Ajo nuk di të lodhet, vazhdon të punojë fort, duke sjellë vazhdimisht projekte të reja. Projekti i fundit është kënga që do të dalë shumë shpejt në bashkëpunim me Ingrit Gjonin dhe Grazian. Alida e ka kuptuar se “ilaçi” për të patur sukses në këtë treg të rënduar muzikor nga dyndja e madhe e këngëtarëve, është vetëm puna e palodhshme, prandaj, edhe pse jeton larg Shqipërisë, po ia del më mirë se disa këngëtare që jetojnë këtu. Ndër të tjera, gjatë bisedës përjeton dhe deja vu, duke u rikthyer pas në kohë dhe duke risjellë kujtime të fëmijërisë, marrëdhënien me prindërit e Nestin, me të cilin sa herë që bashkohet, nuk mungojnë batutat. Dhe, biseda mbyllet me surprizat e Alidës për publikun shqiptar dhe atë gjerman…
Mia.B: – Alida, deri tani të kishim parë si soliste, në bashkëpunime me këngëtarë të huaj, ndërsa tani, pas bashkëpunimeve me Nestin, vjen në një tjetër bashkëpunim me këngëtare shqiptare. Çfarë të bashkoi me Ingritin në këtë këngë?
Alida: – Ishte thjesht një bashkëpunim që na lindi si ide mua dhe Ingridit. Kënga u krijua nga Nesti, që e bëri këtë ide edhe më të realizuar.
– Diçka më shumë rreth saj…
– Kënga u realizua nga Stine Records dhe flet qartë për mashkullin në përgjithësi, se si ai duhet të dijë të trajtojë një femër. Ndaj edhe titullohet “Din ti”.
– Me Ingritin njihesh edhe jashtë skenës; a dalin bashkëpunimet më të bukura kur këngëtarët janë miq?
– Po, me Ingritin dhe Grazian njihemi edhe jashtë skenës; kjo e bën edhe më të bukur një bashkëpunim.
– Këngë, klipe, koncerte… Unë di që ti punon fort, por nuk di, kur lodhet Alida?
– Unë nuk lodhem kurrë, është për t’u çuditur. (Qesh)
– “Puna është ilaç” thotë populli. Ti nga se kërkon të “shërohesh” që po punon kaq fort dhe po sjell gjëra kaq të bukura në muzikë?
– Unë nuk dua të shërohem nga asgjë, aty shkarkoj energjinë pa fund që kam. (Buzëqesh)
– Të qenit gati familjarisht pjesë e tregut muzikor, ka bërë të keni në dorë një pjesë të mirë të “territorit” në muzikë. I bën kjo gjërat më të lehta apo përkundrazi?
– Natyrisht, kjo ka qenë gjithmonë pozitive.
– Sot, besoj e ke vënë re edhe ti që shumë vajza të reja po e shohin muzikën si një ndër mundësitë më të lehta për të bërë para, por edhe për të fituar famë, duke qenë se kjo e fundit është bërë e parezistueshme për to, në vend që ta jetojnë muzikën. Mendon se duhet një refresh, më shumë guxim, më shumë cilësi apo je me shprehjen: Ka vend për të gjithë?
– Nuk është shumë e lehtë të jesh në këtë fushë, siç duket nga ana e jashtme. Kur je në brendësi të saj, e kupton vërtet se sa e lodhshme është, ndaj jo gjithkush mund ta mbajë atë deri në fund.
– Cila ka qenë një fitore e madhe e jotja në jetë?
– Fitorja me e madhe për mua ka qenë ta marr familjen pranë meje këtu në Gjermani dhe që i shoh ata të lumtur, pasi më kanë munguar gjithmonë.
– Streha ku shkon sa herë që bëhesh “fëmijë”…
– Kam shumë nostalgji për atë kohë që nuk kthehet më kurrë, por në ca momente, kur jam me Nestin, ai më rikthehen përsëri në ato kohë.
– Cili është një kujtim që të çon gjithnjë në fëmijëri, duke ta bërë më të bukur ditën?
– Shakatë dhe lojërat pa fund.
– Mamin e ke patur shoqe apo ka patur gjëra që nuk ia thoje dot asaj?
– Më shumë si shoqe dhe akoma është e tillë, edhe sot. Mamin e kemi fantastike! (Buzëqesh)
– Çfarë të ka këshilluar gjithmonë ajo?
– Të jem gjithmonë e sinqertë dhe ky është një realitet; me sinqeritet ecën më shumë në jetë.
– Me kë ngjan më shumë Alida?
– Në tipare, babit, kurse në karakter, mamit.
– Ti dhe Nesti duhet të keni një marrëdhënie tepër të veçantë me njëri-tjetrin. Sa herë bëheni bashkë, çfarë batutash e situatash kujtoni nga koha kur ishit të vegjël?
– Janë të pafuuundme dhe po të vazhdoja t’i shkruaja këtu, nuk do mjaftonte gjithë gazeta. (Qesh)
– Po këshilla apo kritika që ia mban atij “vëth në vesh”, si motra më e madhe që je?
– S’kam ndonjë konkrete.
– Është dikush të cilin do të doje ta falje ose të të falte?
– Të dyja.
– Çfarë ka qenë një befasi për ty?
– Kur Nesti më ka surprizuar me ardhjen e tij për ditëlindjen time këtu në Hannover.
– Je më shumë tipi që i befason të tjerët apo ajo që e ka më të lehtë të befasohet?
– Jam tip që më së shumti i befasoj të tjerët.
– Një gjë që do të kishe për të korrigjuar te vetja…
– Të mos jap kaq shumë. Jap shumë dhe marr pak, ndaj më duhet të ndërroj pozicionin.
– Çfarë quan ti “mashkulli i duhur”?
– Mashkullin me karakter. Ky është edhe thelbi i këngës që do të vijë së shpejti.
– Cila është gjëja më e keqe që mund të bëjë një mashkull që ti t’i hiqje vizën?
– Gënjeshtra. Nuk e duroj dot.
– Nëse do të kishe aftësinë për të lexuar mendjen e meshkujve, çfarë do të doje të dije me saktësi?
– A ka femër tjetër? (Qesh) Është absurde. Të them të drejtën, s’do të më interesonte fare.
– Merr më tepër për bazë këshillat apo kritikat?
– Këshillat.
– Si do të ndiheshe nëse një ditë do të zgjoheshe me një profesion tjetër?
– S’e kam problem, jam all around talent (jam talent gjithandej). (Qesh)
– Je natyrë nostalgjike?
– Po, jam.
– Ndjen të të mungojë dikush apo diçka, aktualisht?
– Po.
– Ritmi me të cilin i jeton ditët atje dhe si ndryshon ky ritëm kur vjen këtu?
– Këtu ecin gjërat më preçize, kurse në Shqipëri, sipas terezisë.
– Lajmi më i bukur që ke marrë kohët e fundit?
– Pranimi i katër këngëve të reja në tregun gjerman, të cilat do të dalin si singëll çdo muaj, duke filluar me singëllin e parë që del këtë javë. Të shtunën kemi promovimin.
– I jep më shumë hapësirë zemrës apo arsyes?
– I kam lënë vite hapësirë zemrës, ndaj kam filluar t’i jap tani më shumë arsyes.
– Kënga e momentit që të ka bërë për vete?
– Dj Sava “Aroma”. E vë çdo mëngjes, para se të startoj ditën.
– Gjithçka që do të vijë më pas, do të jetë e papritur edhe për ty apo ke ide e plane që presin për t’u realizuar? Na zbulo ndonjë…
– Në jetën time ndodhin gjithmonë të papritura, por edhe nuk e lë gjithçka just for fun (si të vijë) Njëkohësisht, eci me ide dhe plane për t’i realizuar ato. Do të sjell bashkëpunime të tjera, si në tregun gjerman, ashtu edhe në atë shqiptar. Aktualisht, janë ato me Mhfm Projekt, Oldschool Boys0, Sincero , K-four, si edhe surpriza e këtij viti do jenë dy këngët në bashkëpunim me Nana; “Fly” dhe “Je për mu”.