Nëse ju ka ndodhur të filloni një dietë, por ta lini pas disa javësh, ngushëllohuni, nuk jeni të vetmit! Shkaktarët mund të kenë qenë dieta e papërshtatshme, apo ju vetë, me gënjeshtrat që i keni thënë vetes, mbi atë që hani realisht dhe fizkulturën që bëni. Ekziston një listë e tërë justifikimesh që do ta bënte çdo lloj diete të dështonte. Këtu më poshtë kemi rreshtuar 8 arsyet më të zakonshme, shkaktare të dështimit sonë.
1. Unë ha shëndetshëm gjatë javës, që të ha ç‘të dua në fundjavë
Për fat të keq, trupi i njeriut është më shumë si një laborator biokimie sesa si një llogari bankare. Me fjalë të tjera, nuk mund të kursesh kalori për t’i konsumuar më pas gjetkë, por është e nevojshme të djegësh dhjamin në mënyrën e duhur dhe, mbi të gjitha, çdo ditë.
2. Kam metabolizëm të ngadaltë
Nuk lind me metabolizëm të ngadaltë, por bëhesh i tillë duke ngrënë ushqime të pasura me sheqerna, që i mbajnë të larta nivelet e hormoneve që shërbejnë për të grumbulluar dhjamin, duke ngadalësuar kështu metabolizmin. Zgjidhja e këtij problemi do të ishte të mos konsumosh ushqime të parapërgatitura dhe të flesh aq sa duhet, gjithashtu, duke i bërë një kontroll edhe tiroides.
3. Nganjëherë, rri pa ngrënë që të mund ta ha atë që dua
Dietat e shpejta janë në modë, por nëse alternon “agjërimet” me ngrëniet në sasi të mëdha, mund të shkaktosh intoleranca ushqimore dhe të rrisësh në qiell nivelin e sheqerit në gjak. Me një fjalë, fakti që po rrini pa ngrënë, nuk ju autorizon më pas të hani sa për tre.
4. Nuk ha mëngjes, për të kursyer kaloritë
Kjo nuk funksionon dhe, në mënyrë paradoksale, kështu, ju do të konsumoni më shumë kalori. Në vend që t’u suleni petullave, zgjidhni një përzierje me proteina (smoothie), që djeg kaloritë dhe ju mban të ngopur për orë të tëra.
5. Nja dy kafshata, nuk e prishin dietën…
Përkundrazi, janë pikërisht ato që jua hedhin, sepse është e vështirë të ndalosh pasi ke filluar “të kafshosh”.
6. Mund të ha më shumë sepse bëj gjimnastikë
Ushtrimet fizike shërbejnë për të qenë në formë (përveçse nëse jeni duke u stërvitur për maratonën), jo për të kompensuar ushqimet shtesë. Më mirë përqendrohuni te të mirat që vijnë nga lëvizja dhe nga një mënyrë e shëndetshme e të ushqyerit.
7. Përdor tableta me vitamina dhe kripëra minerale, prandaj mund të ha ç’të dua.
Tabletat mund t’ju bëjnë të ndjeheni më në formë, por në asnjë mënyrë nuk i zëvendësojnë substancat ushqyese që ndodhen në ushqime, ose të kufizojnë dëmet e ushqimeve të konservuara.
8. Do ta filloj dietën… që nesër
Nuk shërben për asgjë ta shtysh për më vonë; nevojitet të fillosh të hash në mënyrë të shëndetshme që tani, duke e ndjekur dietën ditë pas dite.