“Jam një zonjë nga Jugu, 44 vjeçe… Fati nuk më ka buzëqeshur kurrë… U martova me dijeninë e prindërve në një qytet tjetër. Martesa shkoi mirë në fillim. Më pas ngela shtatzënë. Burri që kisha, filloi të ftohej shumë me mua, derisa një ditë, erdhi në shtëpi dhe më tha se do të shkonim te njerëzit e mi. U nisëm dhe gjatë rrugës, nuk fliste fare. Kur mbërritëm në shtëpi, mamaja u gëzua, por nuk e dinte se do të vinte vreri më mbrapa. U bë mëngjes. Vëllai mori ish-burrin tim dhe dolën për kafe, kurse unë me mamanë, po shikonim rroba për bebin. Kështu, burri vendosi të më linte në shtëpinë e prindërve… Nuk mendoi në asnjë moment për fëmijën tonë, që unë e kisha në bark…”, kjo ishte letra që na erdhi në redaksi nga një zonjë, e cila na kërkonte ta ndihmonim për të gjetur djalin e saj, të cilin ka qenë e detyruar ta linte në maternitet para 21 vjetësh… Ne kontaktuam me të dhe zhvilluam këtë intervistë që përcjell dhimbjen dhe njëkohësisht, shpresën se ndoshta një ditë, Lindita do të mund të përkëdhelë fëmijën e saj të parë e të shkrepë një foto me të…
Blerina Çizmja: – Lindita, letra jote na preku të gjithëve në redaksi… Na trego diçka më shumë për jetën tënde…
Lindita Maloku: – Unë jam nga Fieri dhe u martova më 8 Mars 1993 në Kapshticë të Korçës, por kur isha shtatë muajshe shtatzënë, im shoq më la te dera e babait dhe mori një tjetër. Kur mbeta në shtëpinë e prindërve, familja më kërkoi ta hiqja fëmijën, por a hiqet fëmija shtatë muajsh?! U bë një debat i madh dhe ata këmbëngulnin se, nëse do ta mbaja fëmijën, do të më nxirrnin nga shtëpia e tyre…
– Por ti e linde fëmijën, gjithsesi…
– Nuk abortova, ama familjarët më vunë kusht që kur ta lindja atë fëmijë, nuk do t’ua sillja atye në shtëpi, ose duhet të largohesha edhe unë, bashkë me të. Fëmijën e linda më 21 janar të vitit 1994, në maternitetin e Fierit. Nuk kam dhënë emrin tim personal, por një emër tjetër, Vera Banaj, kurse emrin e të atit, ashtu siç e kishte babai i tij, Pëllumb Sulaj. Lindjen e pata normale, me një mami që e quanin Vera dhe që tani është transferuar në Tiranë. Nuk kam patur shqetësime gjatë lindjes, fëmijën e linda normal, të seksit mashkull, 3 kile e 100 gramë, por u detyrova të dilja nga materniteti pa fëmijë…
– Si e le fëmijën? Bëre një deklaratë për ta lënë për birësim apo diçka tjetër?
– Jo, asgjë, asnjë deklaratë, thjesht e lashë. Nuk doja ta lija atë fëmijë dhe, kur të gjithë gëzoheshin që lindnin, unë qaja… Më pyesnin nëse qaja sepse isha mërzitur që kisha lindur djalë, se mos e doja vajzë… Unë kisha hall më të madh; kisha lindur një fëmijë që isha e detyruar ta braktisja… Nuk më mbështeste asnjë nga familja. Atë ditë që vajta për të lindur, prapa meje qëndronte një çift, jam shumë e sigurtë që e kam parë atë çift…
– Ti dyshon se ky çift priste që të merrte fëmijën tënd?
– Po…
– Pse mendon kështu?
– Sepse në mes të kësaj ngjarjeje ka qenë një doktoreshë e quajtur Teuta, që tani ka ikur në Amerikë. Ajo ishte në dijeni që unë do ta lija fëmijën aty, ajo doktoreshë madje më ka hequr dhe numrin nga dora… Para se të ikja e ta lija, unë u ngrita e vajta e pashë fëmijën te krevati, mes fëmijëve të tjerë… Nuk më hiqet nga mendja… Flokët i kishte gështenjë…
– Sa ditë e mbajte fëmijën?
– Asnjë ditë. Linda në mëngjes dhe dola nga materniteti në orën dhjetë, me tension 9 me 8. Njerëzit e mi donin të nxitoja e të dilja sa më shpejt…
– Dhe më pas, nuk u interesove të mësoje çfarë u bë me atë fëmijë?
– Më mbrapa jo, jo sepse nuk doja, por sepse nuk kisha asnjë mundësi. Ishte viti ‘94 atëhere dhe unë jetoja në Levan. Për të shkuar në spital, duhet të shkoja nga Levani në Fier. Lekë s’kisha për biletën dhe pastaj… kështu ishim ne atëhere, duhet t’u rrije prindërve pronto… Më pas u martova prapë dhe nga kjo martesë linda dy fëmijë të tjerë, një vajzë dhe një djalë. Vite më mbrapa, në gazetën tuaj, lexova një artikull ku një vajzë shkruante: “U dashurova me vëllain tim” dhe më ngriu gjaku… Direkt mendova vajzën time dhe…
(vijimin e intervistes, mund ta lexoni ne numrin e kesaj jave te gazetes “Intervista”)