Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Për çfarë përdoret hipnoza?

– I nderuar profesor Demiri. Më ka thënë një student nga Korça se është shëruar me hipnozë, duke e vënë në gjumë dhe ai ka parë fëmijërinë e tij si në një film. Pastaj është zgjuar duke qarë, krejt i çliruar. Një tjetër më ka thënë se ka qenë te ju për të lënë duhanin se kishte arritur të pinte deri në 3-4 paketa në ditë dhe, me anë të hipnozës, e keni ndihmuar të linte. Jam shumë kureshtar të di se si dhe, për çfarë përdoret hipnoza? Ju lutem ma shpjegoni. Eranda LB.

Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: – E nderuar letërshkruese, unë e kam përdorur hipnozën në mjaft raste me shumë sukses: Atë lloj hipnoze e cila quhet hipnoterapi, pasi shumica e njerëzve që kanë nevojë për psikoterapi e psikoanalizë, reagojnë edhe ndaj hipnozës. Rreth katër të pestat e këtyre klientëve janë të aftë të hyjnë në gjendje “trance” të nivelit mesatar, kurse një e pesta e tyre, futen edhe më thellë. Fjala “trance” vjen nga anglishtja dhe do të thotë: Gjendje psikofiziologjike e ngjashme me hipnozën, por e vetëstimuluar, në të cilën hyjnë persona ndërmjetës, pra, tip mediumi. Ajo ka efekt më të madh tek ata persona që kanë dhunti ose një ndjeshmëri të pazakontë… Kur personi hyn në gjendje “trance”, pulsi dhe frymëmarrja ngadalësohen, ai pëson një lloj “anestezie” dhe ka shtim të lëngjeve në trup. Këto efekte që sjell hipnoza, u atribuohen më shumë disa ndryshimeve biokimike që është në gjendje të prodhojë kjo lloj terapie. Me pak fjalë, në organizëm prodhohen ato lloj substancash të cilat kanë mjaft efekte shëruese ndaj dhimbjeve fizike e psikologjike. Hipnozën e përdorim edhe për të kujtuar gjëra të rëndësishme që janë mbuluar nga pluhuri i harresës. Dihet se vërtet koha i shëron “plagët”, por ajo mbulon edhe me pluhurin e harresës. Ime shoqe është dëshmitare se si e kam bërë të flasë një djalë që i kishte ikur e folura prej vitesh aq sa gratë aty pas deres shpërthyen me ulërima gëzimi drithëruese kur dëgjuan se djali i tyre adoleshent filloi të fliste pas disa vitesh “bllokimi” për shkaqe nervore, si rezultat i një traume të rëndë të harruar. Po ashtu, një grua e vjetër, me anë të hipnozës, më në fund u kujtua e na tregoi se ku e kishte fshehur një tapi të kohës së Zogut, (brenda tubit të një krevati prej hekuri), por që e kishte harruar dhe po të mos gjendej ajo tapi, si i vetmi dokument, do të humbiste një pronë shumë të çmuar. Me anë të hipnozës, për shembull, u zbulua se përse një vajze i shfaqej si “hije” një grua me sy të bukur që e donte shumë dhe doli se ajo kishte qenë nëna e vet biologjike. Kështu, ajo kuptoi edhe arsyen se pse nuk e donte njerkën, të cilën ia kishin paraqitur si nënë biologjike. E rëndësishme në këtë rast është se u kuptua se nuk kishim të bënim me skizofreni (haluçinacione pamore), por me një ngjarje të vërtetë të regjistruar e më pas harruar, nga truri i vajzës.

– Pas këtij “zbulimi” të rëndësishëm, vetë psikiatrët ia hoqen asaj ilaçet që i kishin dhënë, duke e quajtur si të sëmurë psikike. Me anë të hipnozës, kam hequr homofobitë e krijuara nga ngjarjet apo lojërat seksuale të fëmijërisë. Dikur, kur kanë luajtur si të “pafajshëm”, ata janë rrahuar apo turpëruar nga të rriturit, gjë që u ka shkaktuar atyre trauma të rënda, porse të mbuluara nga pluhuri i harresës. I kam hequr një djali me hipnozë impotencën psikologjike dhe frikën nga seksi. Po ashtu, edhe urrejtjen e pakuptimtë ndaj babait, kur zbulova se në foshnjeri ai kishte parë prindërit duke bërë seks dhe donte të “bënte” me mamin siç kishte parë babain, ndërsa i ati e kishte kërcënuar me prerje të organit!

Advertisement

Hipnoza përdoret edhe në trajtimin e depresionit si terapi mbështetëse dhe ndihmëse. Çdo seancë hipnoze përmirëson tonin e humorit dhe jep gjithashtu ndjesi të bukura qetësie dhe energjie. Efekt të bukur krijon hipnoza edhe ndaj shqetësimeve të gjumit që shpesh sjellin gjendje depresive. Nëse depresioni mund të fshihet pas euforisë, atëhere hipnoza bën që i sëmuri jo vetëm të ndërgjegjësohet, por kjo edhe e mundëson pacientin që ta nxjerrë tërë melankolinë e tij dhe në këto raste, pas një lloj përkeqësimi fare të përkohshëm, nis edhe një lloj ndërgjegjësimi i ri. Njerëzit me ankth, shpeshherë qajnë gjatë hipnozës kur e gjejnë “ngjarjen” apo kujtimin tronditës të cilët janë si të magazinuar në kujtesë dhe si një kockë e patretur në stomak. Kjo i bën ata që të vuajnë makthe, mendime obsesive, forma depresive si dhe kurthe paniku. Kush ka pësuar një traumë, rrallë i kujton me ndërgjegje të plotë ato që kanë ndodhur, porse i përjeton të gjitha ndjesitë pa e kuptuar se pse… Këta njerëz ne i çlirojmë nga kjo lloj “magjie” e keqe nëpërmjet hipnoterapisë ose një lloj psikoterapie që quhet EMDR. Që në fillim, i bëhen të qarta klientit këto forma dhe unë i përdor ato në prani të një personi të tretë, familjar i pacientit ose asistentit tim, por gjithmonë me pëlqimin e klientit, ndonëse efektet e tyre negative janë zero.

Shpeshherë, elementë të hipnoterapisë i përdor si me lezet, edhe gjatë luajtjes së roleve, kur klienti fillon të qajë ose e zë gjumi duke parë si në pasqyrë të gjitha vuajtjet e tij ose duke i ripërjetuar ato, njëlloj si një lloj “ripërtypjeje” të gjërave të ndodhura dikur. Hipnoterapia përdoret me sukses dhe ndaj varësive si ndaj drogave, bixhozit, duhanit, etj. Se si e bëj me klientin që ta lërë duhanin me anë të hipnozës, gjejeni dhe lexojeni një libër në shqip me titull: “Si të lësh duhanin brenda një ore?” të Suzan Hepbërn botimet “Max” viti 2005, dhe lexoni faqet 69-80 me titull: “Hipnoza: Pyetje që hasen shpesh…” Shumë të rinj më kërkojnë t’ua mësoj teknikat e hipnozës, porse ajo kërkon ca aftësi të veçanta të cilat shumë rrallë i gjen edhe te studentët e mi më të mirë. Sidoqoftë, bashkë me dijet, intelektin, edhe këto aftësi janë si “caktimi” i Zotit, që lum kujt i jepen dhe që duhen përdorur vetëm për qëllime të mira…

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Shpjegimi i endrrave tuaja...

Next Post

Turguti gjendet nga policia

Advertisement