Historia ime nisi pikërisht në kohën kur në Shqipëri erdhën dhe gjetën strehë shtetasit kosovarë, kjo, për shkak të luftës që ata zhvillonin në vendin e tyre. Ka qenë viti 2000, kur në familjen tonë trokitën një çift kosovarësh. Ata na pyetën nëse ne kishim vend për t’i strehuar dhe ata do të na paguanin sa të donim ne, pra, problemi nuk ishte te lekët, por ata donin një vend ku të fusnin kokën. Në fakt, ne, në ata kohë, sa kishim ardhur në Tiranë dhe kishim ndërtuar një vilë me katër dhoma. Prindërit e mi kishin nevojë për lek, ndaj edhe pse nuk e kishin menduar asnjëherë se do jepnim një hyrje me qira, im atë u shpjegoi se mund t’u lironte një dhomë, por tualetin do ta kishim të përbashkët. Ata pranuan menjëherë; ishin burrë e grua dhe kishin edhe një djalë 32 vjeç. Gjatë bisedës me tim atë, ata i treguan se kishin pesë djem dhe tri vajza, të gjithë të martuar dhe jetonin në Gjermani e në vende të tjera të Evropës, ndërsa djali i vogël, i cili i shoqëronte, rrinte me ata për t’u kujdesur për prindërit dhe shtëpinë. Dukeshin njerëz shumë të sjellshëm dhe me norma. Unë, ata vit, vazhdoja vitin e tretë të gjimnazit. Një ditë, pashë se djali i tyre ishte te shkolla ime dhe po priste jashtë hekurave. Iu afrova dhe e pyeta se ç’bënte aty. “Dua të zë një shoqe shqiptare”, më tha dhe qeshi me të madhe. Pastaj, pa iu dridhur qerpiku, ma hodhi dorën në qafë dhe më tha: “Eja, se ty po të prisja. Do të të qeras me një akullore dhe do të kthehemi të dy në shtëpi”. Për momentin, më kapi paniku. “Ç’është ky njeri kështu?!”, mendova, mirëpo kuptohej se ata ishin më të përparuar se ne dhe ishin njerëz pa komplekse. Unë ia ktheva se nuk mundesha pasi duhet të kthehesha në shtëpi, por ai njeri nuk merrte vesh. “Hajde, se e kam marrë unë lejen te prindërit e tu”, më tha. Unë u habita për faktin se si mund t’i kishin dhënë leje për mua, pasi prindërit e mi ishin gjithmonë fanatikë dhe nuk kishin faj, se në atë vend, ku ishim ne, nuk njihej ky lloj emancipimi.
Gjatë kohës që po hanim akullore, ai vetëm fliste. Ishte një djalë shumë i shkathët dhe me humor. Gjuha e tij me theksin nga Veriu, më bënte ta pëlqeja akoma më shumë. Mbasi hëngrëm akulloren, i thashë se duhet të nisesha vetë për në shtëpi, pasi prindërve të mi nuk u pëlqente të shoqërohesha me një djalë. Ai qeshi me të madhe dhe m’u betua se ishte dëshira e babait që të vinte të më merrte në shkollë. Kështu bëmë, u nisëm për në shtëpi dhe e habitur e pyeta tim atë se si kishte mundësi që ai ishte treguar një njeri kaq bujar dhe e kishte lënë Haxhinë të vinte të më shoqëronte nga shkolla. Ai qeshi bashkë me mamin dhe tha: “Pse, ti mendon se do gjesh një njeri më të mirë se ai këtu në Tiranë?”. Prapë u habita dhe babai u ul pranë meje e filloi të më tregonte: “Dëgjo moj bijë, këta janë njerëz shumë të pasur dhe një ditë do të mbarojë lufta në Kosovë, ose ndoshta ju mund të jetoni në Evropë, se i paska të gjithë fëmijët andej. Unë them se është me leverdi për ty që të lidhesh me këtë djalë. Prindërit, ne po i njohim dhe janë njerëz shumë të mirë. Edhe djali, i tillë po na duket”.
E çfarë mund t’i thoja tim eti? Ai, për disa gjëra, dukej se kishte të drejtë, se në qytetin e Tiranës nuk mund t’i besoje asnjë djali. I pyeta nëse kishte ndonjë shenjë pëlqimi nga ana e tyre për mua, por ata më thanë se nuk u kishin thënë gjë. “Por ti nuk ke pse pret, foli djalit. Ndoshta ai po të pëlqen dhe kështu bëhen këto gjëra”, më tha babi. Nuk ishte nevoja që unë të afrohesha me Haxhinë, pasi ai kishte filluar të shprehte simpati ndaj meje. Këtë e kisha kuptuar, pasi gati çdo ditë vinte të më merrte nga shkolla dhe më shoqëronte për në shtëpi. Kështu, ne filluam pak nga pak të miqësoheshim më shumë. Edhe pse kishim një diferencë moshe prej 15 vitesh, unë e pëlqeja atë. Ai kishte filluar të bëhej njeriu im më i afërt dhe më trajtonte tamam si fëmijë, madje fakti që unë nuk kisha mbushur 18 vitet, e shqetësonte pa masë dhe më kishte premtuar se fejesën tonë do ta shpallnim pikërisht atë ditë kur unë të kisha ditëlindjen dhe të isha një vajzë më e rritur. Tashmë shoqërimin tonë me njëri-tjetrin e kishin marrë vesh edhe prindërit tanë, si të mitë, ashtu edhe të Haxhisë dhe të dyja palëve u pëlqente një gjë e tillë. Koha kaloi shpejt dhe pikërisht më 2 maj të 2002-shit, kur unë mbusha 18 vjeçe, Haxhia më propozoi për martesë në sy të prindërve. Po atë ditë, ai më kish blerë një unazë rreth, me një gur shumë të vogël diamanti. Ishte vërtet shumë e bukur dhe as unë, as prindërit e mi, nuk e zgjatëm shumë muhabetin, por pranuam direkt. Mbas asaj dite, shoqërimi ynë ishte disi më intim, kishim filluar të dilnim për dreka, për darka dhe dhuratat për mua ishin të pafundme, pasi Haxhia ishte vërtet shumë mirë nga ana ekonomike dhe çdo ditë më bënte ndonjë surprizë të këndshme. E vetmja gjë që më shqetësonte ishte fakti se ai gjithmonë më thoshte: “Nëse do të më bësh një djalë, ke për të parë ti se si do të mbaj unë, më mirë se kaq, tamam si princeshë”. Këtij fakti ai i mëshonte aq shumë sa mua kjo gjë po më bezdiste; më dukej sikur mua më donte vetëm për t’i dhuruar një djalë. Stresohesha dhe thoja me vete: “Po sikur të jetë vajzë, ç’do të bëjë ky njeri me mua?”. Megjithatë, pas një viti ne bëmë dasmën dhe ishte një dasmë e madhe, si në shtëpinë tonë, ashtu edhe në Pejë. Atje lufta kishte mbaruar dhe Haxhia kishte një shtëpi shumë të madhe, që për fat të mirë, nuk e kishte prekur lufta. Jeta jonë rrodhi në mënyrë normale, madje mbas një viti unë kisha mbetur shtatzënë dhe isha dy muajshe. Ai më donte shumë dhe ishte mjaft i lumtur me mua deri në momentin kur një ditë, në shtëpinë tonë, erdhi një zonjë rreth të dyzetave.
Ajo trokiti në derë dhe unë e hapa. Zonja kishte me vete një valixhe të madhe. E pyeta se kush ishte dhe ajo, pa iu dridhur qerpiku, m’u përgjigj: “Nusja e Haxhisë”. Mendova se gjithë kjo ishte një shaka dhe e futa brenda, por pashë se Haxhia, kur e pa atë grua, shtangu në vend dhe sa nuk i ra të fikët. Filloi një debat i madh nga i cili nuk po kuptoja asgjë. Ajo pretendonte se ishte nusja e tij dhe unë nuk e besoja këtë fakt, nuk besoja se Haxhia ma kishte lozur në këtë mënyrë. E pyeta atë se kush ishte kjo femër, por ai nuk m’u përgjigj, mori çelësat e makinës dhe doli nga shtëpia. Iu luta asaj të më sqaronte për ato që po thoshte dhe i thashë se doja prova për ato që po më tregonte. Atëhere ajo më kapi nga krahu dhe më tërhoqi me vete, duke më futur në një dhomë që rrinte gjithmonë e kyçur. Ç’të shikoja?! Ishte një dhomë gjumi si në përralla, me foto të Haxhisë dhe të asaj gruaje, të zmadhuara e të varura në mur e kudo. Diku në cep ishte edhe një djep për fëmijë. “Ja, plasi sytë! Unë jam gruaja e vërtetë e Haxhisë, ti je vetëm një fabrikë fëmijësh për të”, më tha gruaja. Pastaj mori djepin dhe me gjithë fuqinë e saj, e përplasi përdhe: “Ja, ky djep më bëri njeriun më fatkeq në botë!”, tha. Unë fillova të qaja me të madhe, por ajo më uli në krevat dhe më tha: “Uroj që ti të mos kesh fatin tim të zi”.
Ndërkohë, unë fërkova barkun nga frika, mendoja se ajo në nerva e sipër mund të më bënte keq nëse e merrte vesh se unë prisja një fëmijë prej Haxhisë. Ajo më tregoi se jetonte në Gjermani dhe kishte dymbëdhjetë vjet që ishte martuar me burrin tim. Ajo më tregoi se nuk kishte për t’u ndarë kurrë prej tij se, sipas saj, edhe ai e donte dhe mua më kishte marrë thjesht për të lindur fëmijë, ashtu siç e donte zakoni në atë vend. Që prej asaj dite, kuptova se isha martuar me një burrë që e kishte edhe një grua tjetër dhe që unë isha gruaja e dytë e tij. E ç’mund të bëja tjetër? Të kthehesha në Shqipëri ishte e kotë, sepse do të isha një njeri i dështuar në çdo anë dhe Haxhia më kishte kërcënuar se nëse kthehesha në shtëpinë time, do të ma merrte fëmijën me çdo kusht. Ai kishte lekun dhe mund ta fitonte gjyqin shumë kollaj. Ja, pra, kështu, për hir të pasurisë, u futa në një familje që nuk ia dija historinë dhe tani po vuaj pasojat. Tashmë, jam për vizitë te prindërit e mi këtu në Tiranë dhe, edhe pse sot djalin e kam dy vjeç, nuk guxoj t’ua them prindërve atë që zbulova për Haxhinë. Nusja e parë e tij jeton në Gjermani dhe ajo nuk pranon të ndahet prej tij. Haxhia, herë pas here, shkon dhe e viziton atë. E di që ai e do shumë, madje jam e sigurtë se atë e do më shumë se mua, ndërsa unë në shtëpinë e tij ashtu siç e ma tha dhe nusja e tij, s’jam gjë tjetër, veç një fabrikë fëmijësh.