Arkeologët kinezë kanë zbuluar në varrin e një mumjeje, në shkretëtirën e Taklla-Maganit, së bashku me disa sende të tjera, një copë djathë që mendohet se do të jetë prodhuar andej nga viti 1615 para erës sonë. Ky djathë i lashtë, më i lashti në botë, është ruajtur kaq gjatë në një dunë rëre në bregun e një lumi që tashmë eshtë tharë. Në këtë vend janë gjetur të varrosur me dhjetëra njerëz të kohës së bronzit. Këtu, varrimet kryheshin në ca si varka prej druri, të cilat mbështilleshin me lëkurë, për t’i ruajtur nga dekompozimi. Djathi, veshjet prej leshi, çizmet prej lëkure, etj., janë ruajtur kaq gjatë në saje të ajrit të thatë dhe të terrenit të kripur. Këtu, në këto varreza të lashta, janë zbuluar fara bimësh, të cila mendohet se mbajnë datën 1450–1650 para erës sonë.
Por, ç’kërkonte djathi në varre? Qëllimi pse vendoseshin pikërisht në këtë pozicion copat e mëdha të djathit, është ende i paqartë, por shumë arkeologë mendojnë se ky veprim kryhej që të pajiseshin të vdekurit me rezerva ushqimore. Sipas mendimit të kimistëve, ky lloj djathi është përgatitur me ndihmën e disa bakterieve dhe majave të posaçme. Kjo teknologji përdoret ende në shumë krahina të Kinës, për të përgatitur edhe nënprodukte të tjera të qumështit…
Më përpara, djathi përgatitej me mullën e shqerrave dhe të viçave të vegjël, por kjo ka qenë një teknologji jo shumë e përshatshme sepse, kur mbarohej mulla, blegtorët ishin të detyruar të thernin viça ose qengja të tjerë. Djathë të prodhuar në lashtësi, ashtu sikurse edhe nënprodhime të tjera të qumështit janë gjetur edhe në vise të tjera të botës, por zbulimi i fundit në shkretëtirën kineze dallohet prej tyre sepse tregon edhe një herë epërsinë e prodhimit të djathit jo vetëm me mullën e bagëtive, por edhe nëpërmjet kosit dhe kefirit.
Advertisement