Të dashur lexues, unë që po ju shkruaj jam një grua që gati e shkatërroi jetën e saj për një fiksim të së kaluarës. Tani që po ju shkruaj, asgjë nuk mund të kthehet prapa dhe sikur të kthehej, besoj se kështu do të ndodhte përsëri, sepse besoj se çdo gjë është e shkruar, por të paktën po ngushëlloj veten se mund të ketë ndonjë nga lexuesit që nuk do të më kritikojë e që do të më mbështesë. E kaluara e ndjek nga pas njeriun, sidomos kur flitet për dashuri, por kur i riprovojmë ndjenjat, kuptojmë se ka qenë e kotë të harxhonim kohën tonë me këto ndjenja sepse çdo gjë e kaluar nuk rikthehet kurrë në të njëjtën formë.
Çdo gjë filloi kur unë isha në shkollë të mesme. Isha dashururar me një djalë. Edhe ai më donte, por prindërit e mi nuk shkonin mirë me familjen e tij. Dhe, siç ndodh gjithmonë, unë u martova me një burrë në moshë më të madhe se unë. Çdo gjë mbeti në bangat e shkollës së mesme, unë e hodha pas krahëve këtë dhe vazhdova jetën. Nga martesa më lindën katër fëmijë të mrekullueshëm. Ishim një familje e kompletuar dhe asgjë nuk e prishte ekuilibrin në jetën tonë. Kjo ishte meritë e burrit tim të mrekullueshëm! Edhe pse nuk arrita të kisha një dashuri të madhe për burrin tim, ai më impononte shumë respekt. Pra, çdo gjë shkonte perfekt.
Një ditë më mori në telefon një kushërira ime. Ajo jetonte në një qytet tjetër dhe unë u habita sepse ajo nuk më telefononte shpesh. Më tha se do të bëhej mbrëmja e maturës, ritakimi pas 20 vjetësh.
– Nuk ma paska qejfi të vij! – i thashë. – E ç’kemi për të bërë pas gjithë këtyre viteve? Unë nuk mbaj mend as emrat…
– Le të shkojmë për gallatë mi! Edhe pse nuk i mbajmë mend, do të jetë një ditë argëtuese.
E kështu, pas një bisede disi të gjatë, ajo ma mbushi mendjen. I thashë burrit dhe ai, si gjithmonë, më surprizoi me përgjigjen e tij.
– Më thuaj çfarë të duhet e të më bëhesh yll, më e bukura e të gjithave!
– Do më lësh të shkoj? Nuk je fare xheloz?
– E përse duhet të jem? Unë nuk të kam njohur sot. Ti je gruaja ime dhe të njoh mirë se sa besnike je. Pastaj, me kë do të më tradhtoje? – ai qeshi e në fakt, qesha edhe unë.
Dita erdhi shpejt e të them të drejtën, u përgatita aq shumë sa dukej sikur mezi e kisha pritur. U bashkova me kushërirën dhe të dyja u nisëm drejt kohës së adoleshencës. Për fëmijët nuk kisha pse të merakosesha sepse e dija se i kisha në duar të sigurta me burrin, por sigurisht, ata tani nuk ishin të vegjël.
Rrugës ndaluam në disa vende, duke u kënaqur me mrekullitë e vendlindjes sonë. Kisha marrë makinën time dhe nganjëherë, meqë ishte rrugë e gjatë, më ndërronte edhe kushërira e cila e kishte patentën, por makina i kishte një defekt. U takuam me të gjithë shokët. Nuk e kisha imagjinuar se do të ishte aq bukur. E kisha marrë me mend se do të kishim pak emocione, por jo kaq magji. U takuam dhe bisedat ishin të gjata e pambarim si në grupe, ashtu edhe individuale. Vetëm bisedës individuale me shokun e klasës me të cilin kisha qenë e dashuruar më parë, po i shmangesha. Nuk e di pse nuk doja të kujtoja asgjë. Jo vetëm se kishin kaluar aq shumë vite, por edhe sepse kisha frikë nga përballja me të. E shmanga shumë, derisa filloi festa. Edhe tavolinën e zgjodha larg tij. Nuk doja në asnjë mënyrë të prishja lumturinë time familjare. Kur festa kishte filluar dhe kishin filluar djersitjet e para nga kërcimi, ai erdhi e më tha:
– A mund të kërcejmë bashkë?
Nuk kisha si të mos pranoja, përderisa kisha kërcyer pa ndalim që në çastin e parë kur filloi muzika. U ngrita dhe gjatë minutave të para, nuk folëm. Më pas, ai më tha:
– Më je shmangur sonte…
– Jo, aspak! E pse duhet ta bëja këtë? – tani nuk isha më ajo vajza e ndrojtur e njëzet viteve më parë. Tani isha një grua e kompletuar, intelektuale dhe me besim te vetja, pavarësisht se kisha frikë ta shihja në sy, se ndoshta e kaluara do të ngrinte krye…
– Nuk e di as unë. Unë mezi e prita këtë ditë dhe nuk mendova për asnjë çast se do të arrija të flisja me ty vetëm tani.
– Pse, si e imagjinoje?
– Po ja! Imagjinoja se, sapo të më shihje, do të më hidheshe në qafë, do të më shtrëngoje fort, prandaj edhe kam bërë palestër këto ditë, që të mos më merrej fryma nga shtrëngimi yt i fortë. – tha këtë dhe në buzë po i shpërthente e qeshura, por priste të shihte nëse e kuptova unë shakanë apo jo.
Unë u mundova ta mbaja brenda të qeshurën për pak sekonda, por ajo më mundi dhe ia plasa të qeshurës. Edhe ai, pas meje. Ishte po i njëjti, me humorin dhe pozitivitetin e tij. Në fakt, kjo e qeshur tërhoqi shikime të shumta dhe unë, menjëherë, i thashë:
– Si gjithmonë, ke dëshirë të jesh në qendër të vëmendjes.
– Jo, e bëra thjesht për të thyer akullin.
Në fakt, ashtu ishte. Duhej diçka e tillë, sepse unë po tregohesha mjaft e ftohtë. Më pas biseda filloi të ngrohej. Kur vallëzimi mbaroi, ai u ul te tavolina ime, sepse edhe të tjerë kishin ndërruar vendet për të biseduar. Morëm vesh ç’lloj jete bënim të dy. Ai ishte tashmë një burrë i pjekur dhe në jetë kishte ecur mjaft mirë. Kishte një vajzë dhe ishte i divorcuar. Kërcyem edhe disa herë të tjera, jo vetëm bashkë, por edhe me shokët e tjerë. U kënaqëm pa fund. Festa zgjati gati deri në agim. Ishim kthyer pas në kohë dhe ndjeheshim shumë mirë. Madje, edhe më mirë se në mbrëmjen e maturës që kishim bërë para njëzet vjetësh. Më pas, ndërruam lokal për kafen e mëngjesit. Ne të dy tashmë rrinim bashkë dhe na dukej sikur po përjetonim atë kohë, mirëpo unë isha me mendjen te fëmijët e sidomos, te burri im. Ai ishte shumë besnik dhe më dukej se po e tradhtoja edhe duke u ndjerë mirë me ish-të dashurin, pa bërë asgjë më shumë. Kur vajtëm te lokali ku e kishim lënë, të tjerët nuk kishin ardhur akoma, ishin shpërndarë e nuk po grumbulloheshin dot. Kishin shumë për të treguar e për të bërë. Ishin shumë vite dhe shumë gjëra të lëna pezull në gjimnaz, prandaj sikur ishte pak një natë që të mbaronte.
U ulëm në tavolinë dhe nuk porositëm, që të prisnim të tjerët. Ai më tha:
– A të ka mbetur ndonjë peng nga e kaluara?
– Jo! – e gënjeva.
Ai e kuptoi dhe pas një pauze, foli përsëri:
– E kuptoj se nuk mund ta thuash, por sytë e tu gënjejnë dhe ti këtë nuk mund ta fshehësh. Unë ndjej për ty në këto momente njësoj si para 20 vjetësh. Edhe sytë e tu thonë të njëjtën gjë…
– Ti ndjehesh kështu ndoshta ngaqë je i divorcuar, por unë… – nuk më la të vazhdoja, duke më vënë gishtin e tij mbi buzët e mia.
– Të lutem, mos e prish këtë ditë me fjalë. Më mirë mos fol sesa të thuash gjëra që nuk janë të vërteta. Unë nuk të shtyj të bësh asgjë që nuk do, por mjaft i shtrydhe ndjenjat. Tani jemi të pjekur dhe e shohim lidhjen e dikurshme me sytë tanë e jo të prindërve.
Nuk kisha çfarë t’u shtoja fjalëve të tij. Ai ishte si gjithmonë i fundit që fliste, sepse fliste gjithmonë siç duhej. E lëshova veten dhe e lashë të lirë. Kuptova se kisha gabuar që isha ndarë nga ai. Ai ishte në të vërtetë, gjysma ime. Ai ishte dashuria e jetës sime dhe unë i kisha kthyer krahët, vetëm se kjo ishte dëshira e prindërve të mi. Sa e padrejtë! Në orët në vazhdim kuptova se njeriu nuk kishte nevojë për një burrë që të krijonte familje e të jetonte sipas rregullave. Njeriu në jetë ka nevojë për gjysmën e tij, që ta plotësojë e të jetojë i lumtur edhe në dashuri. Mirëpo, a ia vlente të hidhja poshtë njëzet vitet që kisha kaluar pa të? Unë kisha një familje dhe duhet ta respektoja. Ai, nja dy herë, e hodhi fjalën për këtë.
– E sheh çfarë kemi humbur? Nuk e di si mund të jetojmë tani, pa njëri-tjetrin…
– Ashtu siç kemi jetuar përpara… – u përgjigja ftohtë në dukje, se nga brenda po digjesha nga dëshira të thoja se dhe unë nuk mund të jetoja më pa të.
– A do të mundemi? Ne e kemi dashur njëri-tjetrin kur ishim të rinj dhe vërtetuam se akoma e duam po njëlloj.
Në atë kohë, mendova familjen time e burrin tim.
– Ne ia kaluam mirë me njëri-tjetrin nuk diskutohet, – i thashë, – por unë kam një jetë të bukur e mbi të gjitha, kam një burrë që më do e më respekton.
– Po dashuria? Unë kam qenë i martuar dhe nuk e kam arritur lumturinë e vërtetë, sepse je ti ajo që dua dhe po nuk pati dashuri në një çift, nuk mund të ecë as familja.
– Të gjitha këto janë të vërteta, por unë tashmë e kam pranuar jetën ashtu siç e kam tani.
Biseda jonë në këtë formë vazhdoi edhe pak dhe unë mbajta të njëjtin qëndrim, pra, luftova ndjenjat e mia dhe mbrojta jetën që kisha me bashkëshortin tim dhe fëmijët. Nuk e di në do të pendohem në të ardhmen (në fakt, e ndjej se jam penduar që tani), por ia vlen sepse gjithçka e bëra për fëmijët e mi dhe familjen time.
Advertisement