Të këndshme, të papritura, të veçanta, shpesh të sikletshme, me një të përbashkët të madhe: Fëmijët dhe bëmat e tyre. Kemi vendosur t’jua ngjyrosim ditën sot me këtë përmbledhje situatash që tregojnë se si protagonistët e vërtetë, fëmijët, këto qenie të vogla të admirueshme, janë në gjendje të na bëjnë të qeshim me fjalë, gjeste dhe veprime sa të pafajshme, aq edhe mbresëlënëse, siç janë edhe ato të mëposhtmet, të përcjella nga prindërit e tyre. E sigurtë është se nuk ekziston një ilaç kundër të papriturave, sic mund të bësh me shurupin kundër kollës, ndaj nëse t’i evitosh është e pamundur, gjithë çfarë mund të bësh, është të presësh me frikën e ëmbël se cila do të jetë batuta e tyre e radhës…

Romir Zalla Hermes2Romir Zalla
Hermesi
Ai që lëshon më shumë batuta në shtëpi tani është djali se vajza është rritur. Atij i pëlqen të shpikë fjalë të reja. Për shembull, tani sapo nxori një. I thashë: “Çfarë bën Hermesi në kursin e notit?”. “Noton”. “Po motra, çfarë bën në kursin e baletit”, e pyeta. Më tha: “Balerinon”.
Gjelin e detit të Vitit të Ri, e therëm. Djali e kishte bërë shok ato dy ditë që e mbajtëm në banjë dhe, kur e poqëm, protestoi se nuk i hahej “kofsha e shokut”.
Kur një ditë, komshia jonë, i dha një çokollatë Hermesit dhe i thashë: “Cila është fjala magjike që thuhet kur të jep teta çokollatë?”. Më tha: “Më jep edhe një çokollatë tjetër, teta”.
Një ditë tjetër, djali lexoi një fjalë të shkruar mbi një mur: “fuck”. “Çfarë do të thotë fuck, babi?”. Ç’t’i thosha? “Kanë harruar t’i shtojnë një “ll”. Kanë dashur të shkruajnë “flluck”, të keqen babi, e kanë shkruar gabim”.

Joana Smakaj Aron  3Joana Smakaj
Aroni
Një ditë, ndërsa ishte i acaruar me Parisin (motrën e vogël), Aroni tha: “Këto janë dy vitet më të tmerrshme të jetës time!”. Parisi është 2 vjeçe, prandaj…

 

 

 

 

 

 

Ervin Bushati Aron, Bjorn 3Ervin Bushati

Ante, Bjorni
Ka kaq shumë gjëra për të thënë sa nuk di cilën të veçoj… Unë kam dy djem, Ante është i madhi, Bjorn i vogli. Janë karaktere komplet të ndryshme. I madhi është i lidhur shumë pas meje, i dyti pas së ëmës. Kur ishte Anteo i vogël, çuditej kur më shikonte mua në TV. Ishte në kohën që sapo kishte filluar të thoshte fjalët e para dhe bënte çudi me mua që më shikonte në shtëpi dhe me atë që shikonte në ekran e thoshte: “Edhe këtu babi, edhe këtu babi”. (Buzëqesh) Pasi u rrit, më thoshte: “Pse të njohin njerëzit ty o baaa?”, kurse tani thotë me një lloj krenarie “E dini kë kam baba unë, Ervin Bushatin!”, gjë që edhe më bën të qesh, por edhe më vë në siklet.
Kurse Bjorni, që është shumë i dhënë pas së ëmës, i thotë shpeshherë: “Dua të kem një të dashur identik si ti” . Ai sillet si një xhentëllmen i vërtetë, por po ashtu, ka edhe një të keqe që, po të kenë rrobat e tij sadopak ngjyrë të kuqe, nuk i vesh, me justifikimin: “Nuk jam gocë unë, jam çun!”. (Buzëqesh)

 

 

 

 

Enada Hoxha Roan3Enada Hoxha
Roani
Po veçoj dy batuta nga Roani, që çuditërisht, të dyja kanë të bëjnë me qiellin. Para pak kohësh, mamaja e Gerdit, ishte e ftuar diku dhe po tërhiqte një çmim dhënë të shoqit që nuk është më. Gjatë marrjes së çmimit, ajo përlotet. Roani, atëhere 4 vjeç, e pyeti: “Pse qan ti, nëna?”. “Qaj për gjyshin”, përgjigjet ajo, ndërsa ky ia kthen: “Po s’ka gjë mi nëna, se unë zgjas dorën në qiell, e tërheq gjyshin dhe ta sjell këtu, që të çmallesh me të”.
Kurse këtë tjetrën e ka thënë tani vonë… (Buzëqesh) Po prapë gjyshja, ulet një ditë e lodhur në divan, duke thënë: “Oh, moj nëna ime!”. Roani, e dëgjon dhe e pyet: “Çfarë ke, mi nëna?” “Po, ja, i thotë ajo, më ka marrë malli për nënën time, ta përqafoj një herë”. Dhe, përgjigjja e Roanit, ishte: “Po mos u mërzit mi nëna, se ti edhe pak e ngjitesh vetë në qiell dhe e përqafon sa të duash pastaj”.
Ja, nga këto shakara bën djali im. (Buzëqesh)

 

 

Marin Orhanasi MariusMarin Orhanasi
Maidi
Një ditë po ecja me makinë e i fola një shokut tim që jeton jashtë shtetit. Më pyeti çuni: “Kush është ai?”. “Shoku i babit”, i thashë.
“E ku jeton ai?”, më pyeti.
“Jashtë shtetit”, i thashë.
“Jeton jashtë shtetit?!”, më pyeti.
“Po” i thashë.
“Jeton jashtë shtetit edhe kur bie shi?!”, më tha.
“Kjo mami, pse bën si kalama, apo s’ka qenë ndonjëherë kalama?!”, më tha një ditë që ajo po i bërtiste…
Më tha një ditë për Kryeministrin: “Babi, sa herë del ti në televizor?”.
“Një herë në javë”, i thashë.
“Po ky xhaxhi, pse del përditë, është aktor më i mirë se ti?!

Alma Buci

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *