Të t’urrej a të të dua

Sa e gjatë kjo natë, sonte
Si për dreq nuk gjen një fund
Kujtimi yt që më ngacmonte
Nisi zemrën ta lëkundë!

Ti kurrkund nuk je dhe sonte
U bë kohë që s’je kurrkund
Zemra mundi të t’mohonte
Por është shpirti që nuk mund!

Sa më shumë zemra t’urrejë
Aq më shumë shpirti do t’dojë
Unë në mes, në këtë betejë
S’di se ç’anë duhet të mbroj!

Eh, sa herë gabim kam bërë
Dhe gabim kam marrë vendime
Të t’urrej, a të të dua
Kjo nuk është në dorën time! Bledi Ylli

Paradoks

Kam gjithçka… I kam të gjitha
E ndiej pranë gjithë botën mbarë
Po kur shoh çfarë ndodh rreth meje
S’jam i lumtur! Jam i marrë?

Kam familje… Kam fëmijë
Mrekullinë në këtë botë
Po kur shoh nëpër fytyra
S’jam i lumtur! Jam idiot?

E pra ja, t’i kesh të gjitha
E të lypësh… lumturi
Ndoshta unë jam një i rrjedhur
A mos vallë nuk jam njeri?

Unë e ndiej dhimbjen e tjetrit
Nuk e di a e ndjen, ti! Bledi Ylli

Mbrëmje vonë

Kemi nisur të flasim me gishta,
në qytet s’ka më pluhur, ka veç drita.
Nuk na pret njeri në ëndërr a përrallë,
jemi pa shokë e miq këtë natë në mëhallë.

Për ne perëndim s’do të ketë kurrë,
as ankth e shpresa të sfilitura pa gjumë,
ka veç një hënë e ca yje mbi re,
sende që duken e zhduken me dhe pa ne.

Mbrëmje vonë, askush nuk na gjykon,
gjërat heshtin, si humbet kështu jeta?!
Dhe ikim, vijmë e ikim përsëri pa zë,
fshehtaz… për të mos u kthyer më. Isidor Koti

Tronditje të forta
Në luftë të madhe jam me ca,
Që i vënë vendit gur në rrota,
Nuk jam në shpirt fukara,
Por më shkaktojnë tronditje të forta.
Jam si gur i pastër diamanti,
Midis shumë gurëve të tjerë,
Shumë shtete habiten me ne,
Se ishim si komb një vend me nder.
Ne kishim njerëz të shquar,
Ne gjerdanin tonë të kombit,
Dhe me baltë i kanë mbuluar,
Këta njerëz të soj sorollopit.
Shumë gjak derdhi toka shqiptare,
Se nuk duronim dot robërinë,
Luftuam si shqipja dykrenare,
Sa i sollëm vendit tonë lirinë.
Po ç’e do, o vendi im i pagjumë
Si të katandisën ca çapaçulë të ligj,
Luftojnë kush të pasurohet më shumë,
E popullin e lanë në udhëkryq.
Do vijë një ditë të dalim në dritë,
Nga një grusht tokë e këtij planeti,
Se kemi lindur nga perënditë,
Dhe jemi të thellë si deti… Luljeta Gjosha Pashollari

Pa titull
U bë kohë që pres një syth pranvere
zogu që gjithmonë është kthyer (sivjet po vonon)
dhe qielli mezi po merr kaltërsi
një ndjenjë të paqartë të turbullt më shkakton.
S’e di pse sirtarët rrëmova sërish
për një cigare qoftë edhe të vjetëruar
shumë rrallë e pi, nuk më mungon
atëhere kur më duhet vërtet për t’u menduar.
Ia vë fajin dimrit që si një plak i keq
nuk do të na lërë, këmbët i heq zvarrë
qielli gri mbi kokë si kapelë e grisur
imazhe me shfaqen në tymin-cigar’… Auror’a CM

Dorëheqje o koalicion – kurvazon

Po shumë e loti paska qenë në sytë e mi,
E ti o Zot bane hajr!
Nuk po qaj për dhimbjet e mia
Nuk po qaj për nënën në pleqëri
As po qaj për fëmijtë e mi
As për babain që te varri s’e vizitova
As për gjyshin që më deshti shumë
As për gjyshen me varrin në oborr
Por po qaj për atdheun
He i mjeri unë
Para botës u bëmë hor

Qysh s’u mblodhën kishe këta “patriota”
Me lanë anash t´kqija e mëni
Me zgjat doren si e zgjatin burrat
Për atdhe, për Dardani
Mu për hatrin e Shqipërisë
Fund me i dhanë përjetë hasmërisë

Sot durohet hasmi n´derë
Që prapë na vrisnin e na kanë prerë
Askush s’e do vllaun e vet
Mundohet sytë me ia nxjerrë
Kah jeni nisë o ju shqiptarë
Karagjoza e lakmiqarë

Po ju luti me lot në sy
Leni t´keqe e leni mni
Është përkul rënkon Dardania
Pse e qetë kurrë mos me qenë Arbëria
Nga sa kopila në duar i mbani
Sa s´ju thotë ju “kurvë” i thoni

Pas dy varreve që flakë po qesin
Fals përkuleni e fals cicroni
Ata të gjallë e po rrezojnë
Ju të vdekur atje pse u shkoni
Ka me u ngjall pa ju Kosova
Gjallë Ademi e gjallë Rugova

Këto t´kqija që ia bëtë atdheut
N´dashi pak me zbutë hajninë
Mblidhuni sot se nesër vonë
Si në kohë e djalëri
Epni fjalë e duar shtrëngoni
Mos me pas kurrë hasmëri
Për Kosovë e për Shqipëri

Kur të bëhet i fortë atdheu
E populli t´jetojë në liri
Do t´ju qesim para gjyqeve
Me ju dhënë mësim n´pleqëri
Se atdheu kurrë s´harron
Edhe n´varr dënim dërgon… AGIM GASHI

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *