– A ndikon stresi tek ulja e dëshirës seksuale? Gruaja ime ka ca kohë që nuk dëshiron të bëjë seks fare sepse është shumë e mërzitur për shkak të një pune të saj. Thua ta ketë nga kjo?

– Sigurisht që stresi ka shumë pasoja dhe një ndër to është mungesa e dëshirës për marrëdhënie seksuale. Sidomos te femrat, kjo është shumë më e theksuar sesa te meshkujt, për të mos thënë që, përgjithësisht, te meshkujt, ndodh krejt e kundërta. Kur janë të stresuar, meshkujt kanë nevojë të bëjnë seks, ndërsa femrave nuk u bie ndërmend, derisa ta kalojnë stresin. Në këtë rast, ju takon juve ta ndihmoni partneren ta kalojë këtë periudhë. Bëjini ndonjë kompliment dhe tregoni se interesoheni për të, ndihmojeni në problemin që ka për ta zgjidhur. Bisedoni çdo ditë me të, bëjini ndonjë dhuratë, tregojini se jeni i gatshëm ta ndihmoni dhe e mirëkuptoni kur ajo refuzon të bëjë dashuri. Në këtë mënyrë, ajo do ta ndjejë veten më afër jush dhe do të jetë ajo e para që do t’ju propozojë për të bërë marrëdhënie seksuale.

– Çfarë kushtesh duhet të plotësoj pasi dua të bëj analizën e spermës për të ditur se sa pjellor jam?

– Për të pasur analiza me rezultate të sakta të spermës, duhen plotësuar disa kushte nga mashkulli që i nënshtrohet analizës. Për të bërë një analizë të tillë, mashkulli duhet të ketë mbi 60 orë kohë abstinencë, domethënë, duhet të kenë kaluar 60 orë nga kontakti i fundit seksual. Kjo gjë vlen edhe për ato momente kur mashkulli kryen ejakulacion natën, në mënyrë të pavullnetshme. Gjithashtu, për të marrë një analizë sa më reale, mashkulli duhet të ketë fjetur mirë ato dy ditë, të mos ketë qenë i dehur, të mos ketë kaluar temperaturë të çfarëdoshme apo gjendje gripale, të mos ketë pasur probleme psikologjike dhe të jetë i qetë. Është mirë që pacienti t’i përsëritë dy herë analizat në interval kohor 2 javor, për të qenë më i sigurtë për rezultatin e marrë.

– Jam 18 vjeç dhe këto ditë kam patur marrëdhënien time të parë seksuale, por më ndodh që nuk kam ereksion të mjaftueshëm për penetrim dhe e shoh që e dashura ime bëhet shumë keq. Ndërkohë, unë nevrikosem dhe e lë fare. Si të veproj?

– Besoj se gjithë kjo ju vjen ngaqë nuk keni shumë eksperiencë dhe ankthi për të qenë super i mirë në krevat me të, bën të kundërtën, ju nuk jeni i lirshëm dhe për pasojë, ju ndodh ajo që thoni. Ju këshilloj të mos nevrikoseni kur ju ndodh kjo gjë, por ta merrni më shtruar marrëdhënien. Pastaj, jepini më shumë kohë marrëdhënies seksuale, shkoni në një vend të qetë dhe rrini me orë të tëra derisa t’ju largohet ndrojtja dhe të fitoni një lloj besimi e intimiteti reciprok. Keni për të parë se dalëngadalë, do të arrini atë çfarë dëshironi.

Ju lutem, doktor Evi, a mund të më thoni kur është mosha e duhur për të përdorur kontraceptivët? Jam 18 vjeçe.

– Bazuar te profesioni im si mjek androlog dhe te shumë kërkues të tjerë të kësaj fushe, mund t’ju them se kontraceptivët duhen përdorur sapo të filloni marrëdhënien e parë seksuale, qofshi edhe 15 vjeçe. Përderisa bëni marrëdhënie seksuale, domosdoshmërisht duhen nisur pilulat për të mos pasur ndonjë shtatzani të padëshirueshme. Kontraceptivët përdoren deri në momentin që vendosni për të pasur fëmijë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *