ILIRJAN CELIBASHI
Ilirjan Celibashi, Ministri i Marrëdhënieve me Parlamentin, të premten, fare papritur, dha dorëheqjen për “arsye personale”. Kështu tha, të paktën, Kryeministri Edi Rama në konferencën për shtyp, ku prezantoi ministren e re, Ermonela Felaj. Ai shtoi që “tashmë, pas dorëheqjes, koha e tij do të jetë më e madhe për angazhimet familjare”. Ne u përpoqëm ta takonim zotin Celibashi gjatë gjithë ditës së premte, por nuk mundëm. Deshëm ta pyesnim atë se cilat ishin arsyet familjare që e shtynë të jepte dorëheqjen, cilat ishin këto angazhime familjare që e presin atë? Mos vallë, ai dha dorëheqjen, sepse kunati i tij, zotin Fatmir Mediu, do të shkojë para drejtësisë? Mos vallë “angazhimet familjare” që pëmendi Kryeministri, si me ironi, kanë të bëjnë me mbrojtjen e kunatit në gjyq? Mos kjo ishte ajo çështja e madhe që, siç deklaroi para ca muajsh Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, do të ndryshonte jetën politike shqiptare? Ja, për këto deshëm ta pyesnim zotin Celibashi, por nuk mundëm…
TOM DOSHI
As deputetin e PS, Tom Doshi, nuk e takuam dot këtë javë. Dhe do ta kërkojmë përsëri edhe javën tjetër derisa ta mësojmë se çfarë ka me ministrin Tahiri; pse ka lindur kjo qejfmbetje mes tyre? Mos ka të bëjë me atë çka thonë “gojët e liga” se ai nuk ka pranuar propozimet e zotit Doshi për të vendosur drejtues në disa komisariate policie ne Veri njerëzit e tij? Deshëm ta pyesim zotin Doshi edhe se çfarë di ai për zotin Tahiri? Se, këtë javë ai prapë deklaroi se di të tjera gjëra për Ministrin e Brendshëm. Të jetë e vërtetë se di gjëra që kompromentojnë ministrin, apo thjesht bën shantazh e luan me bllofin? Ku i dihet?! Siç thotë edhe kënga e Edi Ramës, çdo gjë bën vaki, jetojmë në Tironë. Dhe në Tironë flitet shumë edhe për ministrin Tahiri…
EDI RAMA
E keni vënë re se për bëmat e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, zotit Fullani, më shumë se politika po flasin gazetarët, aq sa duket se ai ka vjedhur lekët e tyre e jo lekët e shtetit?! Mirë që opozita hesht, sepse aty, në Banken e Shtetit Shqiptar, janë të punësuar pothuajse të gjithë të afërmit e pothuajsve të gjithë udhëheqesve të opozitës, po kryeministri Edi Rama pse hesht? Pse nuk po thotë asnjë fjalë për këtë supervjedhje? Pse nuk thotë asnjë fjalë për ato miliona euro shpërdorime të zotit Fullani që po mbushin përditë faqet e gazetave? Kush ja la lidhur gojën Kryeministrit? Mos mendon ai njësoj si zoti Meta që Adrian Fullani duhet lavdëruar se zbuloi vjedhjen? Apo se për meritë të Fullanit valuta e sigurisë së lartë nuk është prekur? Se 7 milion dollarë të sigurisë së ulët qenkan të ndryshëm nga 7 milionët e sigurisë së lartë?! Ja, për këto deshëm ta pyesnim këtë javë zotin Rama, por, fatkeqësisht, nuk mundëm ta takojmë atë…
ARDIAN BITRAJ
Kërkuam të takonim këtë javë edhe Ardian Bitrajn, të akuzuarin kryesor për vjedhjen e 7,13 miliardë lekëve nga Banka e Shtetit Shqiptar, por nuk mundëm. Ai ruhej nën masa të forta sigurie në burgun 313. Ardianin nuk deshëm ta pyesnim se si e vodhi bankën, sepse me atë sistem sigurie e atë mënyrë punë që ishte aty, nuk është ndonjë zotësi e madhe të vjedhësh para më shumicë. Edhe një handikapat mund të vidhte para fare lehtë aty. Ardianin deshëm ta pyensim se ku i harxhoi lekët, se 7,3 miliardë lekë, ose rrreth 5 milionë e gjysëm euro nuk harxhohen kollaj, apo jo? Se vetëm po të ishte handikapat mendor mund t’i harxhonte ato lekë ne llotosport. Apo po përgatitet opinioni që ai ishte vërtetë i tillë që të shpëtojë nga dënimi?! Apo është e vërtetë ajo që thonë “gojët e liga” se ato para janë shpërndarë në shumë fije, disa prej të cilave arrrijnë deri lart në PD? Ja, për këto deshëm ta pyesnim Ardianin, por nuk mundëm. Shpresojmë që pyetjet që deshëm t’ia bëjmë ne, t’ia bëjnë prokurorët…
SALI BERISHA
Një pyetje kishim për zotin Berisha, vetëm një: Si ka mundësi që ai që bën status në Facebook për çdo gjë, edhe për një polic që merr bakshish, apo edhe për pesë lekë të vjedhura nga ndonjë xhepist socialist që e nxjerr kushëri me ministrin Tahiri, nuk shkroi asgjë për vjedhjen e thesarit të Bankës? Si shpjegohet që ai, i informuar nga “populli” jep variantet e tij për çdo akt kriminal në Shqipëri, për vjedhjen e bankës hesht?! Si e shpjegon zoti Berisha këtë? Po ju, të dashur lexues, si e shpjegoni?