Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Aksidenti që i mori jetën mamit tim
Katerina Llano, psikologe e diplomuar në kolegjin amerikan Deree, master në universitetin Goldsmiths të Londrës
Kujt i ngjan burri ideal?

Katerina Llano, psikologe e diplomuar në kolegjin amerikan Deree, master në universitetin Goldsmiths të Londrës

Fëmijët e emigrantëve dhe problemet psikologjike

 

Shkas për këtë intervistë u bë një bisedë në familjen e një të njohurit tonë në Athinë ku ishim këto ditë për vizitë. Çifti i ri ishte shumë i shqetësuar, sepse djali i tyre dy-tre vjeçar ishte i vonuar në të folur, ndërkohë që ishte një fëmijë krejt normal, që dëgjonte e kuptonte gjithçka që i thoje, madje, si shqip, ashtu edhe greqisht. “Jemi të shqetësuar, na tha e ëma, se kemi dëgjuar shumë raste që fëmijët e emigrantëve kanë probleme me të folurën për shkak të gjuhës së huaj”… U munduam ta qetësonim nënën e re, t’i thoshim edhe ato që dinim se si duhet vepruar në këto raste, por menduam se do të ishte mirë që, për këtë dhe për shumë shqetësime të tjera që lidhen me problemet psikologjike të fëmijëve emigrantë, të zhvillonim një bisedë më të zgjeruar me një psikologe të specializuar në këtë drejtim. Ndiqni bisedën me psikologen Katerina Llano, diplomuar në kolegjin amerikan Deree…

Advertisement

 

– Le të fillojmë me shqetësimin që ngritëm në hyrje te shkrimit: A sjell dygjuhësia probleme në të folurën e fëmijës?

– Ekziston një mit në lidhje me dygjuhësinë. Sipas tij, ata fëmijë që mësojnë paralelisht dy gjuhë, kanë zhvillim më të vonuar në të folur, ngatërrojnë gjuhët etj. Për këtë, prindërit emigrantë janë gjithnjë të shqetësuar në lidhje me të ardhmen e fëmijës së tyre. Ata, ose këmbëngulin që fëmijës t’i flitet në një gjuhë, ose kur i kanë folur në dy gjuhë, pothuajse gjithmonë, mendojnë se kanë bërë gabim.

– Domethënë, ky mit nuk është i vërtetë?

– Jo, ky është mit i gabuar. Nuk ekziston asnjë e dhënë shkencore që dygjuhësia mund të shkaktojë probleme. Vonesa në të folur ose probleme të tjera mund të ndodhin edhe te fëmijët që flasin vetëm një gjuhë. Këto shkaktohen nga problemet e dëgjimit, zhvillimit mendor, autizmit, ose probleme psikologjike… Dygjuhësia nuk sjell probleme, sidomos kur zbatohen disa rregulla të thjeshta…

– Cilat janë këto rregulla?

– Rregulli i parë është që fëmijës t’i flitet një gjuhë korrekte, e pasur në fjalor, pa gabime gramatikore, ose dialektore…

– Çfarë gjuhe duhet të jetë kjo, në rastet kur prindërit janë emigrantë?

– Mendoj se familjet emigrante duhet të flasin në shtëpi, përpara fëmijëve, atë gjuhë që prindërit zotërojnë më mirë dhe kjo, normalisht, është gjuha amtare…

– Pse e thoni këtë?

– Sepse, e para, fëmija duhet të ketë një gjuhë bazë, mbi të cilën duhet të mësojë gjuhët e tjera. Dhe, e dyta, kjo gjuhë bazë, gjuha që ai e dëgjon për herë të parë, duhet të jetë një gjuhë pa gabime dhe me një shqiptim të mirë e korrekt, ndryshe fëmija do të ketë probleme… Këto probleme i shohim shpesh në familjet emigrante ku prindërit i kanë folur fëmijës siç e kanë pasur më të lehtë, gjysëm shqip e gjysëm greqisht, për shembull. Për pasojë, fëmijët çalojnë në të dyja gjuhët…

– Po nëse prindërit kanë kohë në emigracion dhe e flasin perfekt gjuhën e vendit, si duhet t’i flasin fëmijës?

– Prapë po përsëris atë që thashë më lart: Të flasin gjuhën që dinë më mirë, qoftë kjo edhe ajo e vendit…

– Po kur fëmijët kanë dy prindër me kombësi të ndryshme?

– Mendoj që në këtë rast prindërit duhet të flasin secili në gjuhën e tij amtare, gjuhë që ata e zotërojnë, natyrisht, më mirë… Ata duhet të bëjnë kujdes, madje, që të mos e përziejnë këtë gjuhë me gjuhën e vendit ku jetojnë kur i flasin fëmijës, gjë që mund të sjellë pasoja tek ai.

– Në rast se, ta zëmë, fëmija i vogël do të mësojë shqip, nuk krijon kjo gjë diferencime mes këtij fëmije dhe bashkëmoshatarëve të tij të huaj kur ai del jashtë shtëpisë? Nuk do të ketë ky fëmijë vështirësi në shkollë?

– Mendoj se fëmija e mëson gjuhën e huaj duke komunikuar me fëmijët e tjerë në çerdhe, kopësht, apo shkollë dhe ai nuk do të ketë asnjë problem. Ai do të rritet normalisht duke folur dy gjuhët, shqipen në shtëpi dhe gjuhën e huaj jashtë saj…

– Shumë prindër kanë frikë se duke mësuar gjuhën amtare, fëmija do të ndjehet i përçmuar nga bashkëmoshatarët e tij…

– Mendoj se dallimit nuk i shmangemi dot. Fëmija emigrant, sidomos kur prindërit janë të sapoardhur, do të dallohet nga bashkëmoshatarët e tij vendas, qoftë nga sjellja, mënyra e të veshurit, nga antropologjia e fytyrës etj.

– Sot diskutohet shumë për hapjen e shkollave shqipe në emigrim. Jeni dakord me këtë? A duhet t’u mësohet gjuha shqipe fëmijëve që jetojnë jashtë?

– Mësimi i gjuhës shqipe në një shkollë shqipe do të ishte diçka ideale. Kështu, fëmijët do të mësonin paralelisht të dyja gjuhët, shqip e greqisht. Një shembull konkret se si mund të ishte një shkollë e tillë është shkolla greke në Tiranë, “Arsakio”, ku fëmijët mësojnë paralelisht të dyja gjuhët, edhe shqip, edhe greqisht. Po të ishte në Athinë një shkollë e tillë, do të ishte një zgjidhje optimale për fëmijët shqiptarë. Kjo do të ndihmonte për të mbrojtur dhe ruajtur identitetin shqiptar, ndërkohë që fëmijët do të mësonin edhe gjuhën greke, njësoj si në shkollat greke. Por, edhe në rastet kur s’ka shkolla të tilla, unë mendoj se prindërit duhet të stimulojë mësimin e gjuhës amtare në kurse, ose vetë në shtëpi, në mënyrë autodidakte sepse, duke u zhveshur nga atdhetarizmi, mësimi i gjuhës amtare është si mësimi i një gjuhe të huaj, që krijon avantazhe për fëmijën…

– Mos ndikon shkollimi i fëmijëve të emigrantëve në shkolla të veçanta në mosintegrimin e tyre në shoqërinë ku jetojnë?

– Jo, nuk mendoj kështu. Ata do të krijojnë shoqërinë e tyre në shkollën ku janë, atje ku mësojnë e  jetojnë…

– Mos krijon kjo vështirësi në të ardhmen, në punësimin e tyre?

– Unë mendoj të kundërtën, kjo ka avatazh, sepse u krijon mundësinë atyre fëmijëve që mbarojnë shkolla të tilla, të punësohen e të shikojnë të ardhmen në dy shtete, në këtë rast, në Shqipëri e në Greqi… Njësoj si nxënësit e Arsakios në Tiranë, që mund të gjejnë punë edhe në Shqipëri, edhe në Greqi…

– Në përgjithësi, a ndikon emigrimi në psikologjinë e fëmijëve?

