Të nderuar lexues dhe stafi i gazetës “Intervista”! Meqenëse kam lexuar në faqen tuaj të internetit histori të ndryshme, mendova t’ju tregoj historinë time, që ngjan me ndonjë film, por kam patur fatin e mirë apo të keq, nuk di të them, që ta jetoj në kohën më të bukur të rinisë. Në vitet ’90, kur shqiptarët filluan të iknin, unë pata shansin të kisha prindër që për kohën ishin shumë largpamës për të ardhmen e fëmijëve.
Vitet e tranzicionit edhe familjen time nuk e gjetën të pasur, por edhe atyre pak parave që ata kishin ruajtur mënjanë, u ra vlera përnjëherësh. Si shumë familje, ata u munduan të gjenin ngushëllim tek emigrimi. Babai dhe mamaja ime vendosën të na nisnin mua dhe vëllain më të madh se unë, për në Itali. Sigurisht, për dikë që vjen nga një qytet i Veriut dhe nuk ka miq në një qytet bregdetar si Durrësi, gjërat vështirësohen. Përveç vështirësive ekonomike, që ishin ulur këmbëkryq në çdo familje, babait iu desh jo vetëm të gjente njerëz që të na kalonin për në Itali, por edhe të ishim të sigurtë rrugës, si edhe pasi të mbërrinim. Më në fund, ai u lidh me një kapiten anijeje, i cili jo vetëm i premtoi të na nxirrte në Itali shëndoshë e mirë, por edhe e mbajti premtimin e tij. Unë isha problem më vete për prindërit dhe për vëllain tim; isha në kulmin e moshës, e bukur, e gjallë. Gjithsesi, rruga shkoi mirë dhe sapo zbritëm nga anija, kapiteni (që s’mund t’ia përmend emrin) na shoqëroi deri te stacioni i trenit ku duhej të hipnim, na tha edhe se pas sa stacionesh duhet të zbrisnim. Kështu, ne arritëm te një kushëri i babait i cili jetonte vetëm. Familjen e kishte në fshat dhe punonte nga mëngjesi deri në darkë për të siguruar diçka për familjen e për vete. Meqenëse ai kishte mësuar pak italisht, na ndihmoi edhe neve për të gjetur punë. Si fillim, gjeta punë unë, si pastruese në një shtëpi. Fatmirësisht, ishin njerëz seriozë. I zoti i shtëpisë ishte arkitekt, e shoqja mjeke dhe kishin dy fëmijë. Djali, Toni, kishte mbaruar shkollën dhe ishte inxhinier, kurse vajza vazhdonte shkollën për Mjekësi. Kjo ishte familja ku do lija mendtë e kokës. Toni ishte shumë simpatik. Përpiqesha të bëja punët sa më shpejt e të bija në sy sa më pak, sepse sapo e shihja, më dridheshin këmbët. Në fakt, kjo situatë zgjati disa muaj. Mamaja e tij ishte shumë e kënaqur me punën time dhe nuk linte rast pa më lavdëruar. Fjalia e saktë që e dëgjova një herë të thoshte ishte: “Megjithëse shqiptare, duket vajzë e rregullt dhe shumë e zgjuar”. Sigurisht që shikohesha me sy tjetër për shkak të “bëmave” që bënin bashkatdhetarët e mi. Pak nga pak, unë vazhdova punën nga me orar i pjesshëm, në me orar të plotë, falë opinionit të mirë që kishin për mua.
Kisha dy vjet që punoja në këtë familje, që më ndihmoi edhe të bëja dokumentet dhe të kisha mundësi të vija në Shqipëri, kur i zoti i shtëpisë më thirri në studion e tij. Shkova pak e trembur se mendova se mund të kisha bërë ndonjë gabim. Në fakt, “gabimi” im kishte qenë tjetër. Sikleti që kisha vazhdimisht kur shikoja Tonin, u kishte rënë në sy edhe prindërve të tij. Edhe vetë Toni kishte filluar të më buzëqeshte më shumë e unë, të skuqesha edhe më shumë.
– Bija ime, mendoj se ty të pëlqen djali im dhe ai të pëlqen ty, por ne duam që e dashura e djalit tonë të ketë një shkollë apo një zanat, nuk mund të pranojmë një pastruese…
U shokova dhe sigurisht, nuk gjeta përgjigje në trurin tim që në atë moment e ndali funksionimin.
– Mendoj se ka një zgjidhje, – tha ai. – Së pari, do të të vë detyrë që brenda 6 muajsh të mbrosh italishten. Do të të shkurtoj orarin e punës, që të kesh mundësi të studiosh. Më pas, do të shohim se në ç’shkollë mund të shkosh.
– Faleminderit për gjithçka, por nëse doni, unë mund të largohem nga puna sapo ju të gjeni një tjetër dhe të mos ju krijoj probleme… – arrita të thoja.
– Në asnjë mënyrë, nuk është kjo ajo që po të kërkoj, ti duhet të vazhdosh një shkollë. Kjo është ajo që duhet të bësh. Je ende vajzë e re dhe, edhe sikur mos të të ecë me Tonin, duhet të kesh pretendime për veten.
Me kaq, u mbyll diskutimi dhe pas 2 javësh, ai më solli një formular ku shkruhej se pas 5 muajsh kisha provimin e gjuhës dhe më duhej ta merrja notë të mirë. Ndërkohë që unë iu ktheva librave, Toni kishte filluar edhe të më përqafonte nëpër shtëpi. Sigurisht që më pëlqente dhe në asnjë moment nuk kam parë tek ajo familje abuzimin pse isha vetëm apo pse isha pastruese. Më në fund, pasi mora provimin, sigurisht, me rezultate të larta, familja ku punoja më lajmëroi se kishin gjetur pastruese tjetër dhe se do të më financonin shkollën. Ndërkohë, lidhja me Tonin vazhdoi. Sigurisht, isha në qiellin e shtatë. Nëpër filma kisha parë që meshkujt italianë ishin të ëmbël, por Toni ua kalonte. Më pëlqente çdo përkëdhelje e tij, çdo fjalë e tij. Pas 2 vitesh punë, 6 muaj lidhje apo njohjeje, Toni më kërkoi të flija në shtëpinë e tij. E kisha ëndërruar si çdo vajzë marrëdhënien e parë dhe do të vazhdoj ta kujtoj me shumë mall. Për Tonin ishte surprizë që unë nuk kisha patur të dashur tjetër, ndërkohë që isha 23 vjeçe. Kjo ndikoi që ai të më trajtonte gjithmonë e me më shumë respekt. Jeta po më ecte shumë mirë, më kishte ndritur ylli pa bërë asnjë gjë apo përpjekje shumë të madhe.
Një ditë, ndërsa bënim dashuri, pashë që kishin filluar t’i dilnin puçrra në fytyrë. U habita, por iu ktheva puthjeve të tij të ëmbla. Shumë shpesh po e dëgjoja se ishte i lodhur, se i merrej fryma. E dëgjoja teksa fliste me të ëmën si mjeke dhe ajo i jepte ilaçet. I shihja të dy prindërit e tij që e shihnin sikur po e shihnin për herë të fundit, motra e tij kishte filluar të vinte më shpesh në shtëpi, i dashuri i saj vinte dhe rrinte në heshtje. S’po kuptoja dhe mendoja se ishin të qetë, prandaj dukeshin ashtu të çuditshëm, por kjo situatë “qetësie” nuk do të zgjaste shumë. Një ditë, Tonit i ra të fikët. E ëma u alarmua dhe, pasi ai u bë mirë, e çuam në krevatin e tij në katin e dytë, aty ku banonim ne dy të rinjtë. Pasi fjeti pak, Toni u zgjua dhe më tha se duhej të fliste me mua. Më tha që duhej të mblidhja veten dhe të mos trembesha për çka do të dëgjoja.
– Unë jam me SIDA… – më tha.
– Siiiii? Ç’domethënë kjo? Kur e ke marrë vesh?
– Kam 4 vjet që e di, – tha, – por tani sëmundja ka përparuar dhe unë nuk mund të bëj jetën normale si më parë. Gjendja sa vjen e vështirësohet dhe nuk më ka mbetur ende shumë kohë…
– Si nuk të ka mbetur shumë kohë? O Zot!
Me të vërtetë që nuk po lidhja mendimet, fjalët as asnjë gjë. Që Toni të ishte me SIDA, do të thoshte të isha edhe unë. Që ata ishin sjellë në atë mënyrë me mua, domethënë se më kishin shfrytëzuar për të kënaqur djalin e tyre, për t’ia bërë sa më të lehtë sëmundjen që po kalonte. Sërish më këputej filli, nuk mund të mendoja këto gjëra për këta njerëz që ishin sjellë aq mirë me mua.
– E kam ditur para se ti të vije në shtëpinë tonë jo vetëm unë, por edhe prindërit e mi. Motrës i treguam tani në fund. Mendoj se lidhja me ty ma ka zgjatur jetën. Me të vërtetë, je e mrekullueshme dhe më vjen inat që nuk do të jem unë personi që do të të gëzoj. Këto dy vjet që jam me ty, e shijoj çdo çast, mezi pres të mbaroj punë e të vij të prehem në krahët e tu.
– Toni, ti e di që edhe unë të dua çmendurisht po ndoshta s’është e vërtetë, ndoshta analizat nuk kanë qenë të sakta… – belbëzova dhe lotët zunë vendin e fjalëve.
– Dua të të përqafoj, të të puth çdo moment nëse ti nuk e ke problem, nuk dua të të shoh të qash, – më tha, – dua ta vazhdoj lidhjen me ty edhe tani pasi ti e more vesh se çfarë sëmundjeje kam.
– Po SIDA është sëmundje ngjitëse… – i thashë, – domethënë që edhe unë jam sëmurë.
– Jo, shpirt, ne asnjëherë nuk kemi kryer marrëdhënie pa prezervativ. Kjo ka qenë arsyeja pse nuk e kam pranuar, edhe pse ti më luteshe që ta provonim “lëkurë më lëkurë”, se nuk do të mbeteshe shtatzënë. Të kam ruajtur, të jesh e sigurtë që je mirë, por që ti të rrish më e qetë, do të shkosh nesër me mamanë në spital e të bësh analizat. Ose, nëse nuk je e sigurtë për përgjigjen që do të marrësh me mamanë, të jap paratë dhe shko në një klinikë private ku të duash e mos ma trego emrin e klinikës, që të bindesh se përgjigjja është e saktë. Dua të bindesh që nuk të kam përdorur për faktin se e dija që jam i sëmurë, por të kam dashur. Edhe prindërit e mi, të kanë dashur…
Nuk e di a fjeta apo si fjeta atë natë. Toni nuk më preku sepse akoma nuk i kisha thënë në doja ta vazhdoja lidhjen apo jo. Të nesërmen në mëngjes, shkova me mamanë e tij në spital dhe bëra analizat. Ishte e kotë të shkoja gjëkundi tjetër. Nëse do ta kisha marrë virusin, kjo do të kishte ndodhur tashmë dhe s’kisha ç’të bëja. Duhet të vendosja në do të rrija në atë shtëpi apo do të shkoja te vëllai. Duhet të mblidhja mendjen për në shkollë. Gjithë dëshira për të bërë diçka më iku. Toni, pas dy ditësh, vazhdoi të shkonte në punë, por rrinte më pak orë, ndërsa kur vinte në shtëpi, flinte më shumë. Me mua filloi të sillej si vëlla i mirë, më përkëdhelte dhe përqafonte, por kaq. Kisha nevojë të tmerrshme të ndjeja zjarrin e tij dhe timin që ndizej sapo ai më prekte, por asgjë nuk ishte si më parë.
