Hekuran Krasniqi është ndër të paktët kantautorë që produktet muzikore i nxjerr shpesh dhe saktë. Së fundi, ai ka lançuar klipin me titull “Atdheut tim”, në bashkëpunim me një këngëtar të ri, Albijon Rexha. Në pamje të parë duket si një shembëllim i kolegëve të tyre, Adrijan Gaxhës dhe Florianit, por vetë Hekurani na tregon që ky bashkëpunim është krejt ndryshe. Me Hekuranin folëm edhe për gjëra të tjera, sidomos për makinat, që ai i ka shumë për zemër…
Fabjola Kuburi: – Klipi yt më i ri, titullohet “Atdheut tim”. Pse pikërisht kështu?
Hekuran Krasniqi: – Kënga u djetohet të gjithë bashkatdhetarëve që jetojnë jashtë trojeve shqiptare ku kanë krijuar familjet e tyre dhe zhvillojnë jetën e tyre aktive në punë e shkollë, që të mos harrojnë atdheun e tyre rrënjët prej nga i kanë sepse konsideroj që dalëngadalë, me futjen e globalizimit me një ritëm të shpejtë te shqiptarët, po shkojmë drejt asimilimit kombëtar.
– Pse me Albijon Rexhën? Çfarë të lidh me të?
– Albioni është një këngëtar i talentuar, që ka lindur në Zvicër dhe insistimi i babait të tij që të krijojë një profil artistik për djalin e tij, më ka motivuar të merrem me përgatitjen e këngëve të tij dhe t’i jap përkrahjen e nevojshme.
– A mund të quheni edhe ju një dyshe e suksesshme, si Ardiani dhe Floriani?
– Jo, nuk do të thoja një dyshe e tillë. Ne nuk kemi përgatitur muzikë për diskotekë, por muzikë që do të dëgjohet ndër vite.
– Keni menduar për ndonjë turne së bashku në Shqipëri dhe vendet ku jetojnë shqiptarët?
– Shpresoj që po, madje shumë shpejt.
– Po punon për një album të ri apo si shumë këngëtarë të tjerë, do të ndjekësh trendin “një këngë një klip”?
– Një këngë një klip! Fatmirësisht, unë kam studion time që quhet “By Heki”, ku kam një numër të konsiderueshëm këngësh dhe jam duke përgatitur albume e jo album.
– Sipas Hekuranit, çfarë i mungon tregut muzikor shqiptar sot?
– Muzikantët e bashkuar, muzika live.
– Sa zemra ka Hekuran Krasniqi?
– Një timen dhe miliona të tjera, të dëgjuesve të muzikës sime.
– Ti ke një këngë me titull “Ndarje pa kuptim”. Sipas teje, si është një ndarje pa kuptim?
– Ndarje pa kuptim është si fillim titulli i këngës, duet me Albina Demakun, këngë që po pritet jashtëzakonisht mirë. Ne kemi kënduar sëbashku dhe fatmirësisht, nuk ka të bëjë me diçka të vërtetë apo personale.
– Darka më e mirë që e mban mend me miq, apo dikë të njohur?
– Fatmirësisht, kam darkuar shumë herë për gëzime dhe sebepe të mira. Është diçka e bukur që të jesh pjesëmarrës në gëzime familjare, një kënaqësi më vete.
– Kush është më e mira/miri në botën e artit shqiptar, sipas teje?
– Veprat që kanë zgjuar emocionet e shqiptarëve janë të shumta, por sinqerisht, do të shkëpusja kësaj here muzikën e viteve ‘90 e cila është kultivuar në nivele shumë të larta.
– Ke qarë ndonjëherë?
– Po, kam derdhur lot pikëllimi dhe lot gëzimi, kam parë dhe ndjerë ngjarje të gëzueshme e pikëlluara…
– Ka mbetur diçka në letër, që nuk e ke realizuar ende?
– Kam shumë tekste këngësh dhe ditarin e jetës sime plot ngjarje, ku në një të ardhme do të skicoj ngjarjet, do të bëj një skenar dhe një film!
– Pse vishesh me të zeza?
– Ngjyrën e zezë e kam qejf, por kjo nuk do të thotë që nuk i përdor edhe ngjyrat e tjera.
– Kur këndon në klub apo diskotekë ku ke qenë i ftuar, ka ndodhur të takosh aty edhe fqinjin tënd?
– Po, sidomos në koncertet e organizuara në Prizren, sepse unë vetë jam nga Prizreni dhe atje kam më shumë fqinjë.
– Cila është fjala që përdor më shpesh me përkëdheli me miqtë e tu?
– “Lali”. Më ka mbetur ves nga miqtë e Shqipërisë. (Buzëqesh)
Hekurani dhe makinat
– Kur ishe i vogël, cila ka qenë makina jote e parë?
– Fiat 750 FIQA, siç e quanim ne!
– Kur ka qenë kontakti yt i parë me timonin?
– Para vitit 1999, e kam ngarë makinën pa patentë. Mos i thoni njeriu… (Qesh)
– Sa makina ke ndërruar deri tani?
– Katër makina.
– Çfarë makine preferon dhe çfarë makine ke?
– Tani preferoj makinat angleze dhe e kam një të tillë aktualisht, Land Rover, Free Lander.
– Cili nga garuesit në botë të pëlqen më shumë?
– Nuk kam ndonjë preferencë për garuesit, ngaqë nuk e pëlqej shpejtësinë.
– Udhëton me makinë edhe jashtë Kosovës?
– Po, udhëtoj edhe nëpër Evropë sa herë që jam andej me koncerte. Më pëlqejnë shumë rrugët dhe funksionimi i komunikacionit.
– Në cilat vende të pëlqen të udhëtosh më shumë?
– Në Zvicër, sepse edhe shpejtësia është e kufizuar në 120 km/h maksimumi.
– Cila është shpejtësia më e madhe që ke arritur deri më sot?
– 140 km/h.
– A ke probleme me trafikun?
– Në Kosovë po, por edhe në Shqipëri, sepse të flasim realitetin, rrëmuja bën të vetën.
– Çfarë nuk të pëlqen te shoferët në Kosovë e në Shqipëri?
– Te shoferët në Kosovë nuk më pëlqen ngutja në ngasjen e makinave me shpejtësi sikur kanë urgjencë dhe në fund përfundojnë nëpër kafene për të pirë kafe e makiato, ndërsa në Shqipëri, presioni që ushtrojnë shoferët me boritë e makinave, aq sa duket sikur je në dasmë dhe po marrin nusen. (Qesh)
– Cila prej makinave që ke pasur, të ka mbetet në mendje?
– Fiat Punto. Është makina më të cilën kam bërë shumë kilometra…