– Kam një pyetje për instruktorin. Si i bëhet që unë kam shumë oreks? Kjo po më prish trupin në njëfarë mënyre. A ka ndonjë mënyrë që unë të mësohem të ha më pak, sepse jam vërtet ngrënëse e madhe? Më ndodh që kur ulem, nuk di të çohem nga tavolina. Theksoj që kam edhe stres herë pas here. Zamira.
Mario instruktor: – E nderuar Zamira! Duke qenë se e keni kuptuar edhe vetë që po e teproni në të ngrënë, do ta keni më të lehtë ta kontrolloni ndjesinë e urisë. Së pari, nuk duhet ta mbani mendjen gjithë kohën tek ushqimi, sepse në shumicën e rasteve ndjesia e urisë është thjesht psikologjike, sepse organizmi nuk është se e kërkon gjithë atë sasi. Së dyti, mos i konsumoni të gjitha përnjëherë, por më mirë hani shpesh dhe nga pak, të paktën të ketë një interval kohor gjer në 5 orë nga vakti në vakt, duke filluar që nga mëngjesi. Duhet të kontrolloni stresin tuaj… Sa më e tensionuar të jeni, aq më shumë do ta keni dëshirën për të ngrënë. Në momentet që ju kap stresi, mos vraponi direkt në tavolinë; më mirë bisedoni me një të afërm, shkoni për një kafe, një shëtitje me një shok, shoqe, ose familjar, që e konsideroni shumë të ngushtë. Pra, merruni me diçka, patjetër.
– Një veprim tjetër i rëndësishëm për të ulur ndjesinë e urisë, është që të flini gjumë mjaftueshëm. Nëse flini pak, vetë organizmi dhe truri punon në atë mënyrë që bën që ju të ndjeni sikur keni uri dhe të hani më shumë seç duhet. Pini sa më shumë ujë, i cili do t’ju ndihmojë jo vetëm të rregulloni metabolizmin, por edhe do t’jua ulë ndjeshëm ndjesinë e urisë sepse do t’ju duket sikur jeni ngopur.
– Nëse e shikoni që nuk jeni ngopur, shtojini tavolinës tuaj vetëm një sallatë jeshile me pak vaj ulliri dhe uthull molle, por thjesht sallatë jeshile pa perime të tjera. Sallata jeshile ju ndihmon në meatabolizëm, shkrin kaloritë dhe ju krijon ndjesinë e ngopjes. Në fund, do t’ju sugjeroja të merreni edhe pak me ushtrime fizike, vrap, ose të frekuentoni një palestër ku bëhet zumba etj. Në këtë mënyrë, do të largoni stresin, i cili duket se është faktori kryesor që ju shtyn drejt tejngopjes.
Advertisement