– Jam Tani, 40 vjeç dhe mbaj syze prej 7 vjetësh. Në syrin e djathtë pothuajse nuk shoh fare, edhe pse ia ndërrova numrin që kisha. S’e kuptoj se ku qëndron problemi. Në syrin e majtë duhet t’i afroj shumë gjërat që t’i shikoj, ndërsa në syrin e djathtë s’e kisha shumë këtë problem, kurse tani pothuajse nuk shoh fare. Jam shumë i shqetësuar dhe nuk di si të veproj. Ku të shkoj? Çfarë analizash bëhen e çfarë mjekimi merret?
Dr. Rezarta Shkurti, okuliste: – I nderuar Tani! Siç më shkruani në letër, ju syzet i keni vënë në moshën 33 vjeçare, në moshë të rritur, ndërkohë që kam përshtypjen se keni patur nevojë për to që në fëmijëri. Arsyeja pse syri i djathtë nuk sheh fare, mendoj se është amblyopia, fenomeni i dembelizmit të të parit, të syrit që ka defektin më të madh në numër dhe marrje e fuqisë nga syri tjetër, i forti. Nëse ju do të ishit pajisur me syze që në moshë të vogël, 3-4 vjeç, syri juaj i djathtë, nën efektin korrigjues të xhamit me numër, do të ishte zhvilluar.
– Njëkohësisht me mbrojtjen e syzeve, duhet të ishte kryer nga ju edhe mbyllja me fasho e syrit të mirë, e të majtit, për t’u fuqizuar shikimi i të djathtit. Kjo procedurë quhet okluzion dhe e ka aftësinë korrigjuese të shikimit të syrit të dobët deri në moshën 7 vjeçare. Mbi këtë moshë, okluzioni i syrit me fasho është i pasuksesshëm pasi syri i fëmijës zhvillon efektet e tij pamore në nervin e të parit deri në moshën 7 vjeçare. Pas kësaj moshe, nuk ka më kuptim mbyllja me fasho dhe syri i dobët mbetet dembel. Prandaj nuk shihni me syrin e djathtë. Kjo do të ishte përgjigjja e duhur në problemin tuaj të të parit në syrin e djathtë i cili ka lidhje edhe me numrin e syzeve (përjashtojmë këtu problemet e tjera që lidhen me sëmundje të tjera të syrit). Gjithsesi, duhet të kryeni një vizitë të re okulistike për të përcaktuar saktë të paktën numrin e problemin e syrit të majtë dhe të ndihmohet ky sy, duke qenë që në shikim, është sy i vetëm. Faleminderit për letrën tuaj.