– I nderuar Dr. Demiri! Unë që po ju shkruaj jam një grua e braktisur nga burri dhe pata vendosur të mos pranoja më në krevat asnjë mashkull pas këtij zhgënjimi, por ka ca kohë që ndjehem shumë e tensionuar, me stres, dhimbje koke etj. Pyetja ime për ju është: Mos e kam këtë nga mungesa e seksit? Anita Sr.
Dr. Jashar Demiri, psikolog klinicist: – E nderuara zonjë! Tani është e qartë se Krijuesi, “arkitekti” i pagabuar, asgjë nuk e ka bërë kot, ndaj edhe përfitimet nga seksi janë të shumta dhe shkencërisht të vërtetuara. Në qoftë se për kafshët seksi u “kufizua” vetëm për shumëzim, te njeriu ai u la “hapur”, pra, jo vetëm për të krijuar jetën, por edhe për kënaqësi, por gjithmonë nën kontrollin e trurit, pra, të vetëdijes, pasi çdo veprim mund të kthehet në të keqen e së mirës. Siç tregojnë shumë studime, kënaqësia seksuale është e pazëvendësueshme, madje orgazma është e papërshkrueshme dhe specialistët e shëndetit kanë argumentuar se sa pozitivisht ndikon seksi në shëndetin e dy partnerëve. Dihet se sa shumë hormone dhe lëndë kimike sekretohen përpara e gjatë orgazmës dhe ato ndikojnë drejtpërsëdrejti në uljen e presionit të gjakut, në shtimin e kolesterolit të mirë e pakësimin e kolesterolit të keq, që do të thotë se përmirësojnë qarkullimin e gjakut, pakësojnë ankthin, streset, depresionin dhe lehtësojnë dhimbjet. Në një libër të fundit të Tom Hikmanit, kur bëhet fjalë për përfitimet e seksit (faqe 278), shkruhet se sipas një studimi, seksi mund të ketë një efekt lehtësues e qetësues dhjetë herë më të lartë sesa valiumi, porse valiumi ka efekte anësore e krijon varësi, gjendje tolerance, kurse seksi është krejt natyror. Akti seksual ndikon pozitivisht në ripërtëritjen e qelizave, në rritjen dhe forcimin e kockave si dhe djeg kaloritë. Është provuar se akti seksual zbut edhe urinë, duke rritur sasinë e një amfetamine që rregullon oreksin. Është e sigurtë se seksi përmirëson jo vetëm humorin dhe gjendjen shpirtërore, por rregullon e përmirëson edhe punën dhe fuqinë e trurit. Ka prova se njerëzit e moshuar që janë aktivë seksualisht, kanë më pak gjasa të vuajnë nga sëmundjet fizike apo shëndeti mendor. Përfitimet te femrat janë të shumta: Seksi rrit tek ato metabolizmin, përmirëson humorin, shton elasticitetin e lëkurës, stabilizon ciklet menstruale dhe pakëson valët e djersës e “sikletet” e tjera, sidomos gjatë menopauzës. Kjo është arsyeja pse vejushat plaken më shpejt, rrudhosen e vdesin para kohe, kurse femrat seksualisht aktive, “shkëlqejnë” deri në pleqërinë e vonë.
– Akoma më tej, aktiviteti i rregullt seksual pakëson rrezikun e kancerit, sidomos te meshkujt, te të cilët rreziku i kancerit të prostatës dhe zmadhimi i saj gjatë moshës së tretë, ndodh më së shumti sepse ndërpritet seksi. Është provuar se aktiviteti i rregullt seksual, zgjat jetën. Një studim mbi jetëgjatësinë, ku u monitoruan mbi një mijë meshkuj gjatë dhjetë viteve, doli në përfundimin se ata që bëjnë rregullisht seks të paktën dy herë në javë, kanë dy herë më pak gjasa që të vdesin nga një infarkt në zemër, në dallim nga ata që bëjnë seks vetëm një herë në muaj. Ndaj, mos u çudisni kur psikologu, gjatë testimit apo doktori gjatë diagnostikimit, ju pyet edhe për libidon, potencën, jetën e shëndetin seksual, pasi shëndeti seksual është pjesë përbërëse e shëndetit tërësor. Dje po pija kafe me një mikun tim, Novruz Pepa, i cili më dhuroi librin e tij të fundit me titull “Blerim paçi në zemër”, libër të cilin ia kishte kushtuar të shoqes Mirjana Pepa, arsimtare e nderuar. Ky Novruzi duket si mbi 20 vite më i ri në moshë dhe, kur e kam pyetur se cili ka qenë “sekreti” i ruajtjes së rinisë së tij, ai m’u përgjigj: “Ja, ndër të tjera, edhe ajo së cilës ia kam kushtuar këtë libër, gruaja, së cilës ia kam bërë surprizë me rastin e ditëlindjes. Kemi pasur një jetë të bukur e harmonike familjare sepse Mirjana ka qenë e mbetet e pakursyer si bashkëshorte, nënë, amvisë dhe “zonjë” e rrallë brenda e jashtë shtëpisë”. E shikoni pra se, siç thotë populli, gruaja e mirë ta shton jetën e po ashtu edhe burri i mirë, kurse ai i keqi ta “ha jetën”.
Sa më shumë “ilaçe” natyrore, aq më pak strese, sëmundje dhe ilaçe kimikate. Në studimet e mira për jetëgjatësinë, del se rol parësor kanë luajtur qetësia shpirtërore, puna dhe jeta e rregullta, jeta sistematike kënaqësidhënëse seksuale, ushqimi i larmishëm, mosabuzimi me substancat dhe shmangia e mbipeshës.