– Përshëndetje Doktor Dashamiri! Jam Liria 65 vjeçe dhe kam një problem me gjendrrën tiroide të cilën e kam operuar para 26 vjetësh. Më kanë thënë që më kanë hequr gjysmën e tiroides dhe gjatë gjithë kësaj kohe nuk kam marrë mjekim, por tani jam shumë e shqetësuar sepse më duket sikur më është kthyer sëmundja e dikurshme. Prandaj, ju lutem, më thoni çfarë duhet të bëj? Duhet të operohem sërish apo të marr mjekim?
Dr. Dashamir Gjergji endokrinolog-diabetolog: – E nderuar zonja Liri! Ju falënderoj për pyetjen tuaj interesante si dhe për besimin që keni te ne për përshkrimin e shqetësimit tuaj. Koha në të cilën ju jeni operuar për gjendrën tiroide është mjaft e gjatë dhe na e bën pak të vështirë supozimin analitik se cili ka qenë problemi juaj i vërtetë në atë kohë apo se çfarë sëmundjeje tiroideje keni patur. Fakti që kolegët kanë vendosur t’ju operojnë, do të thotë se problemi apo sëmundja e asaj kohe do ketë qenë shumë serioze. Me shumë gjasa do keni patur zmadhim të gjendrrës tiroide, mbase jo uniforme të saj, por me kokrra ose procese tumorale. Më tërhoqi vëmendjen një pikë shumë interesante e pyetjes suaj e cila ka të bëjë me faktin që gjatë gjithë kësaj kohe ju nuk keni qenë me mjekime. Kam përshtypjen që rrëfimit tuaj i mungon një pjesë shumë e rëndësishme për një mjek, e cila konkretisht lidhet me shqetësimin se sa pjesë të tiroides ju kanë operuar, kanë hequr vetëm masën tumorale, kanë hequr gjysmën e tiroides apo komplet tiroiden tuaj. Meqenëse ju më sqaroni se gjatë gjithë kësaj kohe keni qenë pa mjekim, kjo më nxit të mendoj se kemi të bëjmë me një heqje të pjesshme të gjendrrës tiroide, por sido që të ketë qenë tipi i ndërhyrjes kirurgjikale, e mira do të ishte që ju të merrnit mjekim zëvendësues për të.
– Në konceptin klinik dhe profesional, mjekimi zëvendësues konsiderohet si tip mjekimi që jepet për të kompensuar funksionin e humbur të gjendrrës tiroide pas heqjes së saj dhe ky tip mjekimi mund të jetë i plotë, pra, kur është hequr gjithë gjendrra tiroide ose i pjesshëm, kur është hequr vetëm një pjesë e kësaj gjendrre. Si rregull, mjekimi me barna zëvendësuese zgjat gjithë jetën, por gjatë gjithë kohës duhet mbajtur nën kontroll të vazhdueshëm me analiza hormonale, në mënyrë që ky mjekim që ju po merrni të zëvendësojë realisht humbjen funksionale të tiroides që përjetohet pas operacionit dhe asnjëherë sasia e hormoneve e marrë nga jashtë në formë bari nuk duhet të jetë më pak apo më shumë sesa ishin defiçitet reale. Në të dyja rastet, marrja me tepricë e barit bën që organizmi juaj të vuajë shenjat e tepricës së jodit, por edhe kur merret me pakicë dhe nuk kompensohet siç duhet pjesa e humbur nga kirurgjia, organizmi vuan shenjat e pakicës së jodit. Për pasojë, kemi rishfaqje të zmadhimit të gjendrrës tiroide dhe, pse jo, edhe të kokrrave apo lythave si procese tumorale (fryrje të tiroides). E bëra gjithë këtë shpjegim për të treguar se sa e rëndësishme është mbajtja e funksionit normal të gjendrrës tiroide, si kur është e paoperuar, ashtu edhe në rastet pas operacionit. Ky fenomen evokon më së miri rëndësinë që ka gjendrra tiroide për ruajtjen e proceseve normale në organizëm. Si përfundim, ju them që është momenti të rivlerësoheni edhe një herë, për të kuptuar çfarë ka ngjarë me shëndetin tuaj dhe konkretisht, me gjendrrën tiroide, pas shumë vitesh. Të gjitha shqetësimet që ngrini në pyetjen tuaj kanë probabilitetin e tyre të ngjarjes që të merren si të vërteta, por është kompetencë e mjekut specialist për të përcaktuar se si qëndron realiteti juaj shëndetësor dhe cili duhet të jetë hapi tjetër në këtë drejtim. Pres të më shkruani sërish. Të shkuara!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *