stavri Sapo keni botuar librin “Në Moskë, mes Hrushovit dhe Enverit” ku përshkruani ngjarje nga koha e punës tetëvjeçare si gazetar në Radio Moska. Pse kaq vonë, apo iu përmbajtët rregullit të hapjes së arkivave pas 50 vjetësh?

– Jo, asnjë rregulli nuk i jam përmbajtur, aq më tepër që unë nuk kam hapur asnjë arkivë për të shkruar këtë libër… I vetmi arkiv ishte kujtesa ime… Përsa i përket pyetjes se pse tani dhe jo më parë, mund të them se e shkrova kur i erdhi radha. Përpara këtij botova fillimin e “trilogjisë”, librin “Një djalë nga Odriçani”, që përshkruan ngjarje nga jeta ime derisa shkova në Moskë…
Unë prej disa dekadash ëndërroja të shkruaja një trilogji për gjenezën dhe jetën e të parëve të mi odriçallinj, nga lashtësia, deri në ditët tona. Tani jam duke shkruar pjesën e fundit… Por, përpara se ta përfundojmë këtë përgjigje, më falni t’ju bëj një korrigjim të lehtë: Më duket se në libër nuk është fjala për të përshkruar dhe treguar thjesht ngjarje nga jeta, por për të dhënë një tablo pak a shumë sintetike të atij vendi (Moskës, sidomos) në ato vite vërtet të ngjeshura me ngjarje, vite kur, mes të tjerash, filluan të shkrijnë akujt e “luftës së ftohtë” e u këputëm deri në njëfarë mase dhe ne, disa hallka, zinxhirët e njërës prej dikaturave më të egra të kohës. Sa ia kam dalë, kjo është punë tjetër, këtë do ta thotë lexuesi, por unë këtë qëllim kam pasur. Dhe, këtu, s’kemi të bëjmë vetëm me përshkrim ngjarjesh. Prandaj do të më pëlqente që kritika të vinte re se kemi të bëjmë me një roman nga jeta, të shkruar më një mënyrë dhe stil pak a shumë modern…
– Keni jetuar 8 vjet në BS, vite që, siç duket nga libri, i kujtoni me nostalgji. Si do t’i përshkruanit me pak fjalë ato vite?
– Një përgjigje e plotë e kësaj pyetjeje do të thoshte ripërsëritje, ritregim i romanit. Për të thënë ato që kam thënë, më janë dashur afro pesë vjet punë… Unë, të them të drejtën, do ta kisha vështirë t’i përshkruaja veçse ashtu sikurse i kam në libër, por mund të them vetëm se kanë qenë vitet më të bukura të jetës sime…
– Vërtet?! Edhe pse keni jetuar pas atyre viteve, edhe 53 vite të tjera në Shqipëri?!
– Po, pa asnjë mëdyshje. Mua, Rusia më ka bërë për vete dhe kjo nuk ka ndodhur vetëm me mua. Shpesh kemi biseduar për këtë me shokët që kanë qenë atje. U ka ndodhur e njëjta gjë. Duken vërtet si “të shkelur”, si të “shituar” nga zanat… Kjo, në radhë të parë, është meritë e virtyteve dhe vetive karakteristike të veçanta të popullit rus, e mikpritjes së tij, e sinqeritetit të tij, e gatishmërisë për të ndihmuar këdo në nevojë. Janë për t’u admiruar, sidomos, vajzat dhe gratë ruse, të cilat shpesh “mbanin shtëpinë” dhe rritnin fëmijët edhe kur ndodhte që burrat binin pas vodkës… Duhet shtuar patjetër edhe dashuria e madhe që ndjenin njerëzit sovjetikë për Shqipërinë, për vendin e shqiponjave, sikurse e quanin ata. Por unë do të shtoja edhe diçka tjetër: Njeriu, në të gjithë botën dhe besoj në të gjitha kohërat, e ka vlerësuar moshën e rinisë si më të mirën e jetës. Mbani parasysh se ne, kaluam atje, rininë tonë…
– Shumë legjenda kemi dëgjuar për vajzat ruse, lidhjet e tyre me shqiptarët etj. Pse i donin kaq shumë vajzat ruse djemtë shqiptarë?
