Sapo ka publikuar klipin e saj më të ri në bashkëpunim me Aurel Thëllimin dhe, edhe për të, ka nisur tashmë sezoni veror, i mbushur me punë… Ne ju ftojmë në këtë “udhëtim” me Blerinën për të mësuar se si e kalon ajo këtë stinë pushimesh dhe, si freskohet në të nxehtin e madh…
Blerina dhe pushimet
– Si ka ardhur kjo verë për ty? Cilat plane të ka prishur, si verë e vonuar që është?
– Vera, si gjithmonë, është momenti më i ngjeshur me koncerte; lëvizim në bregdete, nëpër dasma dhe këtë periudhë po punoj me restorantin “Il violin”, ku çdo fundjavë organizojmë muzikë live.
– E ke më të vështirë punën në këtë periudhë, për shkak të vapës?
– Jo, aspak! Vapa nuk ka lidhje, përkundrazi, adrenalina është në maksimum. (Buzëqesh)
– Mënyra jote më e mirë për t’u freskuar në ditë të nxehta…
– Kur nuk kam kohë të shkoj në pishina ose në plazh, bëj dush dhe pi shpesh ujë.
– Ke një palë rrobabanjo aq përzemër sa i vesh në çdo sezon?
– Po, i kam një palë që kam 3 vjet që i kam blerë dhe përsëri kam dëshirë t’i vesh.
– Zakonisht, ku të gjejnë pushimet verore? Preferon brenda apo jashtë Shqipërisë?
– Pushimet e mia janë gjithmonë pas verës, pasi atëhere jam më e qetë dhe i kam përfunduar koncertet. Preferoj kudo, mjafton të jem në shoqërinë e preferuar.
– …ato më të bukurat që mban mend?
– Janë aq shumë të bukura sa më duhet një gazetë e tërë të t’i tregoj. (Qesh)
– Vendi ku e ke ëndërr të shkosh për pushime?
– Unë s’para ëndërroj; ato që dua, i bëj.
– Kalon më bukur pushimet e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri apo ato verore? Pse?
– Festa e Krishlindjeve dhe Vitit të Ri është një emocion ndryshe dhe shumë i bukur, ndërsa vera, për ne këngëtarët, dashur padashur, është e lodhshme dhe pak e hallakatur.
Blerina dhe luku
– Çfarë ka ndryshuar në lukun dhe në stilin tënd vitet e fundit?
– Flokët i mbaj të drejta, u bënë shumë vite. Jam mbushur pak, gjë që më pëlqen (buzëqesh) dhe kryesisht, këtë vit, më pëlqejnë veshjet e ndërthurura, sportive me klasike, kurse takat kanë pothuajse pesë vjet që kanë dalë jashtë loje fare; përveçse kur performoj.
– Po ajo që mbetet gjithmonë e pandryshuar?
– Ngjyra e flokëve!
– Ne femrat, edhe pse i kemi dollapet të mbushura me rroba, përsëri themi: “S’kam ç’të vesh”. Ndodh edhe me ty kështu?
– Po!. (Qesh) Mami qesh me mua duke më thënë: “Po na bien dollapet moj çupë dhe prapë ankohesh…”. Nejse, ne femrat nuk ngopemi ndonjëherë me rroba. (Buzëqesh)
– Kush të shoqëron zakonisht për shopping? Ka ndodhur që ai që të ka shoqëruar është lodhur aq shumë duke të pritur sa ka ikur dhe të ka lënë aty?
– Për shopping kam dëshirë të jem vetëm, pasi normalisht, dikush tjetër do të mërzitej. Pastaj, e kam bezdi të kem dikë duke më pritur; nuk jam e qetë për shopping.
– Koha më e gjatë që ke bërë shopping dhe ku?
– Në Metzigen, në Shtutgart, kam bredhur pothuajse gjashtë orë nëpër dyqane dhe nuk e ndjeva fare! U kënaqa, por kur u ula, e ndjeva sa isha lodhur.
– Ndodh me ty që veshja e dikujt tjetër të duket më e bukur se e jotja?
– Po, më ndodh. Është normale, pasi e bukura s’ka fund, por kryesisht, me veshjet e mia ndjehem bukur.
– Veshja më kot që ke blerë dhe që je penduar që e more?
– Më ka ndodhur që kam blerë diçka që s’më ka pëlqyer ta vesh asnjëherë ose nuk më ka pëlqyer mënyra si më ka qëndruar në trup.
– Produkti i bukurisë që vendos të parin, pasi zgjohesh?
– Rimelin e kam fiksim.
– Je e fiksuar të ndjekësh trendet e fundit apo mjafton të ndihesh rehat dhe le të jetë edhe veshje e sezonit të kaluar?
– Më pëlqen të ndjek trendet e fundit, por gjithmonë, të ndërthurura me stilin tim.
– Çfarë ke menduar të blesh këtë herë?
– Nuk mendoj asnjëherë çfarë do ble, thjesht, dal dhe ble ato që më pëlqejnë në moment.
Blerina dhe udhëtimet
– Valixhja jote e udhëtimeve është: E vogël, mesatare apo e madhe?
– Mesatare.
– Çfarë nxiton të fusësh sa më parë në valixhe kur po bëhesh gati për një udhëtim?
– Valixhen e bëj gati me shumë nge dhe asnjëherë nuk nxitohem, pasi nuk dua të harroj diçka. Kjo gjë më mërzit shumë.
– Destinacionet më të shpeshta të udhëtimeve të tua…
– Italia dhe Gjermania.
– Udhëton më shumë me avion, traget apo makinë?
– Me avion ose me makinë.
– Cilin prej tyre ke frikë?
– Sigurisht, avionin!
– Gjatë udhëtimit, lexon apo dëgjon muzikë?
– Dëgjoj muzikë dhe meditoj.
– Hera e fundit që ke humbur avionin apo valixhen?
– S’ka patur herë të parë që të ketë të fundit. (Buzëqesh)
– Ku ke menduar ta bësh udhëtimin e radhës?
– Do shkoj në Itali, pasi atje kam familjen time dhe më ka marrë malli për ta.
Blerina, Facebook, Instagram…
– Prej sa kohësh e ke faqen tënde në Facebook?
– Prej shtatë vjetësh, në mos gaboj.
– Në fillim, ishte Facebook-u, ndërsa tani, Instagrami është kthyer në një mani për të gjithë. Kështu ka ndodhur edhe me ty?
– Unë kam vetëm Facebook, Instagramin akoma s’e kam hapur. Nuk para më pëlqen të merrem shumë me rrjetet sociale pasi njerëzit që më interesojnë dhe u interesoj, i kam në telefon.
Bisedoi: Mia B.