Shpikësi kalifornian, Çarli Pauell, pësoi një tronditje prej elektroshoku kur njëri nga miqtë e tij u infektua nga virusi i SIDA-s. Kështu, ai vendosi, i ndihmuar edhe nga gara që lançoi fondacioni Bill dhe Melinda Gejts, të krijonte një lloj të ri prezervativi që e quajti Galactic Cap, apo kapuçi galaktik. Në vend të prezervativit të zakonshëm prej lateksi, që vesh gjithë penisin, ai krijoi një lloj kapuçi, që vihet vetëm në pjesën e sipërme të tij, në mënyrë që të kesh një maksimum kënaqësie. Si funksionon ky prezervativ? Ai përbëhet nga dy pjesë: Së pari, një pjesë ngjitëse në formë U-je që mund ta mbash për ca kohë, bile edhe kur lahesh apo urinon dhe një pjesë tjetër që ngjitet mbi të, një lloj kapuçi që hiqet dhe që shërben si një rezervuar. Çarli Pauell shpjegon se ky lloj prezervativi është i rehatshëm dhe të lejon të kesh më shumë ndjesi gjatë aktit seksual. Megjithatë, efikasiteti i tij për t’u mbrojtur nga SST-të ende nuk ka marrë aprovimin e administratës së produkteve të konsumit dhe ilaçeve (FDA) të SHBA-së. Kështu, pasi nuk ka marrë dot bursën prej 100 mijë dollarësh të ofruar nga Fondacioni Bill dhe Melinda Gejts, Pauell ka lançuar një thirrje në internet, më 1 qershor, në sitin IndieGogo, për donatorë dhe ka marrë më shumë se 45 mijë dollarë. Nga ana tjetër, Mark Pointel, themelues i sitit francez të internetit “Mbreti i prezervativit” dhe dyqanit të parë dedikuar krejtësisht prezervativëve në Paris, ka shprehur dyshimet e tij në gazetën “Express”: “Është një tmerr i vërtetë, nuk duhet përdorur. Për mua, problemi më i madh është pjesa ngjitëse. Përdorimi është problematik, sepse nuk është e këndshme në përdorim dhe mund të shkaktojë dhembje kur heq kapuçin. Kemi dëshirë të shkulim lëkurën?”, ka përfunduar ai. Aj, aj, pyetje e mirë…
Advertisement