Me zotin Afrim Bakaj, Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit
– Zoti Bakaj, sa të sigurta janë produktet ushqimore që tregtohen në raftet e dyqaneve?
– Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka në fokusin e tij qendror garantimin e sigurisë ushqimore në vend, si dhe mbrojtjen e konsumatorit shqiptar, në zbatim të legjislacionit në fuqi. Konkretisht, produktet ushqimore kanë qenë dhe janë në qendër të vëmendjes përsa u përket kushteve të përgjithshme dhe specifike të higjienës në ambientet e tregtimit, si dhe dokumentacioni shoqërues (fletë analizat, certifikatat veterinare që vërtetojnë sigurinë e produktit që nga prejardhja e tij). Një vëmendje e veçantë u kushtohet edhe kushteve të ruajtjes së produkteve ushqimore, ekspozimit të tyre sipas natyrës së produktit dhe shoqërimit të produkteve të importit me etiketimin në gjuhën shqipe, ku përcaktohet qartë data e prodhimit dhe e skadencës, si dhe kushtet e ruajtjes dhe të përdorimit.
– A bëni kontrolle ju? Çfarë ka dalë nga këto kontrolle?
– Janë kryer kontrolle të vazhdueshme nga Drejtorite Rajonale ne qarqe, si dhe kontrolle te përbashkëta me Drejtorinë e Përgjithshme, si rezultat i të cilave vihet re një ndërgjegjësim më i madh i operatorëve të biznesit ushqimor për plotësimin e kërkesave ligjore dhe në rastet kur këto kërkesa nuk plotësohen, inspektorët e AKU-së kanë marrë masa të përshkallëzuara administrative të parashikuara në bazën ligjore me të cilën operon ky institucion, që nga paralajmërimi e deri në bllokimin e aktivitetit. – Cili është autoriteti shtetëror që bën analizat e produkteve ushqimore që prodhohen në vendin tonë? Po për produktet ushqimore të importuara, a bëhen analiza apo quhen të mirëqena certifikatat që shoqërojnë këto produkte?
– AKU-ja ka në varësi 12 laboratorë rajonalë të autorizuar (bazuar në Ligjin e Ushqimit) të cilët kryejnë analizat e produkteve ushqimore të prodhuara në vend. Inspektori i AKU-së në pikën e kalimit kufitar, për verifikimin e sigurisë së ushqimit dhe ushqimit për kafshë të importuara, në rastet kur dyshon se një produkt mund të paraqesë probleme përsa i përket sigurisë ushqimore bazuar në legjislacionin në fuqi, ka të drejtë të marrë mostra dhe t’i analizojë ato në laboratorët e autorizuar. Laboratori i Institutit të Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë (ISUV) shërben si laborator reference për çdo analizë të kryer, për kontrollin zyrtar të sigurisë ushqimore.
– A keni vërejtur shkelje?
– Në rastet kur janë vërejtur shkelje në lidhje me normativat e vendosura sipas legjislacionit në fuqi, janë marrë masa për heqjen e produktit nga tregu dhe vazhdimin e procedurave të asgjësimit.
– A kemi ne në Shqipëri laboratorë që të ushtrohet kontrolli për të gjitha produktet ushqimore dhe për të gjitha analizat?
– Laboratorët rajonalë të AKU-së janë në gjendje të kryejnë analizat e mëposhtme: Në Laboratorin e Sigurisë Ushqimore kryhen analizat cilësore dhe mikrobiologjike të produkteve ushqimore të prodhuara në vend dhe të importuara. Në Laboratorin Veterinar të Shëndetit dhe Mirëqenies së Kafshëve kryhen analiza për diagnostikimin e sëmundjeve të kafshëve. Në Laboratorin e Mbrojtjes së Bimëve, kryhen analiza për sëmundje dhe dëmtues karantinorë të bimëve.
– Për përmbajtjen e pesticideve dhe hormoneve në produktet bujqësore dhe shtazore, a bëhen analiza të hollësishme? Në shtyp, është thënë se këto nuk bëhen…
– Përsa u përket analizave të përmbajtjes së hormoneve në produktet me origjinë bimore dhe shtazore, këto analiza kryhen në ISUV (Instituti i Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë). Vlen për t’u theksuar fakti se ka një plan kombëtar të monitorimit të mbetjeve të pesticideve në produktet shtazore. Inspektimi i importit të PMV-ve (Produkte Mjekësore Veterinare) kryhet nga inspektorët e AKU-së. Çdo produkt mjekësor veterinar që importohet në Republikën e Shqipërisë duhet të jetë i regjistruar në listën e PMV-ve të aprovuar nga MBZHRAU. Sipas kërkesave të nenit 85 të Ligjit Nr. 10465, datë 29.09.2011 “Për Shërbimin Veterinar”, gjatë çdo inspektimi, subjekti importues i PMV-ve duhet të paraqesë certifikatën e regjistrimit të produktit veterinar dhe dokumentet e tjera shoqëruese, si certifikatë origjine dhe certifikatë analizash. Në asnjë rast nuk është kaluar asnjë PMV e paregjistruar në listën e miratuar.
Në vitin 2006, me ndalimin e një grupi të caktuar produktesh PMV si Tirostatiket, Betaagonistët dhe Somatotropinat, ku hyn edhe hormoni boldomex (shumë i përfolur në media, i cili bën pjesë në grupin e tirostatikëve) në vendet e BE-së dhe në Shqipëri u ndalua përdorimi i këtij produkti. Neni 82 i Ligjit Nr. 10465, datë 29.09.2011 “Për Shërbimit Veterinar” ndalon përdorimin e grupit të mësipërm në kafshët e gjalla, si dhe ndalon tregtimin, prodhimin dhe vendosjen në treg të ushqimeve me origjinë shtazore jo për konsum njerëzor dhe në mënyrë kategorike është ndaluar edhe importi i produkteve mjekësore veterinare të mësipërme. Farmacitë veterinare, në bazë të Ligjit Nr. 10465, datë 29.09.2011 “Për Shërbimin Veterinar” nuk janë objekt kontrolli i AKU-së, por i Drejtorisë së Shërbimit Veterinar pranë Drejtorive Rajonale të Bujqësisë në qarqe.
– Pse e thoni këtë? Mund të tregtohen në farmaci këto prodhime të ndaluara?
– Farmacitë veterinare janë objekt kontrolli i Drejtorive të Shërbimit Veterinar të Bujqësive në qarqe, pra, AKU-ja nuk ka informacion mbi produktet dhe aktivitetin tregtues të këtyre farmacive, pasi nuk janë objekt i kontrollit të saj.
– Problem në treg janë ushqimet e skaduara. Kush dhe si e garantoni konsumatorin që këto produkte nuk riciklohen dhe të tregtohen, duke iu ndërruar vetëm etiketa?
– Bazuar në ligjin “Për Ushqimin” (i ndryshuar), neni 24 “Përgjegjësitë për ushqimet që nuk plotësojnë kërkesat” parashikohet që: “Nëse një OBU vlerëson se një ushqim të cilin ai e ka importuar, prodhuar, përpunuar, shpërndarë apo nxjerrë në treg, nuk është në përputhje me kërkesat e sigurisë ushqimore apo dëmton shëndetin e njerëzve, ai menjëherë fillon procedurat për heqjen e ushqimit në fjalë nga tregu dhe vë në dijeni AKU-në. Më pas, vazhdon me procedurën e asgjësimit, ku marrin pjesë edhe aktorë të tjerë (Drejtoritë Rajonale të Mjedisit dhe Drejtoritë Rajonale Tatimore). Është për t’u theksuar që ligji në fjalë mbron interesat e konsumatorëve dhe siguron bazën për zgjedhjen prej tyre të informacionit të nevojshëm për konsumimin e ushqimeve. Ligji parandalon praktikat falsifikuese ose mashtruese dhe çdo praktikë tjetër që orienton në mënyrë të gabuar konsumatorin.
– Nuk keni asnjë nformacion që ndërrohen etiketat?
– Nuk ka asnjë ankesë të ardhur në drejtim të kësaj problematike.
– Në në shumicën e dyqaneve që shesin mish nuk ka asnjë vulë veterinare, madje edhe këtu në Tiranë. Cili institucion mban përgjegjësi për këtë?
– AKU-ja është autoriteti që kontrollon dhe licencon dyqanet e mishit sipas Ligjit nr 87/2012 i cili përcakton rregullat e tregtimit dhe therjes së mishit. Në rastet kur gjatë inspektimeve të kryera në AKU në dyqanet të cilat tregtojnë mish është konstatuar mish pa vulë dhe i pashoqëruar me raport veterinar, është kryer konfiskimi i mishit si produkt i pasigurtë, si dhe janë marrë masa për mbylljen e aktivitetit. Në zbatim të aktit normativ për periudhën 13.11.2013-27.02.2014, janë kryer gjithsej 2235 inspektime dhe janë inspektuar 1247 subjekte, nga të cilat 1128 pika tregtimi mishi dhe 119 pika therjeje. Gjatë inspektimit janë konstatuar 390 subjekte që nuk plotësojnë kushtet e aktit normativ dhe nga këto, 273 subjekte nuk janë të regjistruara në QKR. Për sa më sipër, është marrë masa administrative “Ndalim i menjëhershëm i ushtrimit të aktivitetit” për 390 subjekte dhe gjatë kësaj periudhe, janë konfiskuar 980.4 kg mish, 7 mjete pune dhe janë vënë 117 gjoba. Pra, AKU-ja jo vetëm që punon fort për garantimin e sigurisë ushqimore në vend, por në të njëjtën kohë, po lufton informalitetin e ekonomisë. Në të gjitha rastet kur janë evidentuar subjekte që nuk janë të pajisur me QKR, janë informuar me shkresë zyrtare Drejtoritë Rajonale të Tatim-Taksave.
– Po uji i pijshëm i qyteteve, sa i garantuar është që të konsumohet nga banorët?
– Kjo nuk është detyrë funksionale e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Uji i pijshëm që konsumohet nga qytetarët, kontrolli dhe garantimi i sigurisë se tij është detyrë dhe përgjegjësi e Autoritetit Rajonal Shëndetësor, në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë.
– Po uji i ambalazhuar, sa i sigurtë është, në bazë të kontrolleve dhe analizave konkrete?
– Bazuar në kuadrin ligjor dhe rregullativ me të cilin operon AKU-ja, së fundmi, nga Drejtoritë Rajonale të AKU-së është zbatuar një plan i posaçëm tremujor inspektimi për të gjithë operatorët e biznesit ushqimor, importues, përpunues, ambalazhues, tregtues dhe përdorues të ujit mineral natyral dhe ujit mineral natyral me gaz karbonik të shtuar. Objekt i këtyre inspektimeve ka qenë kontrolli i zbatimit të legjislacionit në fuqi nga Operatorët e Biznesit Ushqimor, në të gjithë zinxhirin nga burimi, përpunimi, ambalazhimi, tregtimi dhe importimi i ujit mineral natyral dhe ujit mineral natyral me gaz karbonik të shtuar.
– Çfarë keni zbuluar nga ky kontroll?
– Gjatë kontrolleve të kryera, mostrat e marra dhe analizat e kryera kanë rezultuar brenda normave.
– Po uji që përdoret për prodhim, kontrollohet?
– Po, një vëmendje e veçantë u është kushtuar edhe subjekteve prodhues të produkteve ushqimore (furra buke, prodhim-përpunim qumështi, prodhim-përpunim sallami, etj.), të cilëve u është kërkuar analiza e ujit të rrjetit që përdorin në stabilimentet e tyre, analizë kjo që kryhet në Drejtoritë e Shëndetit Publik në Qarqe.
– Dhe ç’ka dalë nga kjo? Gjithmonë ka qenë i rregullt?
– Nga kontrolli dokumentar (fletë-analiza mikrobiologjike) gjatë procedurave të inspektimit ka rezultuar se uji i rrjetit që përdoret në linjat e prodhimit të subjekteve të sipërcituara ka qenë brenda normave të lejuara të përdorimit.
– Për produktet bujqësore, shtazore dhe peshkun që shitet trotuareve të Tiranës e qyteteve të tjera, a nuk janë të ekspozuar konsumatorët? Mund të jetë justifikim stafeta e përgjegjësisë midis bashkive dhe AKU-së?
– Detyra funksionale e AKU-së është inspektimi i të gjitha subjekteve që prodhojnë, përpunojnë dhe tregtojnë produkte ushqimore me origjinë shtazore dhe joshtazore, duke garantuar ruajtjen e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e konsumatorit, AKU-ja inspekton dhe monitoron në mënyrë të vazhdueshme njësitë tregtare, si dhe restorantet, por AKU-ja gjatë inspektime të kryera ka kryer edhe detyrën e saj për garantimin e sigurisë ushqimore duke bërë të mundur largimin e individëve nga shitja e paligjshme në rrugë apo trotuare. Konsumatori është i ekspozuar ndaj këtyre produkteve që shiten në rrugë, pasi edhe vetë konsumatori duhet të jetë më selektiv në blerjet që bën. Kushtet në të cilat tregtohen këto produkte, jo vetëm që nuk garantojnë siguri për konsumatorin, por mund të kthehen edhe në burim infeksioni. Përsa u përket individëve informalë (tregtarëve në rrugë), kemi bërë një marrëveshje bashkëpunimi ndërinstitucional me Bashkinë e Tiranës për largimin e tyre nga ambientet e hapura publike (rrugë, trotuare, etj).