– Ky është një problem shumë më i ndërlikuar sesa duket në pamje të parë. Në Luftën Patriotike, ranë djemtë më të mirë të Rusisë, kryesisht, të rinjtë e moshave 20-35 vjeç, ata që së shpëjti do të krijonin familjet e reja dhe mbetën, si të thuash, shumë vajza e pak djem. Mbetën me “shumicë” vajzat beqare, kudo, në qytete e fshatra… Thënë në mënyrë pak a shumë vulgare, në ato vite, në Rusi, në përgjithësi, kishte krizë “dhëndurësh”… Natyra bënte punën e vet, kërkonte çiftëzimin… Predispozitat ishin. Po kanë meritën e tyre në këtë mes edhe të rinjtë shqiptarë. Asokohe, në Rusi, sidomos, shkonin “ajka e rinisë”, në përgjithësi, djem të familjeve qytetare të kulturuara, njerëz që dinin të silleshin në shoqëri dhe që adaptoheshin shpejt, duke mësuar në radhë të parë gjuhën ruse… (Shumë prej tyre dinin italisht, këndonin në atë gjuhë këngë pas të cilave ruset “linin kokën”…) Pastaj, “djemtë e Jugut” dalloheshin për temperamentin e tyre “të nxehtë”… Dhe s’duhet harruar në asnjë mënyrë vetë temperamenti, karakteri, struktura shpirtërore dhe psiqike e vajzave ruse. Ato rriteshin, ndër të tjera, edhe nën ndikimin e letërsise ruse të shekullit të XIX që ishte e mbushur me heroina dhe personazhe plot ëndrra për jetën, të ndezura nga fantazia, nga dëshira për të parë vende të reja. “Të ngopura” me dimrin e gjatë rus, të ngopura me shtresën e bardhë të dëborës, me ngricat dhe acarin, ato ëndërronin për ditë të ngrohta me diell në bregdetin shqiptar. Djemtë shqiptarë i “konin” (pse jo, edhe i joshnin ato) me klimën e ngrohtë të vendi të tyre, me gjelbërimin e përhershëm, me kopshtije të mbushura plot portokalle dhe limona, duke bërë që ato ta përfytyronin Shqipërinë si një parajsë të vërtetë… Në çastet më të lumtura të jetës, kur lidheshin me djemtë shqiptarë, ato e shikonin veten në atë parajsë… Këto janë, them, disa nga arsyet pse djemtë shqiptarë i tërhiqnin vajzat ruse, si me magji… Dhe, mbi gjithçka duhet mbajtur parasysh se vajzat ruse ishin të lira dhe të emancipuara, nuk kishin paragjykime, prindërit e tyre jo vetëm nuk e ndalonin, por e inkurajonin shoqërinë dhe miqësinë me shqiptarët…
– Ndryshonte socializmi shqiptar nga ai rus? Ku i shikoni ndryshimet?
– Në fakt, socializmi shqiptar si sistem politiko-shoqëror-ekonomik ishte një kopje e socializmit sovjetik, i dhënë në përmasa të vogla. Mirëpo kopja, prapë kopje mbetej, sado që përpiqej Enver Hoxha ta jepte si origjinale… Dhe, më keq akoma, shpesh “përvoja sovjetike” nuk gjente terren të përshtatshëm në Shqipëri dhe gjatë përpjekjeve për “ta imponuar”, bëheshin shtrembërime që i kushtonin rëndë ekonomisë kombëtare, madje preknin dhe vetë demokracinë… Po problemi është shumë më i gjerë dhe më i ndërlikuar. Përsa i përket sistemit “të mbrojtjes” dhe, sidomos, të “sigurimit të shtetit” që u shpall hapur si diktatura e klasës punëtore (të një klase në formim e sipër), ishte më e lehtë “për t’u përvetësuar” dhe zelli i shqiptarëve që ngarkoheshin me këtë punë, e tejkalonte atë të rusëve… Ja, edhe një ndryshim: Bashkimi Sovjetik kishte trashëguar dhe zhvilluar tradita shtetërore të lashta (shtet mijëvjeçar) dhe shpesh, demokracia jonë e re nuk arrinte as nivelet e rendit “demokratik” të Pjetrit të madh, apo carëve të tjerë… Rusia kishte institucione arsimore kulturore të kohës, si universitetet dhe institutet e larta, ishte shtet me një sistem arsimor të ngritur dhe ruante pak a shumë traditat… Ne, në Shqipëri, e ndërtonim çdo gjë nga e para, por dhuna, ama, mbeti pothuajse ajo e kohës së feudalizmit… Shpesh harrohej ligji dhe dëgjohej shprehja “dale pa ta tregoj unë qejfin”…
Rol të madh luanin pozicionet gjeografike të vendeve që përpiqemi të krahasojmë. Shqipëria s’ishte veçse sa një provincë malore e një shteti me 16 republika… Në rast se keni parasysh “llojin e diktaturës”, ja ku po ju them se diktaturë më të egër se kjo jona, përjashto ndoshta atë të Pol Potit, zor se gjen gjëkundi…
– Në libër, në kapitujt e fundit, ju përmendni një shkrimtar që ju ka denoncuar pranë autoriteteve shqiptare si njeri që punonit kundër mësimeve të Partisë dhe të shokut Enver. Nga përshkrimi duket se është Ismail Kadare… Ai është?
– Ky është një fakt për të cilin ka shkresa dhe vendime zyrtare… (Vazhdimin mund ta lexoni ne gazeten INTERVISTA te kesaj jave)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *