Sofi (5)Me Sofinë…

Blerina Çizmja: – Sofi, si janë ditët pa “Zonë e lirë”?
Romina Alku: – Si ditët e gjithkujt me pushime dhe me angazhime familjare…
– Çfarë të mungon më shumë nga ky emision, apo më saktë, a të mungon ndonjë gjë prej tij?
– Më mungon veshja ime AMC… Big up i Dj Çerrit, alegria, rrëmuja, zhurma e çdo përgatitje emisioni. Sigurisht, edhe intervistat që vetëm Ariani di t’i bëjë…
– Si i bën pushimet stafi i “Zonë e lirë”, secili për qejf të vet, apo edhe së bashku…
– Pushimet, gjithsekush, në qetësinë e tij. Pas 9 muajve punë së bashku, pak relaks duhet për veten… për t’u rikthyer me energji dhe ide të reja në “Zonë e lirë”.
– Atëhere, rasti juaj mund të quhet ai i një stafi që “ndan edhe jetën jashtë pune”, apo ai i një stafi që, kur mbaron puna, “nuk njihen me njëri-tjetrin”?
– Në fakt, asnjëri nga të dy rastet e lartpërmendura. Stafi i “Zonës së lirë” është unik dhe ky është çelësi i rezistimit ndër vite. Ndajmë çdo gëzim familjar me njëri-tjetrin sepse njihemi shumë mirë…
– A do të kishe dashur që Çani të të vinte një emër tjetër dhe jo Sofi?
– Ariani është një gazetar me shumë shije dhe asnjë emër tjetër nuk do të më shkonte e nuk do të bëhej njësh me mua… Ndaj më pëlqen dhe e dua emrin Sofi, më shumë se çdo emër tjetër. Edhe për veten, të njëjtin emër do të kisha zgjedhur, pa asnjë dyshim.
– Ndonjëherë njeriut i pëlqen të kthehet në “identitet”. Ka patur një moment kur ke dashur që tashmë të të thërrisnin Romi, për shembull?
– Sofi është më në identitet se Romi… S’e njoh këtë të fundit, askush nuk më ka thirrur kështu asnjëherë… (Buzëqesh)
– Si do ta kishe pritur një propozim të tillë nga Çani?
– Të jem realiste, nuk e pres një propozim të tillë. Ne jemi staf që ndajmë të njëjtën shije pëlqimi…
– …dhe meqë jemi te Çani, tashmë ju mund të quheni pa frikë një çift televiziv. Çfarë e bën të fortë bashkëpunimin tuaj?
– Duam të njëjtën punë… duam “Zonë e lirë”… Mes nesh ka shumë përkushtim, korrektësi e bashkëpunim…
– Cili nga personazhet e ftuara është i pari që të kujtohet tani, nëse të pyes për të?
– Të gjitha personazhet në “Zonë e lirë” më kujtohen sepse kjo është puna ime, por do të thoja se e diskutuara më gjatë, që theu çdo tabu në ekranet tona dhe që mendoj se të gjithëve u ka mbetur në memorie është Dj toples Katjusha…
– Pse?
– Sepse “Zonë e lirë” është emisioni ku gjithçka mund të ndodhë! Të ftuarit janë të lirë dhe ajo performoi e lirë… (Qesh)
Me Rominën
– Romina,  të shijuan pushimet sivjet?
– Më pëlqen të vizitoj dhe eksploroj vende ku nuk kam qenë më parë, ndaj gjithnjë më shijojnë pushimet.
– Kur, ku dhe si i nise?
– I nisa nga fundi i majit disa ditë, në bregdetin e Adriatikut me shoqërinë, pastaj në lëvizje, në Jug dhe jashtë Shqipërisë.
– Kur i mbylle?
– Më 12 shtator. Pas fillimit të punës, do jenë pushime vetëm fundjavat… varet si do të mbajë moti.
– Të kam parë më së shumti në shoqëri femërore… Kaq diskrete je sa të mos na e tregosh edhe fytyrën e “shoqërisë mashkullore”?
– Nuk jam diskrete aspak, madje në shoqërinë time ka shumë shoqëri mashkullore, por kur i bën publik, keqinterpretohet nga ana e disa uebeve këtu te ne.
– Si janë pushimet me shoqërinë?
– Mbresëlënëse dhe mjaft aktive.
– Cila është gjëja më e bukur dhe më e vështira e tyre?
– E bukura: Energjia. E vështira: Pagjumësia dhe zhurma… (Qesh)
– Po me familjen, do të pushosh apo ke pushuar sivjet?
– Këtë vit nuk kam bërë pushime të mirëfillta pasi shëndeti i mashkullit tim, që e dua me shpirt, i babait tim, nuk ka qenë i favorshëm për të lëvizur, por falë Zotit dhe mjekëve të klinikës “FIZART”, shëndeti i tim eti po përmirësohet dita-ditës dhe besoj se me shumë mundësi, në fundjavat e shtatorit a tetorit, pa diskutim, do jenë pushimet familjare që për mua janë të paharrueshme… E dua familjen time!
– Si janë familjarët e tu? Për shembull, a ka për Rominën një orë të caktuar kur duhet të kthehet në darkë, një shoqëri të caktuar që nuk duhet frekuentuar, apo një vend të caktuar ku nuk duhet shkuar?
– Unë kam një familje të mrekullueshme! E respektojmë njëri-tjetrin dhe çdo vendim e rregull në familje është i konsultuar nga ne. Nuk kemi kushte e rregulla të shkruara… E dimë ç’do të thotë familje dhe sa e rëndësishme është ajo për ne… Ata nuk janë të rreptë, por të rregullt… i dua pafund… janë formimi im.
– Ti je nga Laçi dhe neve na është krijuar përshtypja se atje, njerëzit janë shumë të ashpër e fanatikë…
– (Qesh) Unë jam dibrane dhe vendlindja ime është Laçi. I dua të dyja këto vende, ndaj s’mund t’i ndaj. Jam krenare për origjinën time dibrane, edhe pse nuk kam jetuar asnjëherë atje. Familja ime është shumë e respektuar dhe me zë të mirë në Peshkopi. Në Laç kam lindur dhe kam jetuar 7 vitet e para të jetës. Kam shumë nostalgji për fëmijërinë… Është ide e gabuar; laçjanët nuk janë të ashpër e as fanatikë. Të rregullt, po.
– Tjetër, si janë ata nga Laçi?
– Nëse të konsiderojnë mik apo mikeshë, janë shumë të rregullt e të respektueshëm, të gjendshëm dhe të gatshëm për shoqërinë…
– Në foto dukesh perfekte, ama ne femrat shpesh jemi të pakënaqura me veten… Ndihesh në formën e duhur me rrobabanjot?
– Ndjehem shumë ok, nuk kam komplekse… Jam shumë elegante e me forma të rregullta; pse të mos ndihem kështu?!
– Ah, po, edhe një pyetje… Me shumë rrobabanjo të kam parë. Sa ke blerë për sivjet?
– Bikini kam shumë se dhe vetë pushimet janë 2 muaj e gjysëm, ndaj duhen… (Qesh)

Je dakord apo ke ndonjë mendim tjetër…
– Më mirë një mik apo një thesar?
– Thesari më i madh për mua është miqësia…
– Gur-gur bëhet kalaja?
– Në rastin tim, po… Janë vitet e punës që forcojnë bashkëpunimin, pra, kalanë!
– Shokun zgjidhe më të mirë se veten?
– Shoqërinë e kam më të mirën e mundshme sepse besoj në këtë shprehje.
– Gënjeshtra është një plagë; edhe në u shëroftë, të le nishan?
– S’i duroj dot gënjeshtrat dhe nuk u kam lënë kohë e as hapësira shërimi, ndaj për mua nuk mbeten kurrë nishan…
– Nuk i gjenden gjarpërit këmbët?
– Intuita dhe syri i mprehtë, jo vetëm që ia kap këmbët gjarpërit, por edhe ia këput ato.
– Mendjemadhi niset me kalë, kthehet me këmbë?
– Aq mendjemëdhenj sa kam parë, kështu më ka rezultuar t’i shoh; duke ikur me kalë e duke u kthyer në këmbë.
– Pula bën vezën, gjelit i dhemb barku?
– Marrë nga fasada, kështu ndodh, jam dakord, por unë shtirjen nuk e kapërdij dot, ndaj largohem nga këta tipe gjelash, njerëzish, domethënë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *