Ndodh në skenë, që emri me të cilin prezantohesh, mbetet një nofkë për tërë jetën, sidomos kur ky rol është i suksesshëm. Nuk i është dashur shumë kohë Lemes, myzeqares së “Al Pazarit”, për të bërë të njohur emrin e saj. Erkida Ruçi, këtë sezon, i është bashkuar trupës së aktorëve të “Al Pazar” dhe, në këtë intervistë, herë si Lemja e herë si Kida, ajo u përgjigjet pyetjeve tona kurioze…
Enkeleda Kurcani: – Iu bashkua edhe një myzeqare aktorëve të “Al Pazar”. Si u bëre ti pjesë e këtij spektakli?
Erkida Ruçi: – Përfshirja ime në stafin e “Al Pazarit” ishte krejt e rastësishme. Jam pranuar pikërisht në audicionet e këtij sezoni.
– Ke bërë herë tjetër audicione për spektakle të kësaj natyre?
– Po, sigurisht që po, kam marrë pjesë dhe kam dalë fituese.
– Lemja është personazhi yt në këtë shou. Çfarë mund të na thuash për të? Çfarë përfaqëson Lemja dhe e kujt ishte ideja për këtë rol?
– Lemja përfaqëson një vajzë myzeqare nga fshtai që sapo ka ardhur në kryeqytet dhe has vështirësi në realitetin metropolitan. Ndërkohë, Lemja mendon me atë natyrën naive se mund të përballojë çdo gjë. Duke parë edhe përshtatjen time me këtë personazh, organizatori i shout, Agron Lllakaj vendosi që unë të përfaqësoja Lemen.
– Kush i shkruan skenaret për rolin tënd?
– Skenaret i shkruan gjithmonë skenaristi i këtij programacioni dhe më pas, ato përshtaten edhe nga aktorët.
– Çfarë tentohet të ironizohet nëpërmjet personazhit tënd?
– Lemja është një individ që mendon se di gjithçka, por ndërkohë, nuk di asgjë… Gjithçka për Lemen është arritja e objektivave apo synimeve, siç është shkolla dhe krijimi i një familjeje. Ndërkohë, ne jemi në shekullin e njëzet e njëtë dhe mentaliteti e synimet e çdo femre janë më shumë se kaq.
– Si shkon me pronaren e shtëpisë me qira, Anenë?
– Faktikisht, nuk ramë dakord për të nënshkruar një kontratë qiraje me Anenë…
– Pse kështu?
– Po ja, nuk m’u plotësuan kushtet që unë doja… krevat, kondicioner etj. (Qesh)
– Të dashur ke gjetur, Leme, apo akoma jo?
– Të kisha gjetur, nuk do të kërkoja akoma burrë… (Qesh) Lemja është akoma në kërkim të dashurisë së jetës së saj.
– Cilat janë batutat më të bukura të Lemes?
– Ndër batutat që Lemja përdor më shumë janë: “ore mos do të më gjuaç mua ti e nuk ma thonj” ose “ashtu e ashtu e ashtu”, “Jahu.com” “Qysh jo re” “Do martohem apo jo unë”, “Do gjej të dashurin e zëmrës sime” etj.
– Si të duket emri Leme? Tashmë, me këtë emër do fillojë të të mbajë mend publiku…
– I përshtatshëm për karakterin që ka personazhi.
– Si ka qenë reagimi i publikut për këtë rol?
– Kam vënë re që publiku e ka pëlqyer dhe e do një personazh të tillë, ndoshta sepse është një pjesë e realitetit shqiptar.
– Vetëm me këtë personazh përfaqësohesh në Al Pazar?
– Po, tani për tani, vetëm me këtë personazh.
– Edhe në “Portokalli” ka pasur një personazh të tillë… Mendon se mund të akuzohesh për plagjaturë?
– Absolutisht jo, pasi unë kam qenë pjesë e “Portokallisë” dhe le të themi që u përshtatëm me këtë që unë përfaqësoj tani. Çdo njeri që ka talent në aktrim, mund të relizojë jo vetëm një personazh, por shumë. Për mua, “Al Pazar” ishte një portë që m’u hap dhe tanimë, kam mundësi të bëj atë që di më mirë.
– Ty vetë, a të bën të qeshësh ky dialekt?
– Po, ndoshta vetë dialekti të bën të qeshësh. Ka momente që edhe unë qesh gjatë provave, ndërsa në skenë jam më e përqendruar te personazhi.
– Çfarë i thua vetes para dhe pas interpretimit në skenë?
– Përpara se të futem në skenë, i them vetes: “Shijo minutat e tua, e gjithë skena është e jotja” dhe pas shfaqjes, mezi pres të shtunën për ta parë veten në televizion.
– Mund të na thuash diçka më shumë për veten tënde tani… Kush është Kida jashtë personazhit dhe jashtë “Al Pazarit”?
– Jam një vajzë e thjeshtë, në përfundim të studimeve për Financë. Për veten, mund të them që më pëlqen të eci dhe nuk bëj asnjëherë plane për jetën.
– Të qenit aktore, do të ketë të ardhme në jetën tënde?
– Kjo është një ëndërr e cila sapo ka nisur dhe sigurisht që këtu e shoh veten, në skenë.
– Njerëzit vdesin të dinë nëse një person publik ka apo jo të dashur…
– Tani për tani, jam e përqedruar te puna dhe shkolla. Të tjerat ia kam lënë kohës.
– Si e shpenzon kohën tënde të lirë?
– Po, kam miqtë e mi më të cilët kaloj një pjesë të kohës sime. Pastaj, siç thashë kam edhe studimet, që duan kohën e tyre.