Jam Erla, një vajzë 16 vjeçare. Familja ime është me origjinë nga Jugu, por kemi dy vjet që kemi ardhur në kryeqytet. Unë vazhdoj shkollën e mesme në një nga gjimnazet më të dëgjuara që ka ky qytet. Vendosa që sot t’i drejtohem gazetës tuaj për një problemin tim, i cili ka kohë që po më shqetëson. Sot, unë jam në moshën më të bukur dhe ashtu si çdo vajzë tjetër, dëshiroj të kem një pamje perfekte, por Zoti nuk t’i jep të gjitha. Është pak e turpshme kjo që po ju them, por gjithsesi, ky është një problem që ekziston te unë, fakti që e kam pak hundën të madhe. Prindërit më thonë që kam trashëguar nga gjyshi, por këtë gjë unë nuk e kam patur problem, deri kur një ditë, disa shokë të klasës sime, i dëgjova kur flisnin mbrapa krahëve të mi: “Ajo e ka hundën si Pinoku”. Që prej asaj dite, shpirti im nuk ka gjetur më qetësi. Këtë problem që po më shqetësonte, e diskutova me prindërit e mi dhe ata as që e vunë “ujin në zjarr” fare për mua. Babi më tha: “Çfarë janë këto gjëra që po nxjerr nga goja?”. E kuptova që nuk e ka me qejf të më ndihmojë për problemin që kam. Ata e kanë kuptuar që unë jam shumë e mërzitur për këtë fakt dhe çdo mbrëmje më bëjnë moral duke më thënë se bukuria e njeriut nuk varet nga pamja, por nga shpirti dhe mendja. Ata më thonë se ka shumë njerëz që nuk e kanë bukurinë fizike, por kanë një shpirt që i dallon nga njerëzit e tjerë, por fjalët e tyre me duken kot fare përballë problemit që kam. Babi dhe mami më këshillojnë që të mësoj, të jem e para dhe të gjithë do të më duan e do të më respektojnë, madje do të thonë: “Ku ka vajzë si Erla?!”. Kështu më këshillon edhe shoqja ime, por kur kujtoj çunat e klasës që u shprehën në atë mënyrë, më vjen për të qarë. Unë kam një trup shumë të bukur, por gjithë kjo nuk mjafton. Çdo ditë ua kujtoj prindërve dhe dua t’ua mbush mendjen që të më ndihmojnë për problemin që kam, por deri më sot, asgjë nuk kam nxjerrë në dritë. Më e keqja është kur mendoj faktin se të gjitha shoqet e mia kanë të dashur, ndërsa unë akoma nuk po lidhem me njeri. Një ditë, si për çudi, m’u afrua shoku i klasës: Fytyrën dhe zërin e tij nuk do t’i harroj sa të jem gjallë! Ishte pikërisht ai që ishte tallur me shokët e tij, duke më thënë se e kisha hundën si të Pinokut. Ai nuk e dinte se unë e kisha dëgjuar… Një ditë m’u afrua duke më kërkuar ta ndihmoja me detyrat e matematikës. Ia ktheva: “Një hundëpinoke si unë, nuk mund të zgjidhë një problem të matematikës”.
Ai, sa dëgjoi fjalët e mia, u bë flak i kuq dhe më kërkoi që t’i tregoja se kush ia kishte thënë një gjë të tillë. Më pas më kërkoi të falur, por unë fal, po nuk harroj kollaj. Një ditë, pa praninë e prindërve të mi, së bashku me një shoqe, shkova në një nga klinikat private që ndodhen në Tiranë dhe u konsultova me një nga doktorët. Ata më thanë se nuk mund të ndërhyhej tek unë sepse jam në proces rritjeje. Njëri prej mjekëve më tha: “Ne, lek duam, por hunda jote nuk është aq e madhe sa t’i japësh përmasa tragjike kësaj gjëje”. Më pas, ai më tregoi disa foto të personave që kishin ndërhyrë në hundën e tyre. Përpara fotografive të tyre, hunda ime m’u duk aq e bukur, sa mbeta pa fjalë. Që prej asaj dite, gjeta një lloj qetësie në shpirtin tim, por kjo qetësi më zgjati vetëm pak muaj, pasi ashtu si dhe shoqet e mia edhe unë e njoha një djalë, i cili ishte maturant. Një nga shokët e klasës time ma prezantoi sepse ai donta ta ndihmoja pak për përsëritjen e lëndës së matematikës, pasi ai duhet të mësonte për provimet e maturës dhe unë nuk munda t’i thoja “Jo”. Me të, fillova të takohesha gati çdo ditë, pasi unë isha shumë mirë në matematikë dhe atij i kisha mësuar shumë gjëra që ai i kishte harruar. Edhe prindërve u kisha thënë se isha duke ndihmuar një shok maturant dhe atyre iu bë shumë qefi. Mirëpo, një ditë që nuk u takova me të, ndjeva një lloj boshllëku; atë ditë ai nuk më është hequr për asnjë çast nga mendja. Nuk e dija as vetë pse e mendoja aq shumë, madje shpeshherë mendoja se mos ndoshta kisha rënë në dashuri. Në atë kohë, shumë gjëra filluan të ndryshonin tek unë. Fillova ta mbaja veten akoma më shumë, vishesha më bukur, krihesha më bukur, madje edhe djali që e ndihmoja në matematikë, e kishte vënë re dhe më tha: “Ke ndryshuar shumë, që nga dita që të njoha”. Fjalët e tij më bënë të ndjehesha mirë. Lidhja jonë ishte shumë korrekte dhe vetëm për mësimet diskutonim. Ndonjëherë, kur ai fliste për ndonjë gjë tjetër, unë e dëgjoja dhe doja që biseda jonë të merrte drejtim tjetër, doja ta pyesja nëse ishte i lidhur me ndonjë vajzë, por e kisha të kotë, nuk mundesha. Nuk e kisha atë tip që e kishin shumë shoqe të miat, që pyesnin për çdo gjë. Një ditë, teksa po i binte telefoni, unë, ashtu si me të qeshur, i thashë: “Të mori shoqja në telefon?” dhe ai me të qeshur ma ktheu: “Nuk kam shoqe”. Nuk e di pse m’u bë qejfi shumë, m’u duk sikur kisha një shpresë me të, por ai prapë foli dhe ma preu shkurt duke më thënë se tani për tani, nuk ishte i interesuar për të patur një shoqe, pasi atij i interesonte më shumë shkolla. Kur i tregova shoqes për këtë, ajo më tha se ai kishte pasur të dashur një vajzë shumë të bukur dhe ishin ndarë. Atëhere i humba shpresat dhe prapë po ndjehesha keq, për faktin që unë kisha një hundë me difekt dhe prandaj nuk më pëlqenin djemtë. Shpeshherë, i bëja pyetjen vetes: “Pse shoqet e mia kanë të dashur dhe unë jo?”. Të gjithë çunat e klasës më afroheshin vetëm për interes, se nuk thonë kot, “Zoti nuk t’i jep të gjitha”. Mua më ka dhënë mençurinë për të mësuar por… Ndonjëherë, përpara shoqeve të mia, më duket vetja si e “shëmtuara Beti”. Të gjithë më thonë se nuk kam nevojë për ndërhyrje kirurgjikale, por unë e di se djemtë e sotëm kërkojnë më të bukurën te një femër. Ajo që do të bëj tani është të dal mirë me mësime dhe, kur të mbush moshën, do të bëj të pamundurën që të rregulloj defektin që kam në hundë, që dhe unë të ndjehem një femër e bukur, si shumë shoqe të miat. Shpresoj që ju, lexues, të mos më paragjykoni për gjithçka kam shkruar më sipër. Unë nuk bëra asgjë tjetër përveç se kam shkruar me sinqeritet për problemin që unë kam sot. Ndoshta kur të rritem, do të arsyetoj ndryshe, por sot, në këtë moshë që jam, për mua, bukuria është primare.