Patëllxhani i egër, nga i cili e kanë prejardhjen të gjitha llojet e kësaj kulture bujqësore, rritet ende në Indi dhe në Birmani, ndërsa një lloj tjetër, paksa më i vogël është i përhapur edhe në Kinë. Kjo kulturë ka filluar të kultivohet në këto vende që në lashtësi dhe prej andej, është përhapur tanimë në të gjithë Botën.Ka shumë të ngjarë që evropjanët e parë, të cilët e kanë provuar patëllxhanin në ushqim dhe ndofta e kanë marrë me vete për ta mbjellë në kopshtet e tyre, kanë qënë ushtarët e Aleksandrit të Madh të Maqedonisë gjatë fushatave të tyre në Indi dhe në Persi, në vitet 331-325 para erës sonë. Por ajo që dihet me saktësi është se në kuzhinat evropiane patëllxhani filloi të gatuhej vetëm pas pushtimit të Spanjës dhe vendeve të tjera evropiane nga ushtarët e Islamit në vitin 711 në Spanjë, pastaj në vitin 827 edhe në Sicili. Ata shkëmbenin me kënaqësi me vëndësit përvojën e jetës, duke përfshirë këtu kopshtarinë dhe gatimin e perimeve të ndryshme, mes tyre edhe patëllxhanin, të cilin ata kishin filluar ta kultivonin dhe ta gatuanin me kohë. Mirëpo kjo kulturë bujqësore, në disa vise, ku përbërja e tokës nuk i përshtatet, hidhërohej shumë dhe shpesh herë, ata që e përdornin atë në ushqim helmoheshin… Kjo e pengoi shumë përhapjen e patëllxhanit në Evropë. U deshën dekada që kjo bimë ekzotike të tregonte vlerat e saj dhe të zinte vendin e vet të merituar në tavolinat e evropianëve.
Shumë legjenda dhe histori u përhapën në Evropë në lidhje me patëllxhanin. Në shekullin e XVI atë e quanin “Mollë e çmendurisë”, ose “Mollë e dashurisë” duke I dhënë kësaj kulture atribute afrodiziatike. Njerëzit kujtonin se përdorimi i tij në ushqim të luan mendsh, ose të shton pasionet dashurore. Sidoqoftë, në kuzhinat evropiane, deri andej nga fillimi i shekullit të XIX-të patëllxhani nuk u përdor si perim …
Në vendin tonë, duke qënë pjesë e perandorisë Osmane, kultura e patëllxhanit ka ardhur shpejt, nga Turqia dhe Persia, ku kanë qënë shumë të përhapura gjellët me patëllxhanë, sidomos, “imam-bajalldia”. Ai filloi të përhapej në fillim në Jug, pastaj, andej nga shekulli i XVII-të edhe në Veri.
Fryti i patëllxhanit ka forma të ndryshme dhe sipas këtyre formave mund të gjykosh edhe për prejardhjen e tij. Patëllxhanët që i ngjajnë në formë vezës së pulës, apo dardhës, e kanë prejardhjen nga India, ndërsa ata që i ngjajnë në formë trangullit kanë prejardhje kineze. Tanimë në tregjet e botës gjen patëllxhanë edhe me forma të tjera, si bie fjala, patëllxhanë ovalë, apo edhe të rrumbullaktë, si kunguj, ashtu sikurse gjen edhe në forma të vogla si kokrat e rrushit… Përsa i përket ngjyrës, patëllxhanët e mirëfilltë kanë ngjyrë violetë të errët, por ka edhe variente me vija, të bardhë, madje edhe ngjyrë trandafili ose jargavani…
Më shumë preferohen për gatim patëllxhanët e njomë, të pabërë, të cilët nuk kanë ende fara, janë cipë-hollë dhe nuk janë të hidhur. Mund të përdoren për ushqim edhe patëllxhanë “më të moshuar” , por fillimisht ata duhen lënë në ujë me kripë për dy-tre ore rresht, që t’u dalë hidhërimi, pastaj të shplahen mirë. Patëllxhanët e papjekur nuk përdoren për gjellë sepse ata kanë substanca të dëmshme.
Patëllxhanët janë një perim shumë i vlefshëm, që përmbajnë një varg kriprash minerale të dobishme, sidomos kalium, që ndikon në mirëmbajtjen e enëve të gjakut dhe të zemrës. Po kështu, patëllxhani përmban vitaminën A, vitamina të grupit B, C, P, dhe një varg substancash të tjera biologjike aktive, që ruajnë dhe forcojnë muskujt e zemrës, enët e gjakut dhe veshkat. Ky perim përmban acide të ndryshme organike që stimulojnë sekretimin e lëngjeve gastrite dhe ndihmojnë në jashtëqitje. Patëllxhani ndihmon në ruajtjen e eneve të gjakut nga sklerozimi. Ky perim nuk ka shumë kalori dhe mund të përdoret nga njerëzit që kanë tendencë të shtojnë në peshë, ose kanë prirje për t’u sëmurur nga diabeti i sheqerit…
Sot për ju po japim recetën e gjellës më të fmshme me patëllxhanë: Bajalldisja e imamit ose imamballajdi.
Për këtë duhen:
2 patëllxhane mesatarë. 2 kokrra qepë të thata, mundësisht të kuqe, 2 speca të ëmbël, një domate e madhe, 2 thëlpinj hudhre të mëdhenj, ose 3-4 të vegjël, një tufë majdanoz, një lugë çaji dhjozëm (nenexhik) , një tufë të vogël borzilok, lëngë domatesh, një gjysëm gote uji me vaj ulliri.
Mënyra e gatimit:
Presim patëllxhanët e rinj dhe të freskët në copa të rrumbullakta një centimetër të gjera, i kripim dhe i lëmë në kripë për 30 minuta. Pas kësaj i shtrydhim dhe u nxjerrim lëngun e hidhur, i thajmë duke i fshirë me peceta letre, i futim në vaj ulliri, i vendosim në tavë dhe i futim në një furrë të nxehtë deri në 200 gradë. I lëmë në zjarr deri sa të vënë një korre bojë kafe të hapur…
Ndërkaq presim qepën, po ashtu në copa të rrumbullakta dhe hudhrën. I skuqim lehtas në vaj ulliri, duhe hedhur në fund domaten e grirë, majdanozin dhe erëzat e tjera. E mbajmë në zjarr disa minuta, pastaj të gjitha i hedhim mbi patëllxhanet dhe i futim përsëri në furrë, po tanimë me nje temperature më të ulët, 180 gradë.
Kjo gjellë serviret e ftohtë.
Advertisement