Besoj se të gjithë po e dëgjoni këngën e re të Barbana Dinit, Shpat Kasapit edhe Eli-G! Një këngë shumë ritmike edhe verore, e cila në tekst shpreh se Shpati ka rënë në hall. Me kë të ketë rënë vallë?! Në këtë rast, me një femër super seksi, si Barbana! Ai i thotë Barbanës se ka gjet belanë, ndërkohë që Barbana në intervistë e shpreh hapur se me të, djemtë mund ta gjejnë vërtet belanë. Shumë e lumtur për këtë bashkëpunim, Barbana shprehet se së shpejti do të kemi kënaqësinë ta shikojmë edhe në bashkëpunim me të vëllain, Ergin. Barbanën e kemi pyetur për pushimet, këngën, jetën e saj, si dhe për thashethemet se ajo tashmë është singëll…
Rita Rrjolli: – Përshëndetje Barbana! Si ndihesh sapo lançon një klip të ri?
Barbana Dini: – Pas një pune të gjatë, pres rezultatet, por ndjej edhe sadisfaksion nga e gjithë kjo.
– Kujt ia tregove klipin më së pari?
– Sigurisht, ua tregova miqve të mi më të ngushtë, duke filluar nga Ergi e Silvana Gunbardhi.
– A do jetë kënga hiti i verës?
– Pa dyshim, besoj se po.
– Pse këtë herë zgjodhe një bashkëpunim?
– Arsyeja është e thjeshtë. Pata dëshirë të vija me një këngë ndryshe.
– Shpati tashmë njihet nga të gjithë… Po repisti i ri?
– Faktikisht, unë dhe Shpati jemi të ftuar në këtë këngë. Ishte pikërisht Eli-G që na e propozoi këtë bashkëpunim. Pasi dëgjuam këngën në studio, na pëlqeu dhe vendosëm ta bënim të tre bashkë.
– Një bashkëpunim me vëllain, Ergin, do ta realizosh?
– Sigurisht, është një plan që e kam rezervuar për të ardhmen.
– Me kë “ke rënë në hall” ti Barbana?
– Në momentin që kam shkuar në studio, kënga ishte e realizuar, kështu që nuk ka të bëjë me mua, plus që në këngë, është Shpati “hallexhiu”. (Qesh)
– Pra, është e kundërta; që bien meshkujt në hall me ty?
– Patjetër që po. (Qesh)
– Sa kohë mori realizimi i këngës?
– Nuk na mori shumë, pasi kënga ishte gati dhe qe diçka e shpejtë. Ne, thjesht, shkuam dhe hodhëm vokalet. Gjej rastin këtu të falënderoj Boja Production për realizimin e mirë të këngës, bashkëpunimi me të cilët ka qenë vërtet një kënaqësi.
– Po për klipin, kush ishte më kërkues nga ju?
– Unë jam ajo që dua të kujdesem deri në detaje për gjithçka, por sigurisht, kjo arrihet me bashkëpunëtorë të mirë. Falënderoj Max Production.
– Si u ndjeve mes dy djemve?
– Mjaft rehat.
– Si gjithmonë, elegante edhe e bukur… Si ia del?
– Bëj një jetë aktive fizike dhe ndjek një regjim të balancuar ushqimor.
– Mes palestrës dhe dietave, cilën zgjedh?
– Një mënyrë të ushqyeri të balancuar… Kjo është zgjedhja ime. Në momente të caktuara, shkoj edhe në palestër.
– A do të të shohim ndonjëherë me flokë të kuqe?
– Nuk jam tipi i ndryshimeve radikale, nga bjonde, direkt e në të kuqe, kështu që nuk besoj.
– S’i ke pasur kurrë flokët të kuq?
– Nuk e kam patur kurrë zakon të eksperimentoj me kokën time.
– Si është dita e Barbana Dinit?
– Pothuaj si e gjithë njerëzve të tjerë, me përjashtim të faktit që muzika tek unë zë një pjesë të rëndësishme, pa llogaritur angazhimet artistike.
– I ke prenotuar tashmë pushimet?
– Besoj se pushimet këtë vit do t’i filloj në shtator, por ende s’e di cilin vend do të zgjedh.
– Zakonisht, me kë shkon për pushime?
– Gjithmonë me familjen, pasi më pëlqen që pak kohë të lirë që kam, ta kaloj me ta.
– Jetën e natës, e frekuenton?
– Jo. Përgjithësisht, e kam frekuentuar kur kam qenë pjesë e saj, pra, duke kënduar. Tani që nuk jam më, nuk më pëlqen të dal. Shumë rrallë dal për qejf dhe vetëm kur kam koncerte.
– Disa thonë se jeta e natës të çorienton… Ti, si përgjigjesh?
– Gjithkush e përjeton në mënyrën e vet, nuk dua të tregohem subjektive.
– Tani, je e angazhuar me ndonjë event muzikor?
– Për momentin, jo.
– Po fjalët se fejesa jote ka marrë fund, si i komenton?
– …
– Mes bashkëjetesës edhe martesës, do të zgjidhje…
– Pa dyshim, martesën, pasi më pëlqejnë gjërat tradicionale.
– A mendon se nëse bashkëshorti do të ishte artist, do të të kuptonte më mirë?
– Nuk besoj se njëjtësia profesionale përcakton mirëkuptimin.
– A do të pranoje të jetoje në fshat për dashuri?
– Sigurisht që jo, për vetë faktin se nuk më jep mundësi të gjej veten.
– Zakonisht, bën kompromise në zgjedhjet e tua?
– Jo, nuk jam aspak tipi i kompromiseve.
– Dëshirën për t’u bërë nënë, e ndjen?
– Për mua, nuk është thjesht dëshirë, por një mision.
– Do të të pëlqente të kishe një vajzë dhe jo një djalë?
– I dashuroj të dy.
– Nëse do të zgjidhje mes një miku gej edhe një mikeshe lesbike…
– S`do zgjidhja të rrija me asnjërin.
– Ku e gjen më shumë veten, në muzikë tallava apo në muzikë të lehtë?
– Sigurisht, në një këngë të muzikës së lehtë. Tallavanë nuk e kam kënduar ndonjëherë dhe nuk e gjej veten tek ajo.
– Barbana do një qen shok, apo një shok qen?
– Gjithmonë, një qen shok. (Qesh)
– E ndjek Botërorin e futbollit?
– Ndjek çdo gjë tjetër, përveç futbollit.
– Po me Facebookun dhe Instagramin, si i ke raportet?
– Përdor më shumë Instagramin.
– Pasuria më e madhe që ke…
– Familja, pa diskutim.
– Mesazhi që do t’u transmetosh të gjitha vajzave që të admirojnë?
– Besoni te vetja.