Mjafton të themi Shima dhe për sportdashësit e basketbollit krijohet imazhi i atij djali plot talent dhe me një vullnet të palodhur për të na bërë krenar gjithmonë. Sot vjen në këtë intervistë për të na treguar më shumë rreth tij dhe jetës së tij të re si kapiten i Kombëtares Shqiptare por edhe si baba edhe pse Gerti një djal i rezervuar të cilit i pëlqen më shumë të punojë se sa të jetë pjesë e medias në cdo moment, sot ai pranoi me kënaqësi këtë intervistë. Gerti, si fillim të falenderoj që pranove të bëheshe pjesë e kësaj interviste.

 Fjoralba Zeqiraj:- Gerti, e keni nisur sportin në moshë fare të vogël, si nisi e gjitha kjo, si një lojë apo si një synim për të ardhmen tuaj?

Gerti Shima:- Kam qenë shumë i vogël kur e kam nisur sportin, dhe si cdo fëmijë kisha qejf të luaja. Në atë kohë vëllai im ishte në basketboll me ekipin e Tiranës dhe prej tij shkoja dhe unë për të luajtur. Shumë shpejt u ambjentova dhe më spikatën si talent. Përfshirja ime në ekipin e të rinjve dhe në ekipin e të rriturve të Tiranës shumë shpejt, bëri që ta shikoja si synimin tim. Cdo vit që kalonte isha edhe më shumë i përfshirë dhe i angazhur me stërvitje të shumta dhe ndeshje gjithashtu.

-Si i kujton Gerti ndeshjet e para?

– Ndeshjet e para i kujtoj me shumë emocion! Nga njëra anë ishte dëshira ime e madhe per të luajtur sa më shumë minuta në fushë, dëshira per t’u paraqitur sa më mirë, ego për të luftuar për cdo pikë… dhe nga ana tjetër emocionet që unë isha i ri, emocionet që po luaja me ekipin e Tiranës dhe me lojtarë më të mëdhenj se mua, më me shumë eksperiencë të cilët më bën dhe mua më profesionist në atë kohë!

– Nëse do të riktheheshit pas në kohë, cfarë do të bënit ndryshe në karrierën tuaj?

– Nuk është se e kam menduar ndonjëherë këtë pyetje që më drejtuat! Nuk di se cfarë do të bëja ndryshe… por tani që mendohem përsa i përket jetës sime sportive, do të kisha mirë menaxhuar veten time më mirë në karrierën sportive! Do të isha lidhur me një menaxher, do të isha përpjekur që të finalizoja kontrata me ekipe të huaja! Nuk do të thot kjo se nuk kam pasur oferta nga ekipet jashtë! Kam patur ofeta shumë të mira, që për mua ishin endrra të mendoja që mund të më vinin të tilla oferta! Pengu më i madh ka qenë mos realizimi i kontratës me ekipin e Cibones të Kroacisë kur unë kam qënë 17 vjec.

– Cilat nga ndeshjet më të mira që ke luajtur kujton?

-Janë të shumta ndeshjet e mira dhe s’mund të vecoj vetëm njërën ! Mund të krahasoj që ndeshjet më emocionuese i kam luajtur në Kosovë, ku basketbolli është sporti i parë dhe tifozët janë shumë të organizuar !

– Cila ka qenë ndeshja më e dobët për ju apo fjala e humbur është një fjalë e panjohur për ju si sportiest dhe tani si kapiten?

– Sigurisht si cdo sportist kam dhe unë uljet-ngritjet e mia. Ka pasur ndeshje në të cilat s’kam qenë “unë”, ndeshje në të cilat jam ndjerë keq që s’kam arritur të jap maksimumin tim në lojë për arsye të ndryshme !

-Si nisë dita juaj tani që jeni me statusin kapiten por edhe baba njëkohësisht?

– Ka ndryshuar ritmi i ditës time! Nëse më përpara ishte stërvitje stërvitje paradite mbasdite, tashmë jam dhe familjar dhe kam balancuar gjërat. Dita ime nis me vajzën tonë Megan e cila për pak bën 1 vjec. Duke qenë se bashkëshortja ime ikën herët në punë, unë përgatis Megan për cerdhe; momente të cilat i shijoj shumë (buzëqesh) më pas palestër e më pas stërvitje!

– A ke një person të vecantë që i dedikon arritjet e tua?

– Familjes sime dhe bashkëshortes për përkushtimin dhe mirëkuptimin e treguar! Familja dhe bashkëshortja më japin mbështetjen më të madhe !

-Çfarë i mungon sportit sot, a ka permirësim që nga koha që ke nisur këtë rrugëtim e deri më sot?

Kjo është një pyetje që do duhej shumë kohë për të folur dhe për të analizuar ! Një pyetje që dhe përgjigjet i ka pafund…  Sportit shqiptar i mungojnë ekipet zinxhir pra ekipet e të parinjve, të rinjve e deri te të rriturit. I mungojnë kushtet, palestrat e lojërave me dorë janë të pakta dhe të mbingarkuara. I mungon investimi, i mungon sponserizimi, i mungon publiciteti i duhur që të ndiqet në masë si sport. Mbi të gjitha mungon ligji i sportit. Këto kanë probleme që kur unë kam nisur sportin… e deri më sot mbas 18 vjetësh e njejta situatë ! Shpresoj që brezat e ardhshëm të kenë pasion shumë të madhe të punojnë shumë për basketbollin.

Sa cmime numërohen nga fitoret gjatë këtyre viteve ?

– Më duket se e kam humbur numërimin e tyre (qesh) gjithsesi unë jam shpallur 9 herë Kampion Kombëtar në Shqipëri, 2 herë Kampion Kombëtar në Kosovë,1 herë fitues i Balkan League. Jam dekoruar nga presidenti i Republikës me Urdhërin Naim Frashëri për kontributin e dhënë në Basketboll, e në total mund të kem mbi 35 cmime.

Edhe si muaji i fundit i vitit që jemi, si ishte 2018 për ju dhe cfarë prisni nga 2019?

Në aspektin sportiv mund të them që pjesa e parë e vitit ishte e shkëlqyer! Ne u shpallëm kampion për sezonin 2017-2018 dhe cdo gjë u arrit sipas objektivave. Në këtë sezon të nisur që i takon 2018-2019 e kemi nisur me pak vështirësi për shkak të mungesës së sponsorve e kjo shkaktoj ndryshime të mëdha në ekipin tonë, por nga ana tjetër jemi një grup baze me lojtarë vendorë ku në përbërjen tonë kemi dhe lojtarë të rinj në moshë.

Në aspektin e familjes mund të them që është viti më i bukur që kemi shijuar plotësisht vitin e parë me vajzën tonë Megan!

Për 2019 uroj dhe pres një vit të mbarë e me realizim të planeve të mia dhe familjare në aspektin e karrierës jo vetëm sportive!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *