Doni të lexoni një intervistë në formën e një përralle? E tillë është biseda më poshtë me vajzën simpatike Eva Murati e cila na tregon një histori si ato të përrallave, ku çdo gjë që përjetohet duket si një ëndërr. Me një karrierë televizive si eksperiencë, Eva së fundi është përzgjedhur nga agjencia italiane si imazh në reklamën e Vodafone Italia. Siç thotë edhe vetë Eva, kjo kompani mund të kishste përzgjedhur çdo yll botëror, ndaj edhe në fillim është habitur me ofertën. Por ja që këtë herë, kjo kompani zgjodhi të kishte protagonist në reklamën e tyre të Vodafone, një yll nga Shqipëria. Pas kontratës që ka nënshkruar, me siguri Eva shumë shpejt do të renditet në lsitën e emrave të shqiptarëve që na bëjnë krenarë në Itali…

Mia. B: – Eva, në intervistën e parë që bëmë bashkë, të thashë edhe që ngjason shumë si italiane. Më duket se ta ndolla këtë pjesëmarrjen në reklamën e Vodafone Italia…
Eva Murati: – (Buzëqesh) Të them të drejtën, të kam kujtuar ty dhe çdo person tjetër që ma ka thënë këtë fjalë! Të falënderoj! E bukura është se për shkak se unë e flas mirë italishten, as ata nuk mund ta besonin faktin se të paktën, nuk kisha jetuar në Itali. (Buzëqesh)
– Si të erdhi kjo ofertë?
– Si fillim u kontaktova nga agjencia në e-mail. Isha me pushime atëhere dhe, të them të drejtën, kur shikon të dhënat e agjencisë, fakti se është një nga kompanitë më të mëdha në Europë me filial në Nju Jork dhe Milano, projektet që kishte realizuar me emra të mëdhej të shoubizit botëror, bëhesh tepër mosbesuese…
– Jam kurioze të di si ishte reagimi yt në atë moment…
– Mendimi i parë që solli dhe mospërgjigjen time, ishte ”e pamundur”. E pamundur sepse pse duhet të përzgjidhet një vajzë shqiptare nga një kompani që punon me Xhenifer Lopez, Penelop Kruz?! Një kompani e tillë që bën reklamat e Campari-t dhe Benz-it, mund të ketë cilindo yll botëror dhe unë e quajta të pamundur faktin që po më kërkonin mua, por pas videokonferencës, gjithçka ndryshoi. Pashë seriozitetin e tyre, kushtet që ofronin dhe çdo gjë mori konture të vërteta për të më bërë të kuptoja se ishte reale.
– Pse mendon se të përzgjodhën pikërisht ty? Ku të kishin parë më parë?
– Ata kërkonin një personazh shqiptar që të realizonin një reklamë për oferten e re të Vodafone Italia, për thirjet drejt Shqiperisë. Për faktin se televizioni ku kam punuar më parë kishte lidhje të drejtpërdrejta me Italinë, aty kishin parë një intervistë timen me Manuela Arkurin, më kishin pëlqyer dhe më kontaktuan për këtë bashkëpunim.
– Kur folëm bashkë, më the se e gjitha ishte ëndërr. Më trego çfarë përjetove gjatë kësaj eksperience? Me çfarë u përballe?
– Nuk e kam besuar derisa zbrita në aereoport dhe dikush me tabelë me emrin tim vjen dhe me rrëmben valixhen, duke më thënë se për ditët në vazhdim, nuk do të më duhej të hapja vetë as derën e makinës. Unë nuk llastohem kurrë, jam tip luftarak dhe jam mësuar të bëj vetë gjithçka, por në raste të tilla ti zbulon se sa shumë vlerësohet jashtë kategoria e argëtimit, shoubizi, media dhe se sa vlerë të vogël ka këtu. Jam rritur me televizionin italian, jam tepër e ndjeshme në lidhje me të sepse është një pjesë jo e vogël e ëndrrave të fëmijërisë, të cilën m’u dha fati ta prek.
– Udhëtimi yt nisi me Parisin dhe vazhdoi me Milanon, ku edhe u realizua reklama, por le të mbetemi pak në Paris… Ti, me dashurinë tënde, në qytetin e të dashuruarve. Çfarë ndjesie ndryshe merr dashuria atje?
– Meqenëse për shkak të angazhimeve në televizion nuk pata mundësi t’i shijoja pushimet verore, vendosa të bëja pushime të mirëfillta, ato dimëroret. (Buzëqesh) Kishte shumë kohë që doja ta vizitoja Parisin dhe më në fund e gjeta kohën dhe periudhën më të mirë, meqenëse gjithçka shkëlqente nga zbukurimet e festave. Çdo gjë ishte e përkryer.
– Çfarë të pëlqen më shumë nga kultura franceze?
– Parisi është dritherues, gotik në stilin e kishave, rrugëve, statujave. Mund të gjesh një vepër arti në çdo rrugicë, mund të hasësh një copë histori në çdo pjesë të tij. Përsa u përket francezëve, do të thoja që janë tepër vizionarë dhe praktikë.
– Si do të ishe ti, e veshur me një luk francez?
– (Buzëqesh) Luku francez është tepër i thjeshtë dhe i sofistikuar në të njëjtën kohë, me makeup fare të lehtë, thjesht, klas. Në ndryshim me ta, në Shqipëri shoh më tepër një tendencë ballkanase, me ekzagjerim në veshje, për të treguar format dhe makeup i rëndë.
– Të gjithë u tronditën nga ajo që ndodhi në Paris me vrasjen e gazetarëve të revistës satirike. Ti, ke punuar vetë në media… çfarë do komentoje në këtë rast?
– Jetojmë në një botë ku të shprehësh mendimin tënd kundër interesave të tjetrit, kthehet në një rrezik që mund të të marrë jetën. Medoj se karikaturistët e vrarë të “Charlie Hebdo” janë shenjtorë që duhet të kthehen në burim frymëzimi, që të gjithë ne të mund ta vlerësojmë më tepër fuqinë e madhe të fjalës së lirë.
– Për ta çdramatizuar situatën, kalojmë në destinacionin tjetër, në Milano…
– Unë mora më të mirën e Milanos, pjesën e bukur të modës ku gjithcka shkëlqente dhe përgatitej imtësisht për të marrë një produkt sa më cilësor. Është qytet industrial, tepër modern, ndryshe nga Roma dhe Fierence, që bosht kryesor kanë kulturën e lashtë.
– Përgjatë gjithë kësaj eksperience të bukur, ka patur ndonjë situatë jo të mirë apo të sikletshme sa për të prishur syrin e keq?
– Të them të drejtën, jo, fatmirësisht.
– Si reagon Eva në një situatë të vështirë? Dominojnë nervat apo qetësia?
– Jam person diskret, nuk më pëlqen të lexohem se çfarë ndjej përbrenda, aq më tepër në marrëdhëniet profesionale. Pa dyshim që mbizotëron qetësia, numërimi deri në 10 para se të flas dhe ndonjë buzëqeshje ironike. Kjo, përsa i përket punës, ndërsa marrëdhëniet personale sigurisht që, ashtu si të gjithë… Shpërthej (qesh), edhe pse janë tepër të rralla, numrin e miqve të ngushtë e kam tepër të kufizuar, për ta minimizuar në maksimum mundësinë e zhgënjimit.
– Parisi dhe Milanoja janë dy nga kryeqytetet e modës. More ofertë nga ndonjë agjenci mode atje?
– Agjencitë e modës në këto dy qytete janë tepër prestigjioze. Nuk ndodh si në Shqipëri që të ndalojnë në rrugë, të bëjnë komplimente dhe të ofrojnë një kontratë për agjenci (shpeshherë fantazëm). Përkundrazi, je ti ajo që duhet të shkosh të interesohesh. Modelingu nuk ka qenë ndonjëherë ëndrra ime, e kam bërë vetëm për të arritur televizionin. Kur nënshkruan me Capture Image dhe L-Artist, nuk të shkon më mendja të kërkosh për agjenci të tjera.
– Me siguri, shoppingu në këto dy qytete ishte edhe ndër momentet e tua të preferuara. Me çfarë i mbushe çantat?
– (Qesh) Nuk jam e fiksuar mbas blerjes. Aq më tepër kur udhëton për punë, e ke paksa të vështirë të gjesh kohë qoftë edhe për të shijuar qytetin e jo më për t’u çlodhur apo për shopping.
– Nëse do të ishe ti regjisore, reklamën e kujt do të doje të bëje? Si do të ishte ajo?
– Reklama ime më e preferuar e të gjitha kohërave është ajo e “Intimissimi” me Monika Beluçin dhe ajo që do bëja unë do ishte diçka e ngjashme, me shumë ndjenjë brenda, besoj.
– Pas kësaj reklame, ke marrë oferta të tjera?
– Tashmë, kam një kontratë me studion që punova dhe çdo bashkëpunim i ri do të kalojë nëpërmjet tyre.
– Janë edhe shqiptarë të tjerë që po bëhen të njohur atje, kryesisht balerinët që marrin pjesë tek “Amici” dhe e fundit, Klaudia Pepa. Edhe ti je njëra ndër to, sepse reklama do të shfaqet në televizionet italiane. Përveçse kjo është një reklamë e mirë për Shqipërinë, çfarë të bën tjetër të mendosh?