– Nëse do mund të ikësh, unë nuk të vë faj, – më tha një ditë. – Pas tre ditësh, vijnë përgjigjet e analizave dhe mund të largohesh nëse do, megjithëse mua nuk do të më pëlqejë të rri vetëm…
– Dua të bëj dashuri me ty! Sigurisht, me zgjidhjen që ke gjetur vazhdimisht, “prezervativin”, si mbrojtje të sigurtë, sipas teje… – thashë.
Ai shtangu, po më vështronte si hetues për të kuptuar në e kishte dëgjuar mirë, në e kisha seriozisht atë që kisha thënë. Iu afrova dhe sapo zgjata dorën për ta përkëdhelur, ndjeva zjarrin të më ndizej, si gjithmonë. E doja atë djalë dhe nuk mund ta lija të vdiste, nuk mund ta pranoja. Bëmë dashuri, ndenjëm gjithë pasditen në krevat dhe folëm për gjëra të ndryshme, përveçse për spitale. Të nesërmen, dita vazhdoi si gjithmonë, unë në shkollë e ai në punë. Rutina e përditshme u kthye, ai ishte gjithmonë e më pak i fuqishëm, unë gjithmonë e më shumë, në ankth për ikjen e tij e të jem e sinqertë, edhe për përgjigjen e analizave të mia. Të martën mbasdite erdhi mamaja e Tonit e më dha një zarf.
– Këtu është përgjigjja e analizave të tua! Nuk e hapa pasi e mora, që ta lexosh vetë e para.
– Po do të më ndihmosh ta lexoj se nuk e jam e sigurtë që do të di ta lexoj përgjigjen, – i thashë, ndërkohë që Toni m’u afrua e më përqafoi për të më dhënë zemër. Ndjeva që edhe atij zemra po i rrihte më shpejt, ashtu sikurse mua.
– Dakord, – tha ajo. – Negativ, ky këtu është rezultati. Bija ime, nuk ke asgjë për t’u shqetësuar…
Më përqafoi mua e të birin dhe u largua me lot në sy. U qetësova për vete, por nuk po gjeja asnjë fjalë që ta ngushëlloja atë për të birin. As Toni, i cili e pasqyronte tashmë në gjithë qenien e tij melankolinë për fatin e tij të keq. Ndërkohë që Toni bëhej gjithmonë e më keq, unë përpiqesha t’i qëndroja pranë, përpiqesha t’i sillja gëzim si një fëmije që sapo i është ulur temperatura, por edhe ditët që mund t’i sillja ngushëllim mbaruan, sepse ai ra në gjendje kome. Pas 1 viti përpjekjesh të mia për t’i qëndruar pranë, ai ndërroi jetë në spital me prindërit dhe mua që i rrinim te koka.
Tashmë, ai ka vite që ka vdekur dhe megjithëse unë u lidha me një tjetër pas tre vjetësh dhe vazhdoj të jetoj në Itali, nuk e kam harruar për asnjë çast. Ndonjëherë më duket mëkat që mendoj për ish-të dashurin, ndërkohë që jam në krevat me babain e fëmijëve të mi, por ka raste kur më duket mëkat të mos e kujtoj atë djalë që vdiq në lule të rinisë, atë familje që më dha e më mësoi aq shumë për 5 vjet që jetova në shtëpinë e tyre. Gjithsesi, Zoti me një dorë të hedh e me tjetrën të pret. Djalit tim i kam vënë emrin e tij, këtë ua thashë prindërve të tij. U çudita kur edhe bashkëshorti im e pranoi, pa bërë shumë komente.
– Është emër i bukur, italian, kështu që nuk është e thënë që lidhja të jetë se s’bën me ish-in tënd. Pastaj, unë nuk jam xheloz për atë pjesë të jetës tënde… – më tha.
Tani, mendoj se ylli i fatit ndriçon vetëm për mua…
Advertisement