Flokë me thinja
– Kam parë në ëndërr flokët e mia me thinja. Dua të di kuptimin e kësaj ëndrre. Faleminderit.
– Flokët në ëndrra kanë shumë kuptime, ndaj do t’ju jap një shpjegim më të gjerë për to. Në qoftë se një grua shikon se po kreh flokët dhe ata janë të bukur, ajo do të jetë e pakujdesshme në çështjet e saj personale. Nëse e shikoni veten me flokë të verdha, do të njiheni me një person që do të jetë xheloz ndaj jush. Flokët kafe në ëndërr tregojnë një problem në jetën profesionale. Nëse shikoni flokë të ngatërruar, do të thotë që i keni pak të ngatërruara punët tuaja si në jetën familjare, ashtu edhe në atë sociale. Ndërsa flokët me thinja tregojnë që ju mendoheni shumë dhe shqetësoheni për çdo gjë që ndodh, qoftë ajo edhe një gjë shumë e vogël. Duhet të keni kujdes, sepse flokët e tillë paralajmërojnë edhe shqetësime shëndetësore, për shkak të shqetësimit të madh që ju e përjetoni më shumë seç duhet. Humbja e flokëve tregon një siklet që do të kaloni, në periudhën që do të shikoni një ëndërr të tillë.
Më puthi
– Kam parë në ëndërr një person që dua, por në të vërtetë, ai nuk e di që e dua. Në ëndërr, më pa që po e ndiqja, u ndal dhe më puthi fort. Çfarë parashikon kjo ëndërr?
– Kjo ëndërr parashikon thjesht dëshirën tuaj për të qenë me këtë person. Nuk parashikon ndonjë ngjarje në veçanti, thjesht ëndrra paraqet ndjenjat reale që keni për këtë person. Duke qenë se e dëshironi kaq shumë, urojmë që ëndrra juaj të bëhet realitet.
Shoku i klasës
– Në ëndërr pashë shokun e klasës që e kam patur fiksim, sikur ishim në rrugë, unë isha me ca shoqe, kurse ai, vetëm. Ai më kapte dorën dhe më thoshte: “Mos ik, mos ik, rri me mua. Unë s’do të iki në Greqi, vetëm për ty”, kurse unë ika dhe e lashë mbrapa atë. Theksoj që në ëndërr isha shumë e gëzuar. Pastaj, ai më tha: “A do të lidhemi bashkë?”. Unë i thashë: “Po ti, do të ikësh!”. “5 muaj më ke këtu”, tha dhe unë e përqafova.
– Ëndrra të tilla me fiksime vijnë për shkak të fiksimeve në jetën reale. Ju keni ushqyer për një kohë të gjatë ndjenja për të, ndaj është e pashmangshme të shohësh ëndrra të tilla. Shpesh, në ëndërr, shohim të na realizohen ato dëshisha që nuk realizohen në realitet. Gjithsesi ëndrra juaj, përveç kësaj, tregon që në të ardhmen do të takoheni me të dhe do të jetë një takim miqësor, apo edhe rastësor. Një lloj tërheqjeje do të ndodhë mes jush, vetëm se ju duhet të jeni vëmendshme, ndryshe nuk do ta kuptoni. Ju urojmë fat!
Tri unazat
– Para disa ditësh, pashë në ëndërr sikur më jepte mami varësen e saj të floririt, por në momentin që e hoqi ajo, u këput. Varësja kishte qenë edhe një herë më parë e këputur dhe ajo e kishte lidhur me fill të bardhë. Unë pastaj mora fillin e bardhë dhe ia dhashë kushëririt që ta lidhte. Pas dy ditësh, pashë në ëndërr sikur ndodhesha te klasa dhe kisha tri unaza në gisht, nga gishti i mesit, deri te gishti i vogël. Unazat nuk ishin të sakta, njëra ishte si e ndryshkur, tjetrës i kish rënë guri, ndërsa tjetrën, s’e mbaj mend…
– Së pari, varësja e mamasë tuaj që e ka hequr dhe është këputur, flet për një çështje familjare në të cilën jeni përfshirë të gjithë, por veçanërisht mamaja. Ajo e ka hequr më shumë sikletin dhe, sado që është përpjekur ta rregullojë, çështja përsëri ngelet në fije të perit, pra, është pezull. Megjithatë, një ndërhyrje, qoftë edhe këshillë një familjar, do të bëjë që të rregullohet e gjitha. Në rastin tuaj, që keni parë tri unaza, ëndrra tregon që do të keni tri raste që mund të jenë njohje personale ose prezantime, ama nuk janë të sakta për ju. Te secila prej tyre, do të shikoni ndonjë të metë, gjë që do t’ju bëjë të mos merrni vendime për to, sepse do ta shikoni që ka diçka që nuk shkon. Atë të fundit që s’e mbani mend, do ta shikoni më me hollësi dhe do të jeni po ju që do të vendosni se çfarë do të bëni. Gjithë të mirat!