– Përshëndetje doktoreshë Mira! Vëllai im ka pasur para tre ditësh një krizë frymëmarrjeje aq të madhe saqë humbi vetëdijen dhe e dërguam me ndihmën e parë në spital. Aty na thanë që ka patur probleme në mushkëri, nuk mbushej dot me oksigjen. A mund të më thoni çfarë është ky sulm në mushkëri? Si ka mundësi të ndodhë dhe a është e rrezikshme për jetën e pacientit? Si shpjegohet që ai të ketë një problem të tillë kur është vetëm 30 vjeç? Theksoj që ka filluar të pijë cigare. Mos vallë kjo gjë ka ndikuar te shëndeti i tij? Faleminderit dhe pres një përgjigje nga ju.
Dr. Mira Xhixha, alergologe: – Nga ajo që po lexoj, vëllai juaj ka shfaqur një krizë frymëmarrjeje (dispneje) në mënyrë të shpejtë dhe mund të ketë humbur ndjenjat, siç thoni ju. Ju duhet të keni marrë shpjegim për gjendjen nga mjekët që e kanë reanimuar në urgjencë dhe besoj se do t’ju kenë rekomanduar një konsultë tek alergologu dhe kardiologu, pasi këto dy konsulta janë të rëndësishme, duke parë gjendjen e tij.
– Me kriza të tilla dispneje, marrje fryme, paraqitet astma bronkiale e cila është një sëmundje e shkaktuar nga pezmatimi alergjik në rrugët e frymës dhe shfaqet me kriza të forta ose të lehta të frymëmarrjes. Po ashtu, me kollë ose jo, edhe me simptoma të tjera shoqëruese. Rasti i vëllait tuaj, meqenëse pi duhan, duhet konsultuar edhe me mjekun kardiolog, për të diagnostikuar apo përjashtuar sëmundje të zemrës që shfaqen me marrje fryme. Duhet gjithashtu t’i bëni një grafi të mushkërive dhe matjen e nivelit të yndyrnave në gjak. Jeni e mirëpritur për konsultë! Me respekt, doktoreshë Mira.