Na thoni si flini dhe do t’ju themi se kush jeni… Disa prej nesh kanë nevojë për dhjetë orë gjumë në natë, që të zgjohen të freskët, ndërkohë që të tjerë kënaqen edhe me pak orë. Ne, të gjithë, vuajmë herë pas here nga problemet me gjumin, që mund ta kthejnë jetën në një makth të vërtetë. Po ju, a flini aq sa duhet për të qenë në formë gjatë ditës? I keni plotësuar të gjitha kushtet që të kaloni një natë çlodhëse? Për ta mësuar, bëni këtë test të përpunuar me mjekë specialistë të problemeve të gjumit…
1. Në zyrë, ju ndodh t’ju zërë gjumi para kompjuterit?
a. Kurrë
b. Nganjëherë
c. Rrallë
d. Shpesh
2. Sapo bie alarmi i orës suaj, ndjeheni:
a. Gati për sulm
b. I lodhur. Me gjithë qejf, do të flinit më shumë.
c. I lodhur, por ngriheni, meqë është e domosdoshme…
d. I squllur, sikur ju kanë rrahur me shkop.
3. Nëse harroni gjatë javës të programoni alarmin e orës, ju:
a. Zgjoheni praktikisht, si zakonisht
b. Ju ngre nga shtrati partneri/ja
c. Zgjoheni pak më vonë se zakonisht dhe nxitoni për të arritur në kohë në punë.
d. Ju zgjon zilja e celularit. Në anën tjetër, shefi!
4. Në zyrë, ju ndodh t’ju hapet goja:
a. Shumë rrallë.
b. Shpesh
c. Me raste
d. Gjithë kohën
5. Keni vështirësi në përqendrim?
a. Shumë rrallë
b. Shpesh
c. Me raste
d. Gjithë kohën
6. Bëni gabime pakujdesie në punë?
a. Shumë rrallë
b. Varet, sidomos kur ndjeheni i lodhur.
c. Ju ndodh nganjëherë
d. Gjithnjë e më shpesh
7. Cili është refleksi juaj kur bie zilja e orës?
a. E fikni dhe ngriheni menjëherë nga shtrati
b. Kërkoni symbyllurazi butonin e fikjes së alarmit
c. E lini të bjerë për ca kohë, para se ta fikni
d. I fusni një grusht për ta fikur.
8. Të menduarit për të ardhmen…
a. …ju kënaq
b. …ju fut në ankth
c. …s’ju zgjon asnjë ndjesi
d. …e keni shumë të vështirë në këtë moment.
9. Në këtë moment, marrëdhëniet tuaja me miqtë që keni janë:
a. Ideale
b. Lehtësisht të tendosura
c. Të kënaqshme
d. Joekzistente
10. Cili është përcaktimi juaj për një natë të mirë gjumi?
a. Një natë si të tjerat
b. Një natë kur nuk ju zë gjumi me vështirësi dhe nuk zgjoheni shpejt
c. Një natë kur shtriheni për të fjetur herët
d. Më shumë se 3 orë gjumë, pa ndërprerje
11. Juve ju zënë rrufat:
a. Kurrë
b. Nganjëherë
c. Rrallë
d. Shpesh
12. Nëse do t’ju propozonin një kurë gjumi, do të thoshit:
a. “Jo, faleminderit”.
b. “Pse jo?!”
c. “Nuk është për t’u refuzuar”.
d. “Oh, po, me kënaqësi”.
13. “Meteorologjia” e moralit tuaj:
a. Shkëlqen dielli
b. Re
c. Re me diell
d. Stuhi
14. Netët pa gjumë, ju:
a. I përballoni
b. I keni frikë
c. I evitoni
d. I grumbulloni
15. Ju ka ndodhur të pini ilaçe gjumi:
a. Kurrë
b. Disa herë
c. Një herë
d. Shpesh, gati çdo natë
Rezultatet
Nëse keni më shumë përgjigje a. Ju flini mirë
Netët tuaja të gjumit e përmbushin shumë të mirë rolin e tyre çlodhës. Ju nuk e keni të vështirë t’ju zërë gjumi dhe flini pa ndërprerje, gjatë gjithë natës. Më pas, ngriheni i/e freskët dhe i relaksuar. Kjo ndikon edhe në humorin tuaj, pasi duke qenë i çlodhur dhe i freskët, e përballoni më mirë ditën. Orët tuaja të gjumit janë thelbësore. Ju e dini se një orë më pak mund të ketë efekt negativ në ditën e nesërme, kështu që bëni ç‘është e mundur për të fjetur në të njëjtën orë dhe të evitoni daljet mbrëmjeve me shoqërinë gjatë javës, që janë sinonime të netëve pa gjumë. Tri kushte janë të nevojshme për të pasur një natë të mirë: Të jesh i qetë për t’u lëshuar në krahët e Morfeut, të ndjehesh i sigurtë dhe të respektosh ritmet biologjike. Ju i përmbushni këto tre kushte. Shqetësimet e vogla dhe problemet e tjera të jetës së përditshme nuk kanë të drejtë të hyjnë në dhomën tuaj të gjumit dhe, aq më mirë. Ju arrini të largoni stresin e punës dhe shtëpisë në mënyrë të mjaftueshme, falë aktiviteteve relaksuese, në mënyrë që netët tuaja të përbëjnë një burim energjie të mjaftueshme për të vazhduar ditën. Ritmi juaj i jetës është në harmoni të përkryer me nevojat tuaja.
Nëse keni më shumë përgjigje b. Ju bëni një gjumë të vështirë
Ju keni vështirësi për t’ju zënë gjumi, ose zgjoheni para kohe. Nata juaj, pra, nuk është çlodhëse. Stresi, tensionet apo shqetësimet janë nganjëherë burim i këtyre problemeve të gjumit. Mbase ju po kaloni një periudhë të vështirë në jetën tuaj. Shqetësimet ndikojnë në cilësinë e gjumit, pasi e keni të vështirë të mos mendoni për problemet që keni, duke i lënë ato të zënë një pjesë të madhe të mendjes suaj. Mbase ju nuk plotësoni kushtet e nevojshme për të fjetur: Shumë zhurmë, shumë dritë… mjedisi mund të ndikojë te gjumi. Që të flesh, nevojitet edhe të jesh i qetë shpirtërisht, i relaksuar, të ndërpresësh aktivitetet fizike dhe ato mendore. Këshillë: Lërini shqetësimet jashtë dhomës së gjumit. Nëse nuk arrini të flini gjumë, bëni një banjo relaksuese, por në temperaturë mesatare. Gjithashtu, mund të pini një çaj kamomili. Nëse zhurma e rrugës apo fqinjëve ju shqetëson, mendoni të vini xhama të dyfishtë, ose tapa veshësh. Ky gjumë i vështirë është pa dyshim shenjë e ankthit që ekziston në jetën tuaj e që nuk arrini ta zbrazni. Përpiquni të analizoni shkakun apo shkaqet e stresit tuaj, me qëllim që të gjeni një zgjidhje. Përpiquni edhe të gjeni më shumë kohë për veten, duke u marrë me aktivitet fizik gjatë ditës dhe duke bërë një jetesë të rregullt. Kjo do t’ju mundësojë të largoni ose kontrolloni më mirë stresin, për të bërë një gjumë të qetë. Nëse këto probleme gjumi vazhdojnë, ndihma e një profesionisti mund t’ju ndihmojë të zbuloni origjinën e stresit tuaj dhe më pas, të mundoheni ta largoni.
Nëse keni më shumë përgjigje c. Ju bëni një gjumë të ndryshueshëm
Juve ju ndodh të flini si një bebe dhe të jeni i çlodhur për të filluar një ditë të re, por nganjëherë, netët tuaja janë më të shkurtëra dhe gjumi, i pamjaftueshëm për të kompensuar aktivitetin e ditës. Flini shumë vonë, bëni gjumë jo të mirë ose rrini pa gjumë, për shkak të një mbingarkese me stres. Këto netë (të rastësishme), bëjnë që të nesërmen të ndjeheni shumë të lodhur dhe pa energji. Çdo njeri në jetën e vet mund të vuajë nga periudha pagjumësie. Megjithëse janë të zakonshme, ato mund të përfundojnë në probleme kronike, prandaj duhen identifikuar shkaqet: Jetë jo e rregullt, ndryshime në jetën profesionale apo sentimentale, marrje ilaçesh, periudhë stresi apo ankthi… Ju jeni i ndërgjegjshëm për faktin se mungesa e gjumit ndikon në cilësinë e jetës dhe mirëqenien tuaj, por nuk refuzoni asnjë mbrëmje me shoqërinë… Kur jeni i tendosur dhe i stresuar, gjumi juaj e ndjen, pasi e keni të vështirë të lëshoheni në krahët e Morfeut. Dijeni që stili ynë i jetës ndikon në gjumin tonë. Për të pasur një gjumë të mirë, bëni një jetë të shëndetshme, duke fjetur dhe duke u zgjuar në një orë fikse.
Nëse keni më shumë përgjigje d. Ju vuani nga pagjumësia
Dy janë mundësitë: Ose flini shumë pak, ose rrini zgjuar deri vonë dhe ngriheni herët. Në planin moral ju ndjeheni i/e trishtuar dhe e keni të vështirë të punoni. Për pasojë, gjatë ditës ju mungon përqendrimi, ndjeni një lodhje të madhe, jeni i irritueshëm ose agresiv, keni ulje përqendrimi, efikasiteti dhe vigjilence. Mungesa e gjumit shton stresin dhe mund të ketë pasoja në jetën tuaj shoqërore, sentimentale dhe profesionale, por edhe në shëndet. Mos hezitoni të konsultoheni me një psikolog, por së pari, me mjekun e familjes e pastaj specialistin, nëse jua këshillon mjeku, sepse pagjumësitë që zgjasin mund të fshehin një depresion (shumica e sëmundjeve fizike apo psikologjike shoqërohen me pagjumësi). Ju jeni viktimë e një pagjumësie psiko-fiziologjike. Në realitet nuk keni një privim të vërtetë të gjumit, por i vuani shumë zgjimet gjatë natës. Gjumi juaj është me cilësi të keqe, me mendime që nuk ju lënë të flini rehat dhe të nesërmen, zgjoheni të lodhur. Me gjithë këtë lodhje, e keni të vështirë t’ju zërë gjumi në darkë, ose të flini në drekë. Ju ndjeni disa tensione psikologjike, një pakësim të performancave tuaja. Duhet të ndryshoni sjelljen tuaj, mënyrën se si e trajtoni gjumin. Më mirë do të ishte të ndiqni një terapi sjelljeje.
Blerta