“Brezi ynë e ka njohur seksualitetin shumë vonë”

“Femrat nudo te kryeqytetit” është një titull joshës dalë së fundmi nga shtëpia botuese “Bota shqiptare” dhe mban vulën e autores Arlinda Canaj. Lajtmotiv i dy novelave është erotizmi nëpërmjet të cilit ravijëzohen dy personazhe shumë tërheqës. Një piktor ekstravagant që majën e suksesit të tij e ka realizuar nëpërmjet 50 nudove që i ka realizuar në takimet e tij të fshehta me femrat dhe Stela një sociologe e divorcuar që njihet virtualisht me një “biznesmen” që s’është gjë tjetër vetëm një tutor prostitutash me të cilin bie kokë e këmbë në dashuri. Janë dy personazhe artistikë që duket se janë marrë nga realiteti dhe takohen kaq shpesh në jetën tonë të zakonshme shqiptare…

 

– “Femrat nudo të kryeqytetit” një titull që grish vëmendjen e lexuesit. Pse ky titull?

-Nuk është thjesht një titull tërheqës për lexuesin, por është intriga e gjithë rrëfimit. Gazmendi është një piktor ekstravagant me një listë aventurash të pafundme që i kanë shtyrë shumë femra të pozojnë nudo për penelin e tij magjik. I vetmuar në këtë botë, pa njohur dashurinë e tij të vërtetë dhe me një brengë shumëvjeçare në shpirtin e tij ai hap një ekspozitë nudosh që bën bujë në Tiranë. Është një personazh sa tragjik dhe madhështor me mënyrën si i koncepton njohjet e tij eklatante, dy ndryshimet e sistemit në të cilat ka jetuar dhe njerëzit. Është një piktor që jeton në dallditë e tij artistike që e kanë përmbushur në jetën e tij tokësore por që i kanë ushqyer urrejtjen e tij për femrat.

-“Takim në facebook” mos është një novelë që pasqyron realitetin virtual alla shqiptarçe?

-Prej vitesh shqiptarët jetojnë tashmë me realitetin virtual. Nuk kishte si të mos ndërthurej ky realitet edhe me fenomenet e rënda shqiptare, siç ishte prostitucioni. Tashmë virtualiteti të gjithëve u sjell surpriza nga më të çuditshmet. Stela, një sociologe e divorcuar dhe në hapat e para të karrierës, njihet virtualisht me një “biznesmen” që i ngjall shpresën për dashurinë e madhe të jetës. Por ai nuk është gjë tjetër veçse një tutor që merret me tregtinë e mishit të bardhë. Si të gjithë shqiptarët që kanë nuhatje për t’u adaptuar me të renë, ky person i peshkon viktimat e tij nëpërmjet internetit. Stela dashurohet me këtë njeri sa të çuditshëm dhe të veçantë. Por do ta pësojë keq në subkoshencën e saj.

– Stili i të shkruarit është arma më e fortë e këtij libri?

-Të gjithë ma kanë evidentuar si fakt këtë. Është një stil i rrjedhshëm që i bën personazhet më realë dhe artistikë dhe besoj që lexohet me një frymë dhe që të bën t’i kthehesh përsëri. Gjithnjë kam ëndërruar që libri të lexohet më shumë se një herë.

– A ka elemente autobiografike në vepër?

-Ka tek-tuk ndonjë element autobiografik të cilit autori nuk i shpëton dot. Por është libri im i tretë dhe mendoj se këto personazhe janë larg nga hullitë në të cilat më ka përplasur mua jeta dhe fati. Kam dashur t’i vizatoj ndryshe, jashtë vetes dhe mendoj se ja kam arritur. Por gjithsesi njerëzit që kanë lexuar këtë libër, edhe pasi mësojnë që s’ka elemente autobiografike, më pyesin: “Moj kush është ky Gazmendi në jetën reale? “.

– Dhe ti si përgjigjesh?

-Buzëqesh. Është në fakt një nga personazhet e mia më të dashura.

(Vazhdimi ne numrin e ri te gazetes INTERVISTA)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *