– Përshëndetje avokat! Unë që po ju shkruaj jam Betimi nga Prishtina. Në Kosovë kam një kompani e cila merret me prodhimin dhe shitjen e produkteve të brumërave si: Bukë, simite, byrek etj. Kam shumë dëshirë që specialitetin që ofrojmë në Prishtinë, ta ofroj edhe për konsumatorët e Tiranës. Duke qenë se unë jam me pasaportë kosovare, çfarë dokumentacioni duhet të plotësoj për të hapur këtë biznes në Republikën e Shqipërisë?
Av. Drn. Alban Duraj, “Duraj Lavv Firm”, email: info@durajlaë.com, cel. 0692737706 & ++35544532512: – Përshëndetje, i nderuar Betim! Ju falënderoj shumë për nismën që keni ndërmarrë për të hapur kompaninë tuaj në Tiranë! Tashmë, Shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë, pas shumë vitesh të ndarë dhe vuajtjesh, kanë mundësi që eksperiencat e tyre t’i ndajnë me njëri-tjetrin. Shqiptarët e Kosovës i kanë të gjitha të drejtat për të hapur biznes në Republikën e Shqipërisë. Regjistrimi i biznesit bëhet në Qendrën Kombëtare të Regjistrimeve, e cila është zyra që ofron këtë shërbim. Unë do t’ju këshilloja që shoqërinë tregtare ta themelonit si Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar, pasi ky është një biznes i cili mund të përhapet në pika të tjera dhe procedurat tatimore janë më lehtësuese e më të thjeshta për llojin e shërbimit që do të ofroni.
– Përpara se të shkosh në këtë zyrë për të bërë regjistrimin, duhet të plotësosh të dhënat e detyrueshme për regjistrimin e shoqërive tregtare, që parashikohen në nenin 32 të ligjit Nr. 9723/2007, të cilat janë si më poshtë:
1. Akt Themelimi dhe Statuti i Shoqërisë Tregtare e cila përmban: Emrin, formën, datën e themelimit, selinë, objektin, kohëzgjatja, në qoftë se është e përcaktuar, të dhënat e identifikimit të personave përgjegjës për administrimin dhe përfaqësimin e shoqërisë në marrëdhënie me të tretët, kompetencat e përfaqësimit, si dhe afatet e emërimit të tyre, specifikimet e nënshkrimit (firmave) të personave, që përfaqësojnë shoqërinë përpara të tretëve.
2. Pas tre ditësh nga aplikimi, do të tërheqësh numrin e niptit dhe ekstrakt të thjeshtë. Së bashku më këto dokumente dhe me kontratën e qirasë ku keni vendosur të hapni biznesin tuaj, do të shkoni në Drejtorinë e Taksave Vendore të Bashkisë Tiranë për të regjistruar biznesin tuaj në taksat vendore.
3. Më pas duhet të shkoni te zyrat e punës për të bërë regjistrimin e personave që do të punojnë për shoqërinë tuaj. Dokumentet që duhen, janë: Plotësimi i formularit për deklarimin e punonjësve, dokument identifikimi të punonjësve, nipti i njehsuar me origjinalin dhe ekstrakt i shoqërisë tregtare.
4. Pasi të keni kryer regjistrimin në zyrën e punës, ju duhet t’i drejtoheni zyrës së emigracionit dhe kufirit për të marrë lejeqendrimi për punonjësit që do të jenë me pasaportë kosovare. Për më shumë informacion, mund të na kontaktoni në: Studio Ligjore “Duraj” e cila është e specializuar në këtë fushë dhe ne do ju vijmë në ndihmë, sigurisht, për të përgatitur të gjithë dokumentacionin e nevojshëm. Faleminderit për letrën tuaj dhe ju përshëndes.