– Jam një paciente që jam vizituar te ju dhe kam marrë mjekimin e duhur, por për arsye përtese (se kam edhe njëfarë moshe) e kam rritur vetë dozën e kokrrave që më keni dhënë. Unë kam hipertireozë. Tani, kam vënë re që kam enjtje të gushës dhe probleme me frymëmarrjen. S’e kuptoj nga e kam dhe nuk di si të veproj. Mos vallë kam bërë gabim? A mund ta kontrollojmë vetë situatën tonë ne, të sëmurët me tiroide?
Dr. Dashamir Gjergji endokrinolog-diabetolog: – E nderuar zonjë! Ndihem të paktën dy herë i obliguar t’ju vij në ndihmë për zgjidhjen e problemit tuaj, së pari, si letërshkruese e rubrikës së mjekut në redaksinë tonë dhe së dyti, si një ish-pacientja ime. Ju e deklaroni saktë diangozën tuaj kur bëhet fjalë për Hypertireozë. Të gjithë ata që nuk e kanë të lehtë kuptimin e termit, i sqaroj që kjo sëmundje njihet si teprica e jodit apo mbifunksion i gjendrrës tiroide. Të jem i sinqertë, një pjesë të përgjigjes suaj e keni thënë vetë nga fundi i prezantimit të shqetësimit tuaj, kur pyesni nëse keni bërë gabim. Këtu nuk duhet të shtrohet pyetja “Mos vallë kam gabuar?”. Jini totalisht e sigurtë që mënyra se si ju keni vepruar nuk është aspak normale e aq më tepër, e shëndetshme dhe profesionale, duke e marrë veprimin tuaj të gabuar në aspektin e mosndjekjes së problemit e aq më tepër, në modifikimin e dozave. Më vjen keq të them, por realisht, ky është kthyer në një fenomen të rëndomtë në shoqërinë tonë, mjafton të përmendim faktin që mijëra të sëmurë shkojnë dhe marrin barna pa recetë nëpër farmaci kudo që janë, herë me këshillën e ndonjë të afërmi e herë me këshillën e farmacistit, por asnjëherë të drejtuar normalisht te mjeku i familjes dhe ai specialist, që mbulon problematikën.
– Zonjë, nuk është problem nëse vini te ne apo nuk paraqiteni rregullisht. Problemi shtrohet a mundet një njeri i painformuar në disiplinat mjekësore të marrë përsipër të vetëmjekohet e aq më keq, të japë edhe këshilla dhe sugjerime për të tjerët. Rrëfimi se keni përtuar dhe i keni bërë vetë këto punë, lidhet edhe me shqetësimin që ju thoni: Enjtje e gushës dhe problemi i frymëmarrjes. E kam shumë të vështirë të diferencoj nëse këto shqetësime janë në kuadrin e sëmundjes bazë apo problematika të krijuara nga gama e barnave që po merrni sepse jo rrallë, ndodh që i sëmuri me ndryshime të funksionit të tiroides, të kalojë nga mbiprodhim, në nënprodhim të saj dhe anasjelltas. Ky fenomen mund t’ju ndodhë edhe duke qenë nën mbikqyrjen e rregullt të mjekëve, por të jeni e bindur që mjeku, me të vërejtur shenjat e para të këtij fenomeni, do të bëjë ndryshimet e duhura përsa i përket terapisë, në mënyrë që tiroidja të rikthehet në funksionin normal. Së fundmi, ju them që duhet të ndryshoni qëndrimin tuaj rreth këtij problemi, që do të thotë se duhet të jeni më të përgjegjshëm me fatin e jetës suaj, sepse nuk mund të luani një lojë kungulleshkash, ku vetë të jeni edhe mjeku, edhe pacienti. Duke ju uruar vetëm të mira, shpresoj t’ju kemi ndihmuar dhe sqaruar sadopak rreth shqetësimeve tuaja.