Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Me detyroi me dhunë që të abortoja

Kam lexuar që vajzat, kur bëhen nëna, janë luanesha. Më pëlqen pa masë kjo shprehje dhe mendoj se është e vërtetë, por ka raste që këto “luaneshat”, kthehen në lepuj.
Kur isha adoleshente, kuptohet, isha shumë e lumtur, e bukur, plot gjallëri, gazmore si gjithë rinia dhe, ndërsa vazhdoja shkollën e mesme, u njoha me një djalë. Më ndiqte vazhdimisht, më buzëqeshte, më përshëndeste e një ditë më shoqëroi rrugës për në shtëpi. Pas disa ditësh, më ftoi për kafe. Ishte shumë i këndshëm, i dashuruar dhe shikimi i tij sikur më digjte. Sa herë shikimet tona përplaseshin, skuqesha e tëra. Sigurisht që shoku i ri ma vuri në dukje shumë ëmbël, duke më thënë se i pëlqente kjo pjesë e imja sepse tregonte se isha shumë e sinqertë. Në fakt, kjo ishte e vërtetë, por sinqeriteti nuk ishte i dyanshëm. Vazhduam disa kohë të pinim kafe derisa një ditë, kur po ktheheshim, më hodhi krahun në qafë dhe më puthi në faqe. Gjithë trupi m’u drithërua nga kjo puthje, e cila do të pasonte me të tjera e të tjera. Kështu, ne u lidhëm e vazhduam të dashuruar më njëri-tjetrin për tre vjet. Ishim shumë mirë bashkë, nuk ishte xheloz, edhe pse unë shkoja me shoqërinë e shkollës në kinema apo pabe. Zakonisht ishte shumë i kujdesshëm për të respektuar oraret e kthimit në shtëpi, që të mos binte në sy te shoqëria apo familja ime. Shumë rrallë më vononte, por edhe kur ndodhte, vonohesha vetëm për pak minuta. Edhe vendet ku më çonte nuk më dukeshin të rëndomta, ishte shumë romantik, shfrytëzonte çdo bukuri të natyrës për të më kënaqur. Me të vërtetë që kishte botë të pasur shpirtërore, kishte edhe goxha formim. Shumë njohuri të përgjithshme që kisha filluar t’i neglizhoja në shkollë, ai përpiqej të m’i nguliste me biseda. Me të vërtetë që isha dashuruar këmbë e kokë me këtë djalë dhe gjërat ishin shumë të bukura derisa një ditë i thashë se kisha dyshime se isha shtatzënë.
– Si mund të ndodhë kjo? Ne i kemi llogaritur mirë ditët… – më tha. – Apo ke harruar të marrësh pilulën. Me siguri, e ke bërë kastile!
Kjo më shushati dhe mbeta pa përgjigje. Arrita të thoja vetëm se unë isha veç 17 vjeçe… Më shtrëngoi krahun si morsetë dhe më futi në një rrugicë. Nuk e di se si njeriu mund të shndërrohet në bishë brenda dy-tre minutave, por kjo i ndodhi atij mu përpara syve të mi. Më qëlloi me një grusht barkut dhe menjëherë më mbajti nga supet për të mos rënë sepse pa një çift që po afroheshin dhe bëri sikur po më përqafonte. Sapo ato kaluan, u përpoqa të ikja; e dija që goditjet s’do të kishin fund nëse do të rrija aty, por ishte e pamundur të ikja nga krahët e tij. Nuk më qëlloi më, por nxori telefonin dhe bëri një telefonatë.
E shokuar nga veprimi i tij, nga dhimbja jo për veten time, por për fëmijën tonë fatkeq, nga frika e tmerri se çfarë më priste me vonë me këtë njeri, nuk munda të dëgjoja asgjë çfarë tha apo i thanë, megjithëse e kisha shumë pranë. Ashtu, duke më shtrënguar krahun, ai më çoi në një kafe me oborr.
– Ulu me shpinë nga njerëzit, – më tha. E kishte vendosur që të mos i linte lotët të thaheshin më edhe sot e kësaj dite. – Do të flas mbasdite me një doktoreshë që njoh dhe do të shkosh në klinikën e saj private që të abortosh. Orarin do ta lë për nesër ose pasnesër paradite, s’do të shkosh në shkollë, po do mbyllim këtë punë, – më tha. – Orarin do të ta nis me mesazh mbasdite.
E gjithë bota ime u shemb. Jo se unë isha e lumtur për këtë shtatzani në këtë moshë, por mendoja se me një njeri të hajrit familjar çdo problemi i dilet në krye. Mes lotësh, nuk arrija as të mendoja, as të kundërshtoja, veçse gjithçka që kisha rrotull e shihja si të mjegullt. Për mua kishin mbaruar ditët e bukura, kishte ikur shkëndija që më ndizej kur e shihja në cepin e rrugës tek më priste të dilja.
– O Zot! Nuk arrij të kujtoj as ato çaste të bukura që kam kaluar me ty… – i thashë.
– Aq më mirë, – më tha, – nuk ka ç’të duhet të kujtosh asgjë timen tashmë.
Nuk arrita ta analizoja të plotë pohimin e tij, por di që më dhembi më shumë se grushti që më dha sapo u kthyem në rrugicë. Po përpiqesha të qetësoja dënesat, por ishte e pamundur.
– Qetësohu! Si do të shkosh kështu në shtëpi? – më thosh me atë zërin e acartë, që tashmë po më fuste krupën.
– Nuk ka ç’të duhet ty qetësia ime. Do arri, të gënjej siç kam gënjyer të gjitha herët e tjera për ty. Sa herë jam vonuar sadopak, më ke mësuar të gënjej, kështu që më mëso edhe këtë herë, – i thashë.
Si mund të shkërmoqet gjithçka brenda 1 ore, si mundet që një krijesë e pafajshme të të përmbysë gjithë atë që të është dukur mrekulli. O Zot, edhe mua më dukej sikur më kishte filluar numërimi përsë prapthi; as i bukur nuk po më dukej më, as xhentil s’po më dukej. Nuk e kuptoj se si gjithçka që kisha adhuruar tek ai njeri tashmë më duket se ka qenë ose budallallëk i imi, ose shtirje totale nga ana e tij. Pas një ore arrita të paktën të mos qaja dhe ika në shtëpi. U justifikova që më kishin ardhur periodat e kisha dhimbje dhe u shtriva për të qarë. Çfarë të bëja? Të fikja telefonin dhe të mos merrja mesazhin e tij? T’i përgjigjesha mesazhit dhe t’i thoja që nuk pranoja të shkoja? Aq e re sa isha, a isha gati të rrisja një fëmijë vetëm? Si do ta priste këtë lajm familja ime? Çfarë duhet të bëj? Kë të pyesja? Askujt nuk i tregoja dot për hallin tim. Si adoleshente, fillova të ëndërroja sikur gjërat të kishin shkuar ndryshe, ai ta kishte pritur mirë lajmin e të gëzohej që do të bëheshim prindër, megjithëse unë shumë e re. Po ëndërroja veten me një bebe shumë të bukur në krahë, kur zilja e mesazhit ma ndërpreu këtë ëndërrim…
Më shkruante se më priste të nesërmen në orën 8.30 si edhe vendin saktësisht se ku do të takoheshim. Po përpiqesha të mendoja, jo të ëndërroja si më parë. Gjithë natën u përpoqa të mblidhja fjalë që të mund t’i ndryshoja mendjen të mos abortonim fëmijën. Më në fund, mendoja se i kisha bërë gati ato pak fjalë që ta merrja me të mira dhe të ndryshoja vendimin, sigurisht të tijin, sepse unë në këtë rast isha vetëm roboti që do të bëja ç’të më thoshte.
Në mëngjes, sa e pashë nga larg, e kuptova që fjalët e mia s’do të kishin pikë vlere. Më kot u rreka t’i thoja “mirëmëngjes”, pasi nuk mora përgjigje përveçse një tërheqje të dhunshme për krahu.
Mjekja po na priste. Sapo mbetëm vetëm, më paralajmëroi për pasojat e një aborti në këtë moshë kaq të re sa isha unë, por i thashë që nuk kisha zgjidhje tjetër… Pas 3 orësh, kur më doli narkoza, “i dashuri” më priste në cep të rrugës që të më shoqëronte për në shtëpi. Ishte zbutur sepse nuk kishte më hall, po përpiqej të tregohej i dashur me mua, bile më tha edhe që gjërat do ktheheshin si më parë se do të ishim të lumtur e ku e di unë sa shumë broçkulla nxirrte goja e tij e shëmtuar. U përpoq të justifikohej se isha shumë e re dhe se asnjëri prej nesh nuk ishte gati të bëhej prind, se ishte përgjegjësi e madhe të rrisje fëmijë… Sa fjalim i bukur kur e dëgjon dhe nuk je i përfshirë vetë! Fatmirësisht, rruga po mbaronte sepse nuk po e duroja dot më.
Afër shtëpisë sime, kur zbrita, i thashë me një fytyrë prej të vdekuri siç dukesha në ato momente, por me zë të egër që shprehte gjithë atë çka ndjeja, që të mos më afrohej më. Ai e kishte mbaruar misionin e tij.
Sigurisht, erdhi shpesh e më thoshte se duhet ta takoja, duhet të flisninm që të sqaroheshim, më priste në rrugë, herë më e fliste e herë jo, gjithnjë me qëllimin që të pajtoheshim, por sinqerisht, për mua ishte e pamundur të harroja atë çka kishte ndodhur.
Si mund të harroja këtë gjë të tmerrshme që kisha bërë? M’u duk se librat sikur ma mbyllnin pak plagën, aty gjeta prehje për të mbajtur gjallë atë pak “shpirt adoleshenteje” që më kishte mbetur. Tashmë, jam në fakultet, kanë kaluar 3 vjet nga ajo që ndodhi, por ajo plagë është e hapur. Edhe pse në libra lexoj shumë histori të ngjashme me timen, plaga ime vazhdon të më dhembë, si të jem e vetmja në botë që e kam përjetuar… D.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Visjan Ukcenaj, laçjani i “Apartamenti 2XL”:"I ka mbet sahati mbrapa"

Next Post

10 cilësitë e një dashnori të mirë

Advertisement