– Jam 40 vjeç dhe ka 2 vjet që mbaj syze, por më kanë filluar përsëri problemet dhe në syrin e majtë pothuajse nuk shoh fare. Kam ndërruar syzet dhe përsëri e njëjta gjë është. Më bëhet si perde dhe herë pas here, më erren sytë. Pra, më është dobësuar shumë shikimi. Prandaj, unë doja të dija se çfarë e shkakton dobësimin e shikimit? Ju lutem, më ktheni përgjigje këtë javë. Faleminderit.
Dr. Rezarta Shkurti, okuliste: – I nderuar 40 vjeçar, në moshën tuaj, e para gjë që të shkon në mendje është një ulje shikimi e lidhur me moshën, që quhet presbiopia, e cila është nevojë për syze për afër, ndërkohë që larg shikoni mirë. Ndërkohë, ju referoni se keni filluar të mbani syze që në moshën 38 vjeçare dhe, edhe pse e keni ndërruar shpesh numrin e syzeve, prapë shikimi është duke rënë.
– Atëhere, duhet të kryejmë shumë shpejt një vizitë të hollësishme okulistike, për të verifikuar tensionin e syrit dhe retinën tuaj, pasi mund të ketë filluar një sëmundje e tensionit të syrit (glaucomë) e cila fillon pikërisht me shenjat e shikimit të turbullt dhe ndërrimit të xhamave të syzeve bërë herë pas here, ndërkohë që rritja e tensionit brenda syrit mund të çojë deri në verbim, pa patur mundësi më vonë për ta rikthyer këtë shikim të dëmtuar. Nga ana tjetër, ju mund të keni ndonjë sëmundje në dritën e syrit (në retinë). Në këtë rast, fillimisht duket sikur nuk janë xhamat e syzeve në rregull, ndërkohë që problemi mund të jetë më i koklavitur. Duhet patjetër t’i nënshtroheni një vizite shumë të hollësishme, pastaj vendoset strategjia e zgjidhjes së problemit. Jeni i mirëpritur për vizitë!