– Kam një shije tepër të hidhur, të huajt kanë një imazh jo pozitiv për Shqipërinë, por ndjej një kënaqësi të madhe kur në fund të bashkëpunimit, janë me një mendim tjetër. Shqipëria ka shumë profesionistë, njerëz të talentuar që fatkeqësisht rrinë në hije për faktin se vendet kryesore zihen nga njerëz jo të aftë që kanë ”mikun” e famshëm, prandaj profesionistët e mirëfilltë detyrohen të punojnë jashtë vendit. Jam tepër e lumtur që munda të përfaqësoj vendin tim. Shpresoj që shqiptarët e Italisë që do më ndjekin, të jenë të lumtur që ndërmjet spoteve të ndryshme që transmetohen në televizionet italiane, do të ketë edhe dikë që do të flasë shqip. (Buzëqesh)
– A do të zhvendoseshe për të jetuar atje, sidomos nëse ta kërkon puna?
– Çajupi thotë: ”Ku duket balta më e ëmbël se mjalta? Në vend të tij”. Asnjëherë nuk e kam menduar të ardhmem time larg Shqipërisë. E dua këtë vend dhe, edhe nëse do të largohesha për pak kohë, sigurisht që do të kthehesha prapë. Fatmirësisht, Shqipëria më ka treguar vetëm anën e saj të bukur, prandaj unë do bëj çmos të jap kontributin tim në përmirësimin e saj, për një përfaqësim sa më dinjitoz kudo në botë.
– Ç’të re ke zbuluar së fundi te vetja?
– Forcën për të mbajtur, për t’i qëndruar besnike mendimit tim, pavarësisht gjithçkaje.
– Që dashuria mes një çifti t’u rezistojë edhe vështirësive më të mëdha, çfarë duhet?
– Besimi është përbërësi kryesor që një lidhje të funksionojë. Nëse ekziston besimi te njëri-tjetri, vështirësitë që sjell e tashmja, bëhen më të lehta për t’u kapërcyer dhe për të përmbushur planet e së ardhmes.
– Thonë se dashuria zgjat 3 vjet. Çfarë ka ndodhur me dashurinë tënde pas tre vjetësh?
– Hëm… më vjen keq për njerëzit që mendojnë kështu! Dashuria nuk ka formula. Çdo dashuri është e ndryshme nga tjetra, nuk mund ta pranoj këtë thënie përgjithësuese, përkundrazi, mendoj se dashuria fillon e forcohet me kalimin e kohës. Jam tepër e lumtur, asgjë më shumë.
– Tani, do të doje një telefonatë nga…
– Mami. (Buzëqesh) Jam tepër e lidhur me të, nuk ndodhet në Shqipëri për momentin, prandaj sa herë që më bie telefoni, emocionohem me shpresën se do të çmallem me zërin e saj.
– Personi të cilin mezi pret ta takosh?
– Familjarët.
– Ia ke vënë syrin destinacionit tjetër, për udhëtimin e radhës?
– Momentalisht, nuk kam shumë mundësi për plane sepse kohën e kam mjaft të kufizuar, por jam person i momentit. Nuk kam nevojë për shumë përgatitje kur udhëtoj sepse përqendrohem më tepër tek ajo çka më ofron destinacioni. Një çantë shpine, mjafton. (Buzëqesh)
– Cilat janë planet që ke në vazhdim apo ia lë gjithçka rastësisë?
– Momentalisht, jam fokusuar vetëm rreth karrierës akadamike. I rikthehem televizionit si e ftuar ose për projekte të shkurtra. Gjithashtu, pres të dalë filmi, në fund të janarit. Kam patur oferta për sezonin e ri televiziv, por kam qenë në mëdyshje, sidomos kur tani çdo gjë krahasohet me eksperiencën që pata.
– Mendon se njeriu lind me fat apo fatin e bën vetë?
– Mendoj se njeriu e bën vetë fatin e tij. Sigurisht, rrethanat janë të rëndësishme; koha e duhur, momenti i duhur, por jo esenciale. Duhet të jesh gjithnjë e përgatitur pasi është kjo ajo çka duhet të të diferencojë nga të tjerët. Fat është ajo çka ndodh kur mundësia takon përgatitjen.
– Duket që këtë vit e ke nisur mirë… Të uroj të vazhdosh kështu!
– Të falënderoj! (Buzëqesh) Është një fillim i mbarë, shpërblim i mundit të 2014-s.

E zgjedh, italian apo francez?

– Verën…
– Franceze.
– Modën…
– Parisi eshte kryeqyteti i modes
– Aktori…
– Rikardo Skamario dhe Vinsent Kasel… Nuk mund t’i ndaj!
– Shkrimtari…
– Absolutisht, Viktor Hygo, më drithëron.
– Pushimet…
– Të dya vendet të ofrojnë kulturë shekullore për pushime dhe plazh, për pushime pasive.
– Gjuha…
– Italiane, sepse jam rritur me të, ndërsa për frëngjishten duhet ende të jap provimin. (Qesh)
– Reklamat…
– Për francezët nuk mund të flas, por shija e mirë bashkëpunimit për reklamën italiane, më bën të zgjedh këtë të fundit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *