Jam një djalë nga Gjirokastra që dua të mbetem anonim, pasi e di shumë mirë se gjërat që do t’ju tregoj janë me të vërtetë të ulëta dhe mua më vjen turp që e gjithë Gjirokastra të marrë vesh ç’kam bërë në të kaluarën time!

Në familjen tonë jemi dy vëllezër. Në vitet ’90, si të gjithë bashkëmoshatarët tanë, u detyruam nga kushtet ekonomike që të emigronim jashtë shtetit, në Greqi.

Mamaja ime në kohë të komunizmit ka qenë shitëse, ndërsa babai punonte në një fabrikë e cila më vonë u privatizua dhe që të dy mbetën pa punë. Mbaheshim katër vetë vetëm me bukë thatë. Më në fund erdhi demokracia dhe na pa edhe neve Zoti! Të gjithë shokët e mi braktisën shtëpitë e tyre dhe morën rrugët për në kurbet. Ca arritën të gjallë e ca humbën maleve të Greqisë, por kjo nuk më trembi…

E mbaj mend si sot natën kur u nisa. Kishin filluar trazirat dhe Shqipëria ishte në një kaos total. Të gjitha “arratisjet” bëheshin sapo të binte errësira në mënyrë që të mos na kapte policia kufitare, kështu që kur ra mbrëmja u nisa vetëm me një çantë të vogël në sup.

Kam fjetur maleve i mbështjellë me celofan. Isha pa pasaportë dhe pa asnjë dokument tjetër identifikimi! Nëse më ndodhte fatkeqësia që të vdisja nëpër male, tani do isha harruar. Unë mbërrita atje i pari nga i gjithë fisi im. Nuk kisha as xhup për të veshur dhe po thaja nga të ftohtit! Kështu, qeshë i detyruar që kur mbërrita në Athinë, të futesha në një supermarkët, ku vodha një xhup që të më vinte shpirti në vend.

Kjo ishte vjedhja e parë që kam kryer…

Pasi u sistemova atje, normalisht duke bërë lloj-lloj punësh të zeza, siç u thonë, pra pa letra, tërhoqa edhe vëllain tim që të punonim së bashku për një të ardhme sa më të mirë. Duhet t’i dërgonim para familjes, të mbanim veten me bukë dhe të paguanim qiranë.

Kur erdhi vëllai bashkë me një kushëri, u bëmë një “skuadër” dhe më në fund gjërat sikur po shkonim më për mbarë. Filluam të kishim punë dhe të fitonim mirë, por jo gjithnjë na ecte siç duhej dhe kishte raste që kur u dërgonim para familjarëve, mbeteshim vetë pa asnjë grosh në xhep dhe detyroheshim të vidhnim bukë për të mbajtur frymën gjallë.

Ne që të tre bënim vetëm punë të ndershme. Edhe pse, siç u shpreha pak më sipër, ato nuk ishin me letra, e rëndësishme ishte që ishim njerëz të ndershëm dhe nuk merreshim as me drogë, as me pisllëqe të tjera, që fare mirë mund t’i bënim dhe të ktheheshim pastaj me miliona që të ndërtonim restorante dhe hotele (siç bënë disa nga shokët tanë) e të rronim si mbretër.

Një herë, mbaj mend që na duhej të suvatonim nga jashtë një vilë tre katëshe të një supermilioneri. Ishte një javë pune e lodhshme dhe në kushte të rrezikshme për jetën (edhe nëse dëmtoheshim nuk mund të shkonim në pital sepse atje do të na kërkonin dokumentet e qëndrimit dhe nëse nuk kishim, policia na merrte dhe na kthente menjëherë mbrapsht). Na duhej të ishim të kujdesshëm në maksimum e gjithashtu, të punonim me të gjithë forcat tona që ta bënim punën sa më mirë për të marrë ndonjë lek më shumë.

Kur mbaruam shërbimin pronari i vilës na tha “Efkaristo” dhe na detyroi që të iknim!

Ne u habitëm dhe i thamë:

– Zotëri, paratë!

Na takonte që të merrnim secili rreth dy mijë dhrahmi, por ai na tha në greqisht:

– Çfarë lekësh doni ju? Ikni para se të thërras policinë që t’ju kapë prej leckash dhe t’ju kthejë përsëri në Shqipërinë tuaj të qelbur!

Sjellja e tij më tërboi. Ne i bëmë punën ashtu siç duhej dhe ai të sillej me ne ashtu?! Po ne për bukën e gojës po punonim, madje ajo ishte një punë që po ta bënte një grek do të kërkonte më shumë para…

Si përfundim, greku i poshtër nuk na i dha paratë dhe ne vendosëm të hakmerreshim! Filluam të kryenim vjedhje nëpër dyqane dhe supermarkete. Vidhnim lloj-lloj gjërash, edhe nga ato më absurdet, deri te çokollatat e çamaçakëzat.

Një herë, mbaj mend që një shqiptar që e njihnim na kërkoi t’i jepnim një kasetofon makine dhe ne ia gjetëm. Këtë lloj sjelljeje e bëmë rrugë, si e si të dëmtonim grekët që po hidhnin baltë mbi ne, vetëm sepse ishim shqiptarë!

Një mbrëmje isha nisur për të vjedhur një kasetofon makine. E kisha pikasur me kohë makinën “viktimë” dhe kur mendova se ishte momenti i duhur po i afrohesha që të kryeja vjedhjen.

Kur nxora çelësat nga xhepi dhe po provoja të hapja derën (mbaja disa çelësa që na i kishte siguruar një miku ynë), pashë se asnjë çelës nuk po e hapte. Papritur, kur zgjata kokën brenda, pashë se dikush ishte ulur te sedilja e parë dhe në momentin që unë po bëja zhurmë me çelësat, ai hapi sytë dhe i ra xhamit.

Në fillim nuk po e merrja vesh ç’po ndodhte… Më kishte rastisur që kur hapja ndonjë makinë, mund të ishte ndezur sinjali i alarmit, ose mund të kishte dalë në dritare i zoti dhe unë ia kisha futur vrapit, por diçka e tillë s’më kishte ngjarë asnjëherë.

U tremba aq shumë sa në një moment ngriva në vend.

Ai personi që ishte brenda në makinë më tha një fjalë të pisët në greqisht dhe sapo bëri të hapte derën unë ia krisa vrapit nga sytë këmbët, në të qindtat e sekondës. Vrapova dhe kisha frikë ta ktheja kokën pas sepse më dukej sikur ai po vinte nga pas dhe do më gjuante me ndonjë gjë. Vrapoja dhe fryma sa s’po më merrej nga frika e cila ishte pasojë e imagjinatës sime. Imagjinoja sikur ai do të më arrinte me vrap dhe do të më ngulte thikën pas shpine, ose se ai mund të më dilte papritur përpara. Lloj-lloj gjërash më shkonin në mendje në një periudhë aq të shkurtër kohore, por për fatin tim të mirë, asgjë nga këto nuk ndodhi. U sigurova që ai ishte tashmë larg pasi dëgjova zërin e tij tek më bërtiste:

– Ta tregoj unë qejfin po të kapa, emigrant i dreqit!

Atë natë nuk më zinte gjumi. Mendoja ç’do të ndodhte me mua nëse ai do të më bënte (mos o Zot!) ndonjë gjë të keqe. Mendoja për familjarët e mi të cilët do të vuanin shumë për vdekjen time e më pas ndihesha keq për faktin se nuk do të mund të jetonin më dhe aq mirë ekonomikisht. Edhe vëllai im do dekurajohej dhe do të kthehej në atdhe për të bërë një jetë qeni, vetëm me pensionet e prindërve.

Ja, kësi budallallëqesh më shkonin ndërmend atë natë.

Mbaj mend që në ato pak orë që fjeta, pashë në ëndërr skenën që më kishte ndodhur, por në versionin që po mendoja para se të flija. Ishte e tmerrshme. Për njëfarë kohe nuk mund të bëja dot më gjëra të paligjshme. Po punoja dhe po fitoja para vetëm në mënyrë të ndershme.

Më pas, u bë shkas për t’iu kthyer vjedhjes, një bast me disa miqtë tanë shqiptarë që thoshin se askush nuk ishte i zoti për të vjedhur në një dyqan me rroba firmato në qendër të Athinës. Unë u preka në sedër dhe u thashë:

– Çuna, unë e bëj këtë gjë!

Ata filluan të talleshin dhe po thoshin se kishin provuar edhe ata të vidhnin atje, por nuk ia kishin dalë dot mbanë sepse kishte patur shumë kamera survejimi dhe policë që nuk të linin të bëje asnjë hap të gabuar (Duhet ta keni parasysh që vjedhja po bëhej jo sepse ne ishim keq për një palë pantallona apo për një xhaketë, por si një bast për të provuar aftësitë tona).

Vajta te dyqani i veshur pak hollshëm dhe mora dy kostume. U drejtova për te dhoma e zhveshjeve dhe njërin e vesha mbi rrobat që kisha (pasi i shkula ato objektet metalike që shkaktonin alarmin) dhe tjetrin e ktheva përsëri! Kështu, dola dhe nuk më ndodhi asgjë.

Shokët u habitën dhe që atëhere më dhanë një status “të veçantë”. Një ditë u futëm në një supermarket për të vjedhur një xhup që do t’ia jepja një mikut tim që sapo kishte ardhur dhe kishte nevojë për të. U futa dhe pasi bëra manovrimet e duhura, mora xhupin, vajta në tualet dhe e hodha nga dritarja që ta merrja më pas! Dola nga tualeti shumë normalisht dhe ika jashtë andej nga ana e dritares që e hodha (natyrisht që e kisha “studiuar situatën” fillimisht), e mora xhupin dhe ia dhashë mikut tim i cili edhe sot e kësaj ditë ma kujton këtë gjest dhe ma di për faleminderit.

Një shokut tonë që jetonte me ne, i ra fati i keq që të kapej nga policia. Ai u mbajt në rajon për 24 orë dhe pastaj, duke qenë se nuk kishte pasur dokumente, e kthyen në Tiranë. Ai faktikisht kishte bërë një vjedhje parash në kasën e një dyqani, por kjo nuk u jepte grekëve të drejtën për ta keqtrajtuar, ashtu siç e rrahën atë në rajon.

Që prej kësaj ngjarjeje që i ndodhi atij, unë e mblodha mendjen një herë e mirë që të mos kryeja më asnjëherë vjedhje. Punova edhe për ca kohë atje dhe më pas, me të gjitha kursimet që kisha mbledhur erdha këtu dhe investova në një biznes privat nga i cili fitoj shumë.

Normalisht, nuk më vjen mirë kur kujtoj këto ngjarje jo dhe aq të bukura të së kaluarës sime, edhe pse kur mblidhemi me shokët, i tregojmë si gjëra për të qeshur!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *