– Përshëndetje! Jam një lexuese e rregullt e gazetës tuaj dhe sa herë ju kam shkruar, kam marrë përgjigjen e duhur, por tani më ka ngecur litari në fyt, nuk di si do të më ndihmoni. Djali im ndodhet në Itali prej 12 vjetësh me dokumente të përhershme dhe ka 7 vjet që punon në “Aeroportin e Malpensas” me Kontratë Pune të Përhershme. Pas datës 28.06.2014, aeroportin do ta marrë dikush tjetër, që do të vërë rregulla të tjera, duke filluar nga pushimi nga puna i 500 punëtorëve, duke u ofruar atyre njëfarë të ardhurash, me kusht që të mos kenë të drejtë të kërkojnë të punojnë më në aeroport. Punëtorët që nuk pranojnë ofertën, por duan të vazhdojnë punën (gjithmonë nëse i mbajnë), mbas njëfarë kohe shkurtohen, duke mos u dhënë asnjë të drejte për ofertën. Jam në dilemë, si duhet të veprojë djali? Ta pranojë ofertën apo të vazhdojë punën? Çfarë i takon këtij punëtori kur është me dokumente të përhershme pune (kontrate) dhe kërkojnë ta shkurtojnë nga puna? A kanë të drejtë ta shkurtojnë nga puna, kur ai ka qenë shembull? Ju lutemi të më jepni një përgjigje sa më të hollësishme, mundësisht sa më shpejt, pasi deri më 22 qershor 2014 ndodhet në punë. Mbetem me shpresë se do të më ndihmoni me një sqarim sa më të hollësishëm se çfarë i takon këtij punëtori, ka apo s’ka të drejtë që firma ta shkurtojë nga puna? Me respekt, prindi i shqetësuar për fëmijën. Go. El.
Naim Balluku, Zv. President, përfaqësues i degës INAS për Shqipërinë: – E nderuar letërshkruese, duke e ndjerë si prind shqetësimin tuaj për sa më shkruani, me ato informacione që ju parashtroni, sqaroj sa më poshtë: Ndërmarrjet dhe subjektet, sipas kërkesave të punës apo vështirësive, apo krizës ekonomike, mund të largojnë apo zëvendësojnë punëtorë nga puna. Nuk mund të gjykojmë është i drejtë apo i padrejtë veprimi për djalin tuaj. Për këtë problem, djali mund t’i drejtohet sindikatës apo sistemit gjyqësor, por punonjësit që pushohen apo pezullohen nga puna, mbrohen për një kohë të caktuar nga Përfitimi i Papunësisë. Pagesa e Papunësisë është një kompensim për papunësinë që mbron punëtorët e pezulluar nga punësimi, si rezultat i vështirësive apo krizës së biznesit.
– Përfitojnë punëtorët me kontrata me kohëzgjatje të pacaktuar dhe të përcaktuara, të punësuar nga kompanitë sipas sektorëve apo madhësisë e forma të tjera të mbrojtjes sociale. Nuk përfitojnë kompensimin e papunësisë:
1. Punonjës të punësuar nga ndërmarrje të caktuara që trajtohen me pagë nga subjektet.
2. Punëtorë me kontrata të punësimit për një periudhë të pacaktuar, por që parashikonin pezullimin në punën të programuar;
3. Punëtorët me kontratë pune me kohë të pjesshme.
Kërkesat që duhet të plotësojnë janë:
– Kërkesat përcaktohen sipas formës së mbrojtjes në punë. Të jenë paguar dy vite siguracione për papunësinë;
– Duhet të kenë kaluar të paktën 2 vjet derdhje nga kontributi i parë për papunësinë. Periudha dy vjeçare llogaritet nga dita e parë në të cilën punëmarrësi është i pezulluar. Masa e përfitimit është e barabartë me: 75 % të pagës mesatare mujore të sigurimit shoqëror të tatueshëm në dy vitet e fundit. Në qoftë se kjo është më pak se, ose e barabartë me shumën e përcaktuar me ligj, ajo rivlerësohet çdo vit në bazë të ndryshimit në ISTAT (për vitin 2014-të arriti në 1.192 euro, 98). Shuma e përfitimit nuk mund të kalojë një kufi maksimal të identifikuar çdo vit nga ligji. Aplikimi duhet bërë pranë INPS, vetëm në formë elektronike përmes dy adresave të internetit: aziende/consulentiaziendali; entibilateraliconvenzionati con l’Inps. Në rast se do të bëhet trajtimi i tyre me pagë, ashtu sikurse u theksua më lart, nuk kanë të drejtë të kërkojnë pagesë papunësie. Për të gjykuar më saktë, djali juaj mund të komunikojë direkt me ne, duke na shpjeguar problemin dhe duke na dërguar Codice fiscale me adresë: n.balluku@inas.it ose albania@inas.it me të cilin ne gjejmë vjetërsinë kontributive, e cila na ndihmon për të dhënë shpjegimet e kërkuara.