Morena dyli (5)– Kush është Morena përtej muzikës?
– Unë sapo kam mbaruar studimet për Gjeografi dhe praktikën time mësimore e kam bërë në një nga gjimnazet e Tiranës. Ka qenë një eksperiencë shumë e bukur për mua, jam afeksionuar shumë pas nxënësve dhe ata do të mbeten gjithmonë nxënësit e mi, të parët që më kanë quajtur “zyshë”. Dua të përmend një situatë të lezetshme, kur në një orë mësimi isha duke shpjeguar dhe nxënësit në një moment vendosën muzikë në telefon. Unë, gjithë seriozitet, u thashë ta fiknin, por pastaj kuptova që ishte kënga ime… Filluam të qeshnim të gjithë dhe ata më thanë: “Të zbuluam, zyshe” sepse e kishin të vështirë të bënin lidhjen e imazhit që paraqitej në televizion me atë që unë isha në realitet, ndonëse jam munduar që në çdo dalje timen të mos ndryshoj shumë.
– Për kë bën muzikë, kush të frymëzon dhe kush e dëgjon muzikën tënde?
– Unë jam munduar dhe po mundohem të bëj muzikë që të pëlqehet nga masa, kryesisht, nga mosha e re, edhe pse më vonë nuk i dihet, ndoshta edhe për mosha më të mëdha. Mendoj se muzika e bukur, skenat e mëdha e magjia e tyre, më bëjnë që të vazhdoj të besoj në ëndrrën time… S’e di akoma kush është fans i muzikës sime dhe mendoj se duhet kohë për ta krijuar… Do të ta them kur ta kem një të tillë. (Buzëqesh)
– Pse të shohim kaq rrallë në skenë?
– Fatkeqësisht, disa projekte të miat nuk janë realizuar për arsye të ndryshme…
– Shpesh, themi: “Do të isha e gatshme të vdisja për…”. Për çfarë ose për kë do të ishe e gatshme ti “të vdisje”?
– Do të jepja jetën për prindërit e mi, vetëm për ata. Motrat të mos bëhen xheloze… (Buzëqesh)
– Deri tani të kemi parë vetëm solo. Do të të shohim në ndonjë bashkëpunim në të ardhmen?
– Unë i kam shumë qejf bashkëpunimet dhe mundësinë e parë që do të më dalë, do ta shfrytëzoj.
– Për çfarë mund të bëhet një bashkëpunim? Për kompromis, ndoshta?
– Besoj se kompromisi nuk ka lidhje, sidomos kur lind natyrshëm. Sigurisht, në shumicën e rasteve bëhen për kompromis, për përfitim të ndërsjelltë në shumë aspekte.
– Cila është e veçanta jote në këtë treg të tejmbushur me këngëtare të bukura?
– Ti duhet të thoshe “me këngëtare me zë të bukur” sepse unë përmes zërit, veçantisë së tij, dua të identifikohem.

Më afër me Morenën
– Sipas teje, ekziston lumturia absolute?
– Në mënyrë absolute, mendoj që nuk ekziston! Ma ke bërë këtë pyetje në momentin më të keq, kur po e shoh lumturinë pak të vështirë për ta arritur. Çështje personale!
– Çfarë nuk do të kishe falur kurrë?
– Nuk do t’ia falur kurrë vetes të bëja kompromis me veten për sukses.
– Bën punë shtëpie? Cilën prej tyre nuk di ta bësh fare?
– Unë, prej shumë vitesh jetoj larg familjes dhe, sigurisht që çdo gjë e bëj vetë, vetëm se vazhdoj të çaloj pak te pjesa e gatimit.
– Për çfarë ke nevojë tani?
– Ai që do të më bënte të ndihesha mirë tani është suksesi i këngës që sapo kam prezantuar.
– Cilat gabime nuk i toleron?
– Gënjeshtrat nuk i kam pëlqyer asnjëherë, por jetojmë në një botë ku na duhet t’i tolerojmë edhe këto, për të mbijetuar.
– Çfarë ta kujton fëmijërinë, një ngjarje, një foto, një këngë?
– Të gjitha këto, madje edhe filmat. Ah, çfarë ndjesie është! Sa mirë do të ishte të isha edhe një herë fëmijë! Kur je i vogël, mezi pret të rritesh dhe më pas kupton që ajo është mosha më e bukur, më e pafajshme.
– Më shumë rëndësi ka nga vijmë apo ku shkojmë në jetë?
– Çdo destinacion e ka një start. Për të shkuar diku, duhet të nisemi nga diku.
– Kujt ke patur dëshirë t’i ngjash kur ke qenë e vogël?
– Nuk më kujtohet kujt, ose më saktë, nuk kam patur dikë si i cili kam dashur të jem, përveç faktit që gjithmonë kam dashur t’i kem sytë jeshilë si të mamit… Ende shpresoj të më ndryshojë ngjyra! (Qesh)
– Defekti yt kryesor…
– Kam shumë; nuk po i them më mirë.
– Sa ka qenë koha më e gjatë që ke qëndruar pa telefon?
– Nuk kam ndenjur asnjëherë pa telefon, që në momentin e parë që e kam marrë. Më mirë pa shumë gjëra të tjera, sesa pa telefon. Nuk do të mund të bëja asgjë pa të.

Morena dhe paraja
– Kur i ke fituar paratë e para dhe, për çfarë i ke shpenzuar ato?
– I kam fituar kur kam qenë 16 vjeçe, në një koncert në Berat. Mbaj mend që një pjesë ia kam dhënë mamit dhe, me pjesën tjetër, kam blerë diçka për vete.
– Kur ishe fëmijë, ke marrë diçka në dyqan pa e paguar? Nëse po, çfarë ke marrë?
– Jo, nuk kam marrë sepse dikur familja ime ka patur një dyqan dhe nuk më është dashur t’i marr fshehurazi diku tjetër… Këtë e bëja në dyqanin tim, fshehurazi mamit. (Qesh)
– Je e pavarur financiarisht nga familja?
– Sigurisht që po!
– Sa është shuma e parave që ke në gjendje në këtë moment?
– S’më pëlqen t’i bëj publike këto gjëra sepse mendoj se janë shumë personale.
– Ka patur rast kur ke mbetur pa asnjë lek në xhep?
– Po, dhe më ka shërbyer për të vlerësuar paranë e vështirësinë për ta fituar atë.
– A jep para kur të afrohen ata që kanë nevojë?
– Dikur kam dhënë më shumë, ndërsa tani, më pak. S’e di, ndoshta ngaqë i ndesh çdo ditë, në çdo vend dhe nuk mund ta bëj këtë gjithmonë.
– Po borxhe, miqve?
– Po, e kam bërë gjithmonë dhe do ta bëj kur të kem mundësi.
– Do të ishte më keq të humbisje paratë apo kohën?
– Me kohën mund ta fitosh paranë, ndërsa me paranë, e shpenzon kohën si do të doje, por kurrsesi nuk mund ta kthesh më mbrapa.
– Çfarë këshillash të kanë dhënë prindërit në lidhje me paranë?
– Eh, këshillat kanë qenë në mënyrë indirekte… Duke parë se sa punojnë ata, kuptoj që pa punë nuk mund të kesh para dhe pa një menaxhim të mirë, ato para nuk do të zgjasin për shumë kohë.
– E bën paraja lumturinë apo lumturia paranë?
– Kjo është një pyetje që bëhet shpesh dhe, të tregohem e sinqertë, sigurisht që paraja të bën të lumtur, por ajo nuk është arsyeja kryesore për lumturinë. Si mund të jetë i lumtur dikush që nuk mund të sigurojë nevojat bazë, për të mos folur edhe për dëshirat që mund të ketë njeriu?!
– Si do të ishte jeta pa paranë?
– Si jeta e shumicës së shqiptarëve!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *