Unë që po ju shkruaj jam një nënë që nuk kam shumë kohë që kam kuptuar se djali im nuk ishte ai që mendoja. Jam bërë nënë në moshën 23 vjeçare. Burri më la pak vite pasi bëra djalin dhe unë e rrita e vetme. Burri vdiq nga një sëmundje e rëndë, për arsye se pinte shumë e rrinte më shumë i dehur sesa esëll. E rrita djalin me shumë mundime dhe tani ai është 28 vjeç. Edhe pse isha me halle, asnjëherë nuk bëra asgjë të keqe. Bëja nga dy punë, punoja me orar të zgjatur, madje shpeshherë e merrja edhe djalin te puna sepse nuk kisha me kë ta lija. Të gjitha këto sakrifica i bëra që atij të mos i mungonte asgjë. Pavarësisht se nuk kisha shkollë, unë kisha fat sepse gjeja punë e pastaj, të gjithë më mbanin sepse më donin, ngaqë sillesha mirë me ta. Edhe djalin e pata ushqyer me dashuri, që të mos kisha probleme kur të rritej. Jetoj në një lagje jo në periferi të qytetit, kështu që shumë gjëra më bënin të ndihesha e sigurtë se djali do të ecte në rrugë të sigurtë e pa asnjë problem. Derisa ai u fut në shkollë të mesme, gjithçka shkonte mirë dhe, aty filluan edhe problemet. Mësuesja më kërkonte e sa herë shkoja ta takoja, më thoshte se ai bënte shumë mungesa dhe mund të përjashtohej. Vija në shtëpi e i thoja atë ç’më kishte thënë mësuesja, por ai më përgjigjej:
– Ajo më ka inat mua, prandaj flet ashtu!
Kështu, unë e llastova derisa ai e la shkollën e nuk shkoi më. Nuk e kundërshtova sepse, edhe pse e dija që nuk ishte një gjë e mirë, nuk doja të dilja kundër dëshirës së tij.
Ai, gjithë ditën flinte gjumë e gjithë natën, rrinte me shokët jashtë. Kur vinte në mëngjes, kishte nevojë për gjumë dhe nuk e bezdisja. Kështu, dalëngadalë ai ndryshoi drejtim dhe nuk e dija në do të kishte kthim prapa, derisa një ditë, një grua më ndaloi në rrugë e më tha:
– Si e ke djalin?
– Mirë – i thashë e habitur. – Pse?
– Po mbrëmë ai bëri sherr dhe djali im tha që ishte plagosur…
M’u errësuan sytë dhe nuk e di se si arrita deri në shtëpi. Sa hapa derën, i thërrita dhe u futa me rrëmbim në dhomën e tij.
– Çfarë të kanë bërë? Ku je plagosur?
Ai u ngrit në këmbë i përgjumur dhe tha:
– Çfarë ka?
– Je i plagosur? Ku e ke plagën?
Ai ngriti bluzën dhe ma tregoi. Ishte një e çarë jo shumë e madhe, por mjaft për djalin tim që e kisha rritur me shumë mund e sakrifica.
– Pse kështu mor bir? Pse more këtë rrugë? Kush ta bëri këtë?
– U zumë me njërin, por s’ka asgjë të keqe. Ja, një gërvishtje e vogël është.
– Pse nuk më the mua?
– Që të ulërije kështu? Ti bëhesh merak kot. Të gjithëve u ndodhin këto gjëra.
– Jo të gjithëve, vetëm atyre që rrinë natën rrugëve! – i thashë, duke e ditur se po e lëndoja.
Plaga iu shërua shpejt dhe ai nuk doli për disa ditë jashtë. Ishte gjë shumë e bukur të rrije me të dhe të kalonim bashkë pjesën më të madhe të ditës. Mendova se ndërroi mendje e do të kthente rrugë. I thashë shefit tim dhe ai pranoi ta merrte në punë. Do të punonte me një shofer për të shpërndarë mallra ushqimore.
Dy muaj pasi nisi punën, ai më tha se nuk punonte dot më se lodhej shumë. Më erdhi shumë keq, por isha mësuar pa ia prishur asnjëherë dhe ndoshta ky ishte gabimi im, por tani ishte vonë dhe nuk kthehej më. Duhet ta mësoja me qortime qëkur ishte i vogël.
Kaloi njëfarë kohe dhe atë filluan ta thërrisnin përsëri shokët e mëparshëm. E dija se do të mërzitej, por e qortova:
– Nëse ti vazhdon përsëri atë rrugë, mos rri më në shtëpinë time!
Ai më pa njëherë vëngër dhe nuk foli, por uli kokën. Dola nga shtëpia e inatosur dhe vendosa që ta ktheja nga rruga e keqe, mirëpo ai fshehtas takohej me shokët e tij dhe unë nuk mora vesh asgjë. Një mëngjes ai u vonua dhe nuk erdhi derisa unë u nisa për në punë. Mendova se ishte vonuar me shokët. Sapo arrita në punë, më ra telefoni. Më merrnin nga urgjenca. Më thanë të shkoja shpejt sepse djalin e kishin qëlluar. Mora taksi dhe shkova menjëherë. Ai ishte shumë rëndë. Duhet të bënte një operacion të menjëhershëm dhe ndoshta mund t’u shpëtonte kthetrave të vdekjes.
Firmosa për operacionin. Tërhoqa të gjitha lekët që kisha në bankë dhe ia vura në dispozicion kësaj pune. Vërtet i kisha thënë se do të hiqja dorë nga ai po të vazhdonte këtë punë, por kjo gjë ishte e pamundur. Ai ishte jeta ime dhe nëse do të kishte nevojë, edhe jetën do ta jepja për të, po të duhej.
Operacioni zgjati disa orë. Ishte dëmtuar në shtyllën kurrizore. Ishin zënë me disa djem në lokal për punë femrash dhe njëri kishte nxjerrë pistoletën dhe e kishte goditur dy herë djalin tim. Mendoja çdo gjë, por jo që ai në këtë moshë, të ishte në kushte të tilla. Pas operacionit, doktori më takoi dhe më tha:
– Operacioni doli me sukses. Ai do ta kalojë këtë gjendje, por…
– Por… Ç’është kjo doktor? Për çfarë nuk jeni i sigurtë?
– Më vjen keq t’jua them, por nuk jam i sigurtë nëse do të ecë përsëri. Ka dëmtuar rëndë shtyllën kurrizore. Megjithatë…
– Çfarë? Ka ndonjë shpresë?
– Nuk është e përhershme, por koha shëron gjithçka.
Në atë çast m’u duk sikur bota m’u shemb mbi kokë. Të gjithë më thonin se vuajtjet e mia do të merrnin fund kur të më rritej djali, por paskan qenë gënjeshtra. Besoj se prindi nuk ka pse pret gjë nga fëmijët. Më e shumta që mund të presë, është që ata të mos i sjellin shqetësime.
Pas operacionit, doli fjala e doktorit. Djali nuk i lëvizte dot këmbët dhe ky, për të, ishte një shkatërrim total. Kur e mori vesh, ai kërkoi që të rrinte vetëm e të mos kishte vizita. Nuk kishte faj; në moshën më të mirë të jetës, do të qëndronte në një karrocë me rrota. E nxora nga spitali dhe e çova në shtëpi.
Ai ishte i mëzitur dhe nuk dilte nga dhoma për të takuar asnjë nga njerëzit që vinin për ta parë. Unë, si gjithmonë, bëja atë që donte ai. Një ditë erdhën dy djem dhe e kërkuan. Pyeta se kush ishin dhe ai kërkoi të shkonin te dhoma e tij. Ata u futën dhe mbyllën derën. E dija se kush ishin. Ishin ata, “shokët e mirë” që e kishin futur në atë rrugë. Qëndruan për shumë kohë duke biseduar dhe më vonë, ikën. Pas tyre, u futa unë në dhomë. Kishin pirë shumë cigare dhe menjëherë, unë shkova të hapja dritaren.
– Prapë do të shoqërohesh me ta?
– Kishin ardhur vetëm të më shihnin. Ata ndjehen keq për mua.
– Keq?! Ata duhen vrarë me bukë në gojë. Unë duhet t’i kisha nxjerrë jashtë, por për ty…
Ai nuk më la të vazhdoja.
– Fillove prapë? Për ty, për ty… Vetëm këtë di ti! E di se të gjitha i ke bërë për mua, por ja që kot i ke bërë. Kam qenë pa fat dhe ti nuk ke se ç’bën.
E kuptova se gabova. Iu afrova dhe i thashë:
– Më fal, zemër, por ti je gjithçka kam. Të dua shumë e dua të të shoh vetëm mirë.
– Edhe unë të dua, mami!
– Bashkë do ta kalojmë këtë dhe ti do të ecësh përsëri.
– Po… – tha ai.
E kështu, ne filluam një betejë të ashpër me paralizën, por ai kishte një optimizëm të paparë. E futa në fizioterapi dhe përveç kësaj, ushtrohej edhe në shtëpi, por nuk mund të ecte aq shpejt. Për këtë shkak, herë-herë nrevozohej dhe nuk donte të vëzhdonte më tej, por unë e bindja dhe i përsërisja fjalët e doktorit, që paraliza nuk ishte e përhershme. Kaluan 4 vjet nga dita kur ai u operua dhe erdhi çasti që ai të ecte me paterica. Edhe pse nuk po ecte akoma mirë, kjo ishte një shenjë e mirë. Shita shtëpinë e madhe, bleva një të vogël dhe me ato para, e çova në Gjermani, në një spital shumë të mirë. Doktorët e operuan edhe njëherë dhe na dhanë shpresa se brenda pak kohëve ai do të ecte vetë. Tani është më mirë. Nganjëherë ecën edhe pa paterica, por nga frika, mundohet të jetë i kujdesshëm që, kur të ecë, të jetë gjithçka mirë.
Dita kur ai të ecë pa ndihmën e patericave është afër. E di se pas kësaj, ai do të ecë në rrugën e duhur dhe çdo gjë e kaluar, do të mbetet pas. Ai nuk është djalë i keq, por shoqëria e bëri të tillë. Ai është drita e syve të mi dhe për të, unë do të bëj gjithçka gjithmonë, deri në ditën e fundit të jetës sime.