Nga ARTAN KRISTO
EDI RAMA
Deshëm të takonim e të intervistonim këtë javë kryeministrin tonë, zotin Edi Rama. Deshëm ta uronim për lindjen e djalit, por edhe ta pyesnim për emrin e fëmijës që ishte pak i çuditshëm, Pse zgjodhi këtë emër? Çfarë do të thotë Zaho? Eshtë e vërtetë se, siç thotë “Google”, ky emër vjen ose nga emri arabik Zahar, që nënkupton “shkëlqim”, “xixëllim”, ose ka origjinë bullgare, që do të thotë “i kujtuar i Zotit”? Apo mos është diçka më e thjeshte: Edi Rama, si deputet i Vlorës ka zgjedhur për të birin emrin e heroit lab, Zaho Koka, që t’u bëjë qejfin vlonjatëve? Ku i dihet? Shpresojmë që javët e ardhshme zoti Rama të na japë një intervistë që të na sqarojë për zgjedhjen e tij…
BLEDI ÇUÇI
As këtë javë nuk e takuam dot zotin Bledi Çuçi, ministër shteti për Çështjet Vendore. Me atë deshëm të bisedonim për ligjin e ri të adminstrimit të territorit. Si do të bëhet tani me numrin e deputetëve, deshëm ta pyesnim zotin Çuçi? Do të vazhdojmë të kemi akoma 140 deputetë?! Të mos harrojmë se jemi vetëm 3 milionë banorë. Italia që është 12 herë më e populluar se ne, duhet të ketë sipas përpjestimit, jo më pak, por 1680 deputetë! Ose Amerika, duhet të ketë 100 fishin, pra 14000! Nëse e bënë ligjin e ri për të kyrsyer lekë nga shkurtimi i bashkive, a nuk do të ishte më mirë të kurseheshin ca lekë edhe nga zvogëlimi i nimrit të deputetëve?! Se, me ç‘po shohim, ndonjë gjë të madhe nuk po bëjnë. Më shumë po zihen se po punojnë…
ILIR BEQJA
U përpoqëm shumë këtë javë të intervistonim ministrin e Shëndetësisë, zotin Ilir Beqja, por nuk mundëm. Shkak për këtë u bë një letër që na erdhi në redaksi dhe që e vërtetuam se ishte e vërtetë. Letrën e shkruante një i sëmurë me kancer. “Ishte planifikuar, shkruante ai, që në datën 22 të këtij muaji, të bëja kimioterapinë në QSUT. Shkova dhe isha përgatitur shpirtërisht ta kaloja me forcë edhe këtë seancë kimioje, por… Shkova kot. Nuk e bëra, se më thanë që mungonin ilaçet. Nuk kishte as Genanibicinë e as Cisplatin. Dhe e keqja ishte se nuk planifikova dot asnjë datë tjetër, se nuk dinin se kur do të vinin ilaçet”. I di zoti ministër këto? Ka qënë ndonjëherë brenda në spital ai? E kemi fjalën për dhomat e të sëmurëve e jo dhomat e mbledhjeve ku e shohim shpesh. Ç’na duhen fjalët e mëdha për mjekësinë fals e për modernizimin, zoti ministër, kur mungojnë ilaçet për të sëmurët me kancer?! Urojmë që mos ju ndodhi, as ju e as familjës suaj kjo, por si do të vepronit ju nëse do kishit nevojë për kimioterapi zoti ministër?! Do prisnit vdekjen me duart lart e si lexuesi ynë? Ah, harrova, jeta juaj ka më shumë vlerë se jeta e një shqiptari të thjeshtë. Ndaj, me vrap, dmth me avion, do të shkonit shpejt jashtë vendit….
EDMOND HAXHINASTO
Edhe Edmond Haxhnasto, ministri i Transporteve na mbeti pa takuar këtë javë. Ishte shumë i zënë me bilancin e 300 ditëve, na thanë. Në fakt, ne deshëm ta pyesim vetëm për njërën nga këto 300 ditë, për 17 qershorin, atë ditë kur deklaroi se “tani pas 100 vjetësh vendoset përsëri një linjë detare, midis Pogradecit dhe Ohrit”. E di ai se, edhe pse ka kaluar më shumë se një muaj dhe kjo linjë, në drejtimin nga Pogradeci në Ohër, nuk funksionon? Nëse ndokush do të dojë të lundrojë me tragetin liqenor, duhet të shkojë deri në Ohër, pasi nisja bëhet vetëm prej andej. Pra, e thënë troç, kjo linjë funksionon vetëm për turistët e huaj… E di ministri ynë këtë? Apo kur bën deklarata ai mendon për të huajt e jo për shqiptarët?!
TOM DOSHI
Edhe pse deputeti Tom Doshi na premtoi se do të na jepte intervistë këtë javë, nuk e mbajti fjalën. Se pse ndodhi kështu, as nuk e muarrëm vesh, nga që ai nuk na e hapte as telefonin… Ne deshëm ta pyesnim për “kryengritjen” e tij. Ç’pati vallë ai? Pse doli kundër Ramës e sidomos kundër ministrit të Brendshëm? Është qejfmbetje personale, apo diçka politike?
Po zotin Doshi deshëm ta pyesnim edhe për diçka që na bëri shumë përshtypje. Ai deklaroi se mungoi në votimin e ligjit të territorit sepse ishte për një drekë ditëlindje. A i shkon ndër mend atij se ç‘mund të mendojë elektorati kur të dëgjojë që ai la punën për një drekë?! “Apo, kush po pyet elektoratin?! Sikur na i dha votat ai?! Votat i kam nga Partia që më caktoi në listë dhe nga komisionerët…”. Kështu ka menduar ai vallë?! Ja, për këto deshëm ta pyesim zotin Doshi…