Zotin Berisha e takuam në zyrën e tij të re në SHQUP, duke dhënë porositë e fundit për funksionimin e Parlamentit të Partisë Demokratike, paralel me atë kombëtar…
Kaso Kosa: – Zoti Berisha, dëshiroja të bënim një intervistë, por shoh se jeni shumë i zënë me strukturat e reja të partisë.
Sali Berisha: – Mbarova Kaso. Po jap udhëzimet e fundit se si duhet me funksionu ky parlament qy ka me i sjell Shqipërisë kthesën e madhe që populli po e pret me padurim, i zhgënjyer nga qeveria e mashtruesit dhe mafiozit Edvin Rama. Ky do të jetë parlamenti i fitores, parlamenti i lirisë, parlamenti i shpresës, parlamenti…
– Ju keni vendosur përfundimisht që ta bojkotoni Parlamentin, duke krijuar struktura paralele?
– Me keqardhje e them se nuk kemi me hy më në atë parlament të mbushur me kriminelë, në parlamentin e mafiozëve ku janë ndërtu skenarë makabër për eleminimin e opozitës. Nuk është fjala vetëm për eleminimin verbal, por edhe për atë fizik, përmes një plani mafioz me rrahje deputetësh të renditur me listë. Mirë se Strazimiri, Halimi, Flamuri, apo deputetet femra janë të rinj dhe mund ta përballojnë, po unë, a kam fuqi me e përballu rripin e Edvin Ramës? Së dyti, si me hy në atë parlament kur Erion Veliaj bën dy dasma për me sfidu shqiptarët që nuk kanë bukë me hangër? Jo! Ta them unë ty! Jo dhe jo! Nuk më len morali me bashkëjetu me një parlament të tillë.
– Ju mbrojtët governatorin Fullani duke akuzuar Ramën se ai urdhëroi arrestimin e tij…
– Edvin Rama është një kriminel. Ai urdhëroi arrestimin e Fullanit për qëllime mafioze, për të marrë lekët që ka banka, se nuk i kanë dalë 20% që mori e po merr nga tenderat dhe lejet e ndërtimeve. Si, mor, për një egoizëm apo hakmarrje personale rrezikon jetën e njeriut më të shquar të financave?! Po a mund të vihen në ballancë 7 milion dollarë, me jetën e një njeriu? E dini ju që kam qenë unë që i dërgova barna për me i forcu zemrën se Fullani u bë keq vetëm një orë pas arrestimit? Dhe, ja ku po jua them se sikur të mos kisha ndërhy unë në mënyrë miqësore te trupi gjykues që ta lironin, ne sot do të ishim pjesëmarrës në funeralin e tij. E përshëndes humanizmin e madh të tre gjyqtarëve që hodhën poshtë me guxim presionin e Edvin Ramës për me eleminu Fullanin…
– Do jepni ju mendim për zgjedhjen e guvernatorit te ri?
– Kurrën e kurrës! Unë nuk kam ndërhy e nuk do të ndërhyj në asnji rast në kompetencat e Presidentit të Republikës. Bujari është një burrë i zgjuar dhe nuk e ngatërron detyrën me miqësinë. Ka dy vjet në detyrë dhe asnjëherë nuk më ka pyetur për vendimet që merr. Është shumë më i pavarur se çdo president tjetër që ka patur vendi ynë në këta 24 vjet demokraci. Dhe, për këtë, unë e falënderoj dhe po jua them tani që do t’i rekomandoj Lulzim Bashës që kur t’i mbarojë mandati i parë, ta propozojë për një mandat të dytë.
– Ju ankoheni se pozita nuk do t’ia dijë fare për opozitën e në veçanti, Rama, ju ka injoruar juve si njëshi i opozitës…
– Dëgjo mue! Unë po të dua, për 24 orë e përmbys Edvin Ramën. A e more vesh që pardje mue mu banë një milion fansa në Facebook? E din ti ç’domethanë një milion fansa? Mjafton që unë t’u baj thirrje që të ngrihen dhe për 24 orë i ke të një milion këtu, në shesh. Po nuk dua vetë tani për tani, sa ta marrë veten Lulzimi në postin e kryetarit të partisë. Pas konsolidimit të postit dhe pasi të mësojë disa sekrete të drejtimit të pushtetit, do ta rrëzojmë Edvin Ramën. Për këtë, të jesh i sigurtë.
– Ju keni bindjen se Lulzimi është i aftë të drejtojë qeverinë me kundërshtar Ramën e Metën?
– Është më i zoti nga sa e njihni ju! E dini pse e kam përkrah dhe vazhdoj ta përkrah atë djalë? Ta them unë ty! Lulzimi është njeriu më i sinqertë që kam njohur unë. Qëkur e bëra Ministër të Transportit dhe Telekomunikacionit, ai më erdhi në zyrë dhe, duke qarë, më tha se nuk është mësuar me detyra të vështira, ndaj ta liroja. Unë e kam provu duke e vënë disa herë ministër, si për rrugët, si të brendshëm, të jashtëm dhe ai ka shkëlqyer. Ka zbatuar ç’i thosha unë dhe ç’i kërkoja unë. Edhe tani ban atë që i them unë. Është një djalë brilant! Unë jam zemërbutë se jam kardiolog. Të gjithë njerëzit e sinqertë dhe ata që më kërkojnë falje, i marr pranë dhe u jap mundësi të dytë. Këtë bëra me Imamin, me Pollon, me Edi Selamin, me Cekën, madje edhe me Islamin, që më kërkoi falje për kërcënimin e bërë për thyerje kafkash.
– Akuzoni Ministren Kodheli për helikopterët në ndihmë të policisë, porse ish-Ministri Imami vuri dy helikopterë për Zajminën…
– Aaaaa! Kjo që ka bërë Mimi është shkelje e betimit ushtarak, nuk e lejon kushtetuta të përdoret ushtria kundër popullit të thjeshtë. Ndërsa për Vasjarin, apo për Çiljetën, unë jam gati të vëmë jo vetëm helikopterët, por të gjithë ushtrinë në dispozicion, sepse ato janë yjet e muzikës shqiptare. Ato venë nëpër dasma dhe i sjellin popullit relaks, gëzim dhe e argëtojnë. Një popull që këndon e vallëzon bëhet i lumtur dhe këto këngëtare ia shtojnë lumturinë. Ta them unë, se kështu është. Në fund të fundit, ç’kanë bërë ata fshatarët e gjorë në Malësi që i tmerrun me helikoptera ushtrie? Kanë mbjellë nga një fije kanabisi, do thoni ju. Po mirë kanë bërë! Unë e lashë Lazaratin të mbjellë e korrë kanabis për 8 vjet e nuk ndërhyra, me bindjen se u rrisja mirëqenien banorëve të vobektë të Lazaratit. Edhe banorët merrnin ndonjë lek, edhe për ne të tjerët ngelej ndonjë thërrime…
– Një pyetje të fundit, zoti Berisha: A bëheni xheloz që Edi Rama brenda një viti është ftuar dhe respektuar nga shumë përsonalitete të shteteve perëndimore dhe lindore?
– Aspak. Ta them unë ty. Përkundrazi, Rama është xhelozuar për mua dhe më imiton në çdo hap që bën. Në Gjermani, kam shku unë përpara tij dhe kam dhanë konferencë shtypi me zonjën Merkel. Në Turqi, kam shku përpara tij. Në Kinë, po ashtu. Madje në Kinë, unë ia kam kaluar sepse ngjita edhe Murin e Madh Kinez e ai nuk guxoi me më sfidu! Në çdo aspekt ta marrësh, është ai që përpiqet të më sfidojë, por pa ia arritur. Mjafton të shikojmë gjendjen në të cilën ndodhet vendi që po shkon drejt greminës, kur unë e rendita mes vendeve me ekonominë më të përparuar në botë. Këtë e shohin të gjithë, veç atyre që nuk duen me e shiku.
Bisedoi me shaka: KASO KOSA