MELCIAMëlçia është organi më voluminoz i trupit tonë. Ajo ndodhet nën kafazin e kraharorit, pas brinjëve të fundit dhe para, djathtas në bark. Ajo peshon normalisht 1.5 kilogramë te një i rritur. Mund të prekësh me dorë anën e saj të poshtme nën brinjë. Kur mëlçia zmadhohet në volum, bëhet fjalë për hepatomegali. Ciroza, e cila shkaktohet shpesh nga teprimi me alkool, shkakton një zmadhim të mëlçisë, e cila mund të shkojë deri në 10 kilogramë…

Funksioni i mëlçisë
Në mëlçi shkon drejtpërdrejt një sasi e madhe e gjakut, që vjen nga aparati tretës. Ky gjak transporton substancat elementare të dala nga tretja, si edhe acidet aminike, yndyrore, kolesterolin, glukozën… Mëlçia ka për detyrë t’i transformojë këto substanca në më të ndërlikuara: Proteina, glikogjen, kolesterol, të cilat marrin pjesë në ekuilibrin metabolik dhe energjetik të organizmit. Ajo përmban gjithashtu qeliza të caktuara për të mbrojtur organizmin nga infeksionet mikrobiale.
Mëlçia shërben gjithashtu për mbajtjen e glicemisë (nivelit të sheqerit në gjak).
Pikërisht në mëlçi dhe në muskuj, glukoza e dalë nga tretja e glucideve që ndodhen në ushqim, transformohet në glikogjen, rezervë energjetike. Ndërmjet vakteve, mëlçia lëshon glukozën pak nga pak, sipas nevojave energjetike të organizmit. Ky funksion bën të mundur të ruhet një nivel sheqeri në gjak (glicemi) konstant. Një pacient i prekur nga një insufiçencë hepatike akute mund të paraqesë hipoglicemi (mungesë sheqeri).

Organ i domosdoshëm për organizmin
Mëlçia sintetizon shumë proteina, si albuminën ose ato që shërbejnë për koagulimin. Ndryshimi i këtij funksioni shkakton probleme me koagulimin, si edhe një pakësim të nivelit të proteinave në gjak. Acidet yndyrore që vijnë nga tretja, transformohen në molekula yndyrore më komplekse që ruhen në adipocitet (qelizat dhjamore). Ajo sintetizon kolesterolin, molekulë e domosdoshme që merr pjesë në sekretimin e hormoneve dhe që hyn në strukturën e membranave të qelizave.

Mëlçia riciklon mbeturinat
Mëlçia, gjithashtu, është e ngarkuar për riciklimin e mbeturinave të dala nga puna e qelizave të organizmit, si edhe produktet helmuese, mikrobet, ilaçet… Ajo i përzgjedh, transformon dhe eliminon mbeturinat. Mëlçia metabolizon drogat, përfshi këtu edhe alkoolin dhe i transformon substancat e dëmshme në produkte inaktive, për sa kohë funksionon si duhet. Kur ajo nuk funksionon mirë, është e nevojshme të bëhet kujdes ndaj ilaçeve që metabolizohen dhe eliminohen nga mëlçia, sepse mund të ndodhë një mbidozim i tyre.

Funksioni hepato-biliar
Metabolizimi i qelizave të mëlçisë shkakton mbeturina: Proteinike, sheqerore, yndyrore (Ureja, për shembull, është një produkt i zbërthimit të acideve aminike) dhe këto mbeturina, marrin pjesë në formimin e vrerit. Ky lëng përmban kolesterol, si edhe bilirubinë, një pigment që del nga shkatërrimi i rruazave të kuqe dhe që i jep një ngjyrë të verdhë në portokalli.
Vreri më pas evakuohet nga kanalet e mëlçisë, të pranishëm në indet e mëlçisë e pastaj arrin në tëmth, ku ruhet ndërmjet vakteve. Tëmthi është i lidhur me duodenin (që përfaqëson pjesën e sipërme të zorrëve të trasha) me kanalin e koledokut. Kripërat që ndodhen në vrer, emulsionojnë yndyrnat dhe lehtësojnë tretjen e tyre. Bilirubina merr një ngjyrë kafe kur kalon në aparatin tretës, gjë që shpjegon edhe ngjyrën e jashtëqitjes. Ndodh ngadonjëherë që kanalet që sekretojnë vrerin bllokohen, atëherë ajo që nuk nxirret në këtë lëng, kthehet në gjak. Për shembull, bilirubina grumbullohet në qarkullimin e gjakut dhe është përgjegjëse për zverdhjen e lëkurës. Kur ajo nuk kalon në aparatin tretës, atëhere jashtëqitja del e bardhë. Kur qelizat e mëlçisë nuk janë të afta vetë të eliminojnë bilirubinën, japin zverdhje dhe jashtëqitje të çngjyrosur. Kjo ndodh në rastin e një insufiçience hepatike, për shkak të një ciroze, apo hepatiti.

Mbani mend
Mëlçia është një organ i domosdoshëm për njeriun. Ajo bën të mundur transformimin e molekulave të dala nga tretja, në molekula më të ndërlikuara, të nevojshme për funksionimin e qelizave dhe ekuilibrin e organizmit. Ajo i eliminon mbeturinat nëpërmjet vrerit, i cili derdhet në aparatin tretës dhe lehtëson tretjen dhe emulsionin e yndyrnave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *