Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us
Njoftime nga Greqia
Një sukses tjetër për Klodiana Stojën: Tani, kam shkollën time të baletit në Athinë!
Viagra, kundër dhimbjeve të menstruacioneve?

Një sukses tjetër për Klodiana Stojën: Tani, kam shkollën time të baletit në Athinë!

Lexuesit e gazetës “Intervista” e njohin Klodiana Stojën si një nga balerinat më të suksesshme të spektaklit të përvitshëm “Dancing vvith the stars” në televizionin grek Antena, çdo vit, pretendente për titull. Klodiana është e njohur si fituese e mjaft garave të dansit sportiv jashtë Greqisë (Gjermani, Francë, Itali, Qipro etj.), por edhe si pedagoge dansi në shkollat më të famshme greke. Përvoja në këto shkolla e shtyu atë të hapte në Athinë një shkollë baleti që mban emrin e saj. Dhe, suksesi ishte ai i prituri! Rreth 150 nxënës vetëm disa muaj pas hapjes. Këtë javë u zhvillua ceremonia e përurimit të shkollës, ku ishim të ftuar edhe ne; një ceremoni mbresëlënëse, ku veç miqve, nxënësve  e prindërve, ishin të pranishëm edhe shumë VIP-a të shoubizit grek, këngëtare e gazetarë të mediave më të mëdha të Greqisë, një dukuri disi e rrallë, në veprimtari të tilla private…

Agron Berdaj: – Urime Klodiana! Si shqiptarë, ndjehemi krenarë kur shohim reklamën e shkollës me fotografinë tuaj gjigande në Mesogion, që është një nga rrugët më të njohura të Athinës…
Klodiana Stoja: – Faleminderit për vlerësimin. Gazeta juaj më ka ndjekur e qëndruar gjithnjë pranë në rrugën time…
– Nuk është guxim i madh të hapësh një shkollë kaq moderne baleti ndërkohë që kriza është ulur këmbëkryq në Greqi?
– Keni të drejtë! Kriza është një realitet i dukshëm, me ndikime reale në jetën e përditshme e në xhepat e kujtdo. Kudo ndjehet “terapia e shokut”, por unë shpresoj se kjo do të jetë e përkohshme. Menaxhimi i drejtë i krizës nga politika do të sjellë ekuilibra të reja. Edhe pse zgjidhja duket pak si larg në horizont, do të vijë një ditë, ndaj nuk trembem në investimin e bërë.
– Qenke shumë optimiste!
– Jam optimiste edhe për diçka tjetër: Grekët janë një popull artdashës. Sado që kriza bën presion mbi ta, i ndrydh ekonomikisht, ajo nuk ua zbeh këtë frymë, dëshirën për të dëfryer, kënduar e kërcyer. Jam e bindur se në Greqi, çdo investimi që mund të bësh në fushën e artit, do t’ia marrësh rezultatet, herët apo vonë.
– Po nga konkurrenca, nuk ke frikë? Duke ardhur në festën e përurimit të shkollës suaj, pashë se pranë jush kishte edhe 4-5 shkolla të tjera baleti që madje mbanin emrat e disa korifenjve të kësaj fushe në Greqi. E keni llogaritur këtë?
– Suksesi bëhet më i këndshem kur arrihet mes sfidave e konkurrencës. Të katër drejtuesit e shkollave që ju përmendët ishin të ftuar në përurimin e shkollës sime. Ata janë për mua miq, kolegë e partnerë, me të cilët kemi kërcyer në veprimtari të ndryshme, brenda dhe jashtë Greqisë. Çdonjëri prej nesh e ndërton funksionimin e shkollës mbi përparësitë dhe prioritetet e veta.
– Cilat do të jenë përparësitë e tua, atëhere?
– Veç programeve bashkëkohore, do të kemi edhe programe specifike të kërcimit dhe argëtimit masiv. Kjo është një dukuri e re, që po na jep mjaft rezultat. Nuk bëhet fjalë vetëm për nxënësit e rregullt e me programe afatgjata, por edhe për ata që nuk janë pjesë e shkollës. Këto programe do të funksionojnë veçanërisht në ditët e pushimit apo në festa të ndryshme, qofshin edhe familjare. Tri katet e shkollës do të shndërrohen në mjedise ku njerëzit do çlodhen, pushojnë e festojnë, duke kërcyer e duke u argëtuar. Kjo është diçka e re… I ri është edhe programi për përgatitjen e mësuesve të baletit që do të punojnë në shkollat e tjera, pasi të certifikohen nga shkolla jonë…
– Po tjetër, çfarë keni ndryshe nga të tjerët?
– Ne po synojmë që nëpërmjet një programi të veçantë, artin e kërcimit ta vëmë në shërbim të përgatitjes fizike e sidomos, për rënien në peshë. Gjimnastika sportive e integruar në programet e kërcimit, po tërheq së tepërmi interesin e njerëzve.
– Diçka më shumë për këtë, mund të na thoni? Besoj se është në interes të lexuesve…
– Ky është një lloj kërcimi relativisht i ri në Greqi. Quhet zumba. Ai ka ritëm të shpejtë dhe shpenzon shumë energji. E preferojnë së tepërmi gratë dhe moshat disi më të rritura. Kur pjesëmarrësit dalin nga ky kërcim, e ndjejnë veten më të çlodhur, më të freskët e me një humor më të mirë. Zumba, nga dita në ditë, po tërheq më shumë praktikues në shkollën time.
– Si ju lindi ideja për hapjen e shkollës?
– Nuk ishte një ide e rastësishme, një emocion i çastit, apo ndonjë kapriçio e lindur nga ambiciet ziliqare. Kurrsesi, jo! Dëshira për të hapur  një shkollë baleti më ka lindur qëkur fillova të kërceja dhe m’u përforcua gjatë karrierës si balerinë dhe mësuese baleti. Punoja vazhdimisht me këtë synim, si për anën financiare, ashtu edhe për modelimin e shkollës. Madje, kjo e fundit më ka lodhur më tepër pasi më duhej të projektoja një shkollë moderne, me standardet më bashkëkohore në fushën e baletit.
– Është vërtetë moderne…
– Faleminderit dhe më vjen mirë që e konstatoni këtë. Për të arritur deri këtu, kam studiuar shumë shkolla baleti, jo vetëm në Greqi, por edhe në Francë, Gjermani, Itali, etj., kudo ku kam kërcyer. Kudo i kam parë shkollat me syrin për të marrë prej tyre gjërat më të bukura e më të veçanta, natyrisht, duke ia përshtatur vizionit tim dhe realitetit grek.
– Edhe ceremonia e përurimit ishte shumë mbresëlënëse… Kaq shumë televizione, të ftuar VIP! Kujt ia dedikoni këtë: Famës suaj apo organizimit të përsosur?
– Nuk mund te vendos dot një vijë ndarjeje mes tyre. Secila ka pjesën e tij. Unë u jam mirënjohëse gazetarëve të televizioneve greke si Antena, Star, Alfa etj. që më kanë nderuar sot dhe që do ta pasqyrojnë këtë ngjarje në emisionet e tyre, ashtu siç bëri edhe gazeta e madhe “Esspreso” që të enjten i bëri një vlerësim maksimal, jo vetëm shkollës, por edhe gjithë arritjeve të mia. Vlerësime të tilla vërtet më emocionojnë, më inkurajojnë dhe më bëjnë më të sigurtë në rrugën e nisur…
– Mendoni se pjesëmarrja për disa vite rresht në “Dancing vvith the stars” ju ka dhënë një shtysë jo të vogël në famën tuaj? Një ditë ju pashë në rrugë dhe vërejta që të gjithë kthenin kokën t’ju shikonin…
– Ishte fat i madh për mua që u bëra pjesë e këtij spektakli. Ishte vërtet një shkollë me vlera si në pikëpamjen profesionale, ashtu edhe në publikimin e vlerave, pra, një reklamë që nuk mund të bëhej me asnjë mjet tjetër.
– Po shoh këtu njerëz të të gjithë moshave që kërcejnë. Janë të gjithë nxënësit tuaj?
– Po, nxënësit e mi janë, nga mosha 6 deri në 65 vjeç. Është interesante se te moshat e rritura vërehet një dëshirë e pasion për të kërcyer, sa të krijon përshtypjen se ata duhet të arrijnë kohën e humbur ndër vite.
– Besoj se programet janë të ndryshme, sipas moshave, apo jo?
– Po, natyrisht. Grupmoshat e rritura i tërheq më shumë gjimnastika e ndërthurur me kujdes me programet e kercimit, ndërsa te grupmoshat e reja, programet janë ndërtuar në përqasje me zhvillimin dhe aftësitë fizike.
– Vërej sot edhe mjaft të huaj…
– Po, kam shumë nxënës të kombeve të ndryshme. Shkolla është shumëkombëshe, pasi arti i bashkon njerëzit, kombet, kultivon miqësinë, paqen, bashkekzistencën. Ndoshta gjuha e artit koreografik duhet të ishte gjuha e komunikimit botëror.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Njoftime nga Greqia

Next Post

Viagra, kundër dhimbjeve të menstruacioneve?

Advertisement