Mos u habit…
…Me ty dua të jetoj diçka ndryshe, tjetërsoj,
nga rrugët që kam kaluar mos qofsh njësoj…
Pas heshtjes më lexofsh, e më dëgjofsh o shpirt,
e në mes te errësirës më ndriçofsh si dritë…
Të dua është pak… Mos u habit,
brenda meje kam një ndjenjë që ëmbël më mbyt,
një ndjesi të çuditshme, mall e çmallje trazuar,
të prek e nuk ngopem, pse nuk ngopem sikur vuaj…
Në përqafimin tënd dhe më shumë kërkoj,
me një frikë që gufon e më pëshpërit ” deri kur?
…Çfarë t’i them? A t’i them përjetë?…
Të jap prapë premtime siç kam thënë dikur?…
Jo… aspak… Nuk gjej arsye a shkak…
Tashmë e di se diçka tjetër po jetoj…
Mos u bëfsha për cigare të shkoj, moj zemër,
e mos u bëfsh as ti t’më ndalësh në atë portë!…
…Thjesht, dua të jetoj me ty,
e në shkofsha deri në fund të jetës…
Do të ishte mrekulli …
Çfarë?
Jo… Jo… Mos u çudit,
në rrugët që u enda, si ti nuk gjeta…
…Mos u habit!… Jeton Shehu
Jo, nuk ëndërroj
Kur të shkrova se do më gjeje
në vendin tonë si dikur
e kupton tash’ të vërtetën?
gënjeshtër s’të kisha thënë kurr’.
Ndaj të prita i përlotur
në këtë botë të mallkuar
ku ish turp të dashuronim
të ishim bashkë ish e ndaluar
Tek të flisja i përmalluar
lotët më rridhnin pa pushim
zëri dridhej, zemra rënkonte
kur të thonja: “Shpirti im”.
Edhe ti më keq se unë
një jetë më kishe ëndërruar
të takoheshim në një ditë
veç në Zot kishe besuar…
Ah… kjo ëndërr! A është e vërtetë?
s’po kuptoj çfarë po jetoj…
e kam pranë… frymëmarrjen ndjej
këtë çast… jo… nuk ëndërroj! Leta Guranjaku Greqi
Ti
Ti, rri në mua në të gjitha format e mundshme,
si transparencë qielli, si ajër, si frymë.
Ti rri aty, në dëshirën sublime,
pa asnjë detyrim.
Në qetësinë time, je aty,
pa folur, pa bërë asnjë zhurmë,
si ky det vere, pa dallgë,
që kërkush s’e përkund. Ollga Selmani (Farmacistja)
Askush
Zhgënjimi përditë po hedh valle,
mjerimi i ngre pistën e vallëzimit,
ne jemi spektatorë të radhës,
që ndjekim shfaqjen e “Argëtimit”.
Për skena gjigande e presim biletën,
radhët tejmbushur, nuk ka më vend,
paguajmë për shfaqjen me vetë jetën,
askush nga dhimbja, nuk e nxjerr zënë… Elisabeta Gocka
Shprehëse
Shkërmoq pak thërrime,
pakëz nga shpirti yt,
shpirt dhe lëmë një pjesëz,
pak nga ai të marr.
Shkërmoqe pak, thërrime,
Pakëz, dreqi e mori, asgjë nuk humbet, jo.
E bëmë, të besoj e të shpresoj,
që akoma kam diçka për të marrë
Thërrime të dala nga shpirti
Veç jo pa shpresë e dashuri
sepse shpirti thërrime-thërrime
thërrmohet kur vetë ai gjen thërrimen e tij. Lorenc Bitri
Jetoj në balada
Jetoj në balada
Njeri pa emër jam…
Nuk e di në ç’kohë jetoj
Emri diku më është harruar…
Cili jam unë!?
Oh, askush nuk e di
Se ku kam shkuar…
Udhës rend
Si një kandil i shuar…
Pa dritë,
Pa jetë,
Vetëm,
Në errësirë
Emrin kam harruar! Elisabeta Hoxha
Një mantel
Dhe natën do ta lë të largohet pa fjalë,
sytë do t’ia laj me ujë burimi,
sapo rrezja e parë, prej dielli të dalë,
do të përshëndes, “mirëmëngjes” agimin.
Dhe ditës do t’i marr kaltërsinë qiellit,
një mantel me të shpirtit do t’i thurr,
duke i grisur natës vellon e errët,
atë do ta vesh me mantelin e purpurt! Elisabeta Gockaj
Imazhi yt..
Në botë mendja më vërtitet,
po zemrën te ti e kam,
më je si shiu e si era a zjarri
që më djeg, ashtu më ngjan.
Ngricë e janarit më je,
akull gjer në palcë, ftohtësi,
unë mendjen kam te kjo botë,
po zemrën akoma te ti.
Zgjas duart te zjarri i madh,
S’të ngroh, djeg, përvëlon,
unë mendjen kam te kjo botë,
por zemrën te ti përgjithmonë… Irena Kadriu
Dhëmbë dashuria
Dhëmbë, të presësh shiun në shkretëtirë
E buzët e thara dhembin për një puthje.
Në ato buzë-mbrëmje ku shpirti është i ngrirë.
Dhëmbë, kur dëshirat me kohën bëhen lutje.
Dhëmbë, të heshtësh në pritjen e pafund.
Në pritjen e asgjëje mes mallit përvëluar.
Aty ku shpirt-dëshira bëhet tërmet e tund.
Ku dashuron ikona nga koha tjetërsuar
Dhëmbë, të kesh ç’të flasësh e të mos kesh ku…
Fjalët rrinë mes dhëmbëve e shtyjnë me rrëmbim.
Atëhere kur ëndrrat marrin sytë e tu.
Ashtu si padashur ti hyn në shpirtin tim…
Dhëmbë, çdo hap i yti i hedhur brenda meje.
Zemra del nga ritmi e mendja pak nga pak.
Kujtimi yt i ëmbël me gjakun rrjedh ndër deje.
Shumë kohë që prisja “ujin” e ti vije si flakë
Dhëmbë, kur dashuria rron veç në kujtime.
Buzët duan puthje e trupi kërkon duar.
Më pas të gjith’ të tjerat janë veç supozime.
E vuan largësinë, kush është i dashuruar Bledi Ylli
Janë disa momente
Eh, seç janë disa momente
që të mbysin ndonjëherë,
në një çast, ato rrëmbejnë
dhe ndryshojnë një jetë të tërë!
Janë momente që me vdekjën
një hap i vogël ty të ndan,
ti vazhdon në këtë jetë
se vetëm fryma gjallë të mban!
Por ka momente që beson
në dashuri e në mirësi,
janë ato çaste që ti kupton
se jeta nuk është veç bardhë e zi!
Janë ato “ditët” kur lulëzon jeta
e të buzëqesh ty lumturia,
shumë gjatë ngelën në kujtesë
se, janë disa momente… Të mira! Fatmira Loci
Kurrnacët
Tre kurrnacë ishin dikur
emrat Skruc-Mak-Dak i kishin
Ishin bërë kockë e lëkurë
thua dysh në xhep nuk kishin
Krehoheshin si kursimtarë
që problem për para s’kishin
Por, si shkopinj ishin tharë
kockën dhe lëkurën kishin
Të tre kishin një mendim
që të tre njëlloj shpenzonin
Bënin jashtë mase kursim
paratë rrinin numëronin
Një ditë Skruci humb një lirë
por te shokët nuk tregoi
Duke kërkuar i ranë sytë
u humb lira, iku e shkoi
Orë me radhë ai kërkoi
s’e gjeti, kot u mundua
Vajti shokëve u tregoi
u sëmur e s’u shërua.
Hynë dy të tjerët në kërkim
Kurse ky vdiq nga meraku
S’morën pjesë as në varrim
për një lirë u prish gjaku
Pa pushim ata kërkuan
së fundi e gjeti Maku
Episodet s’përfunduan
Dakut në tru i ra gjaku
Daku vdiq nga pikëllimi
se fatkeq ai kish qëlluar
Maku ra vdiq nga gëzimi
sapo lirën pa në duar
Të tre vdiqen për një lirë
Si të ndaheshin? Ishin shokë
S’tregoi Zoti pak mëshirë
Për një lirë i çoi në tokë… Astrit Balliu
Aventura u mbyll
Rrobat, pa trup,
Flokët, si terri,
Fjalët jofrymore,
Jotrupor zëri.
Takimi, pa prekje,
Sytë, dritë neoni,
Duart s’gjejnë prehje,
I papjekur pasioni.
Je kalorëse pa orë,
Në frymën e erës,
Ti, element njerëzor,
I natës e pranverës.
Hijet e tua rane,
Kur ra edhe nje yll,
Qepallat m’u ndanë,
Aventura u mbyll. Klevis Bakillari