje, sepse unë nuk isha hipokrite që të bëja sikur e gjitha kjo gjë më pëlqente. Edhe kur u ndava nga ish-i fejuari, nuk kisha ndenjur një natë të tërë pa gjumë. Mëngjesi erdhi shpejt dhe Bujari u ngrit e u bë gati për të shkuar te noteri dhe për të deklaruar pasurinë para martesës sonë. Edhe unë u vesha e u bëra gati gjithashtu dhe me një zemër të copëtuar nga dhembja e mosbesimit që kishte Bujari ndaj meje, u nisëm për te noteri. Bujari kishte folur më parë me të dhe ai na e kishte përgatitur dokumentin gati për ta firmosur. Ishin gati pesë faqe formati. Noteri më tha: “Duhet ta lexosh para se ta firmosësh”, por sytë e mi bënin sikur lexonin, ndërkohë që mendja xhironte në shumë vende e shumë gjëra. Pa e menduar dy herë, e hodha firmën time. Të njëjtën gjë bëri edhe Bujari.

Kur shkuam në shtëpi, plasi një sherr dhe një debat i paparë. Unë rrija vetëm e mërzitur për atë zgjedhje që bëri Bujari dhe ai këtë gjë e mori sikur unë nuk e doja më. Kështu, filluan zënkat e para mes nesh. Atë ditë që firmosa te noteri ishte e premte dhe Bujari, me plot gojën dhe shumë i zemëruar me mua, më tha: “Ke edhe dy ditë në dispozicion që të mendohesh, nëse do të martohesh me mua ose jo”. Ato dy ditë kanë qenë dy ditë të cilat do të më ndihmonin të bëja një zgjidhje për jetën time, nëse do të mbetesha gjithë jetën beqare, apo do të ndërtoja një familje në bazë të një hipokrizie. Ndjenja për Bujarin më ishte venitur. Edhe ndjenja e tij ndaj meje kishte pësuar të njëjtën gjë, këtë e kisha kuptuar nga mënyra se si më fliste dhe si më trajtonte, me indiferentizëm. Dita e hënë erdhi shumë shpejt dhe Bujari u ngrit në mëngjes dhe më pyeti: “A je akoma e vendosur për t’u martuar me mua?” dhe unë menjëherë iu përgjigja: “Sigurisht që do të martohem, sepse unë nuk jam si ti. Sot do të të vërtetoj se unë asnjëherë nuk të kam dashur me interes, por për atë që ti je”. Ai atëhere më përqafoi dhe më tha: “Nuk kam për të të zhgënjyer kurrë, do ta përmirësoj këtë që bëra, nëse ti e quan gabim”.

U veshëm dhe u drejtuam për në zyrat ku do të zyrtarizonim lidhjen tonë. Punonjësja na bëri shumë pyetje dhe në momentin kur unë do të hidhja firmën, u mendova për një çast dhe e hodha stilolapsin pa firmosur në fletë. Hapa derën dhe u largova nga zyra duke qarë. Bujari më ndoqi dhe më tha: “Pse ma bëre këtë?”. Atëhere i thashë: “Ishe ti i pari që më bëre një gjë të tillë dhe unë nuk mund të jem hipokrite dhe ta kaloj jetën time me një njeri që nuk ka besim tek unë. Ti je djegur nga qulli dhe i fryn kosit” dhe i thashë se unë jetën time nuk mund ta kaloja në bazë të intrigave dhe hipokrizisë. Lidhja ime me Bujarin u mbyll në atë moment. Tashmë, jetoj përsëri me prindërit e mi, të cilëve u hapa një plagë të dytë, që nuk dihet kur do të gjejë shërim.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
View Comments (2) View Comments (2)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Më thuaj ç'ditë ke lindur, të të them si je!

Next Post

“Sulejmani i madhërishëm” Hyrremi kërcënon Nurbanunë!

Advertisement