– Natyrisht që ndikon, sepse emigrimi është një proces i vështirë, që hap shumë probleme. Fëmijët e emigrantëve ndjehen të veçantë, duke u nisur qoftë edhe nga emri i tyre i huaj, të cilin shpesh kanë turp ta thonë. Ata i shoqëron gjatë gjithë jetës një ndjenjë faji, ndërkohë që nuk kanë bërë asgjë… Kjo ka të bëjë me atë që në psikologji quhet “implicit memory” (memorie e pandërgjegjshme) që do të thotë se fëmija nuk i mban mend ngjarjet e moshës foshnjore, por në tru janë regjistruar dhe ruhen gjatë gjithë jetës emocionet që kanë shkaktuar këto ngjarje, emocione që e ndjekin pas atë tërë jetën… Le ta shpjegojmë më qartë. Fëmija kur rritet nuk mban mend asgjë nga fëmijëria, nga momenti kur është shkëputur nga vendi mëmë e ka shkuar në emigrim, ama në trurin e tij janë regjistruar të gjitha shqetësimet e asaj kohe, ankthi që kanë patur prindërit, problemet e tyre, ndjenja e pasigurisë etj. dhe janë këto regjistrime të memories së pandërgjegjshme që e shoqërojnë tërë jetën, e bëjnë atë të ndjehet inferior dhe të bashkëjetojë me një ndjenjë të përhershme faji.

– Ç’duhet bërë për këtë? Nuk duhet folur në sy të fëmijës? Nuk duhet t’u thuhen fëmijëve problemet e shqetësimet e prindërve?

– Kjo është e vështirë për t’u realizuar, sepse fëmija kupton gjithçka. Edhe kur nuk dëgjon, ai shikon sytë e prindërve që janë të vrenjtur, të mërzitur. Por, gjithsesi, edhe pse kjo është e vështirë, prindërit duhet që, sa të munden, të mos i transmetojnë fëmijës emocionet e këqia, të mos zihen apo diskutojnë për problemet në sy të tij. Dhe, kjo duhet filluar qëkur fëmija është i sapolindur sepse ai, edhe pse nuk kupton, regjistron në trurin e tij çdo gjë. Pasojat e këtyre regjistrimeve të ruajtura në kujtesën e pandërgjegjshme, ai i shfaq vite më vonë…

Ndryshe duhet të ndodhë, mendoj, kur fëmija rritet. Prindi duhet të diskutojë me të të gjitha problemet që lindin në shtëpi, qofshin këto edhe pa lidhje me fëmijën, ama me gjuhë të thjeshtë, duke i shpjeguar atij gjithçka…

– A sjell probleme te fëmijët ndryshimi i kulturave mes vendeve? Se, të tjera zakone ka familja shqiptare, të tjera një familje amerikane, apo greke a italiane. Të tjera zakone ka familja shqiptare brenda saj dhe me të tjera zakone e mënyra sjelljeje, fëmija ndeshet jashtë shtëpisë. Ndikon kjo në psikologjinë e fëmijës?

– Natyrisht që ndikon. Në disa raste e në disa shtete madje dallimet janë të mëdha si në dy botë të ndryshme. Veçanërisht të mëdha janë këto dallime në familjet konservatore, me fe të ndryshme nga vendi i emigrimit…

– Ç’duhet të bëjë prindi në këto raste?

– Në radhë të parë, duhet ta lërë fëmijën të lirë në zgjedhjet e tij, duke i ndenjur natyrisht shumë afër…

Eshtë normale, sipas jush, që një fëmijë i brezit të dytë në emigracion të mos jetë “shqiptar” në sjellje e zakone?

– Normale është kur kjo ka ardhur normalisht, kur nuk është bërë me forcë dhe e shtyrë nga opinioni. Natyrisht, nuk mund të kërkohet që fëmijët e lindur në emigracion të jenë 100 për qind “shqiptarë” se, “sipas vendit, bëhet kuvendi”, thotë një fjalë e urtë. Puna është që fëmijës të mos i krijohen probleme identiteti, të mos humbë pjesë nga identiteti i tij, që mos ndjehet ndryshe brenda tij e ndryshe të shfaqet në shoqëri, sepse kjo krijon probleme psikologjike.

– Shumë prindër emigrantë ankohen se fëmijët e tyre kanë më pak shokë sesa fëmijët e tjerë vendas. Është e vërtetë kjo?

– Unë mendoj se kjo nuk qëndron. Kjo ka të bëjë në radhë të parë me prindërit, me rrethin e tyre shoqëror. Nëse prindërit nuk kanë shoqëri, rreth shoqëror, kështu do të ndodhë edhe me fëmijët. E dyta, kjo ka të bëjë me shkollën, me punën e dobët të saj në disa raste. Është e vërtetë që në disa shkolla vihet re në jo pak raste racizëm ndaj fëmijëve të emigrantëve. Shumë mësues mendojnë se emigrantët janë shtresë e ulët dhe të tillë do të mbesin edhe fëmijët e tyre, ndaj nuk punojnë me ta aq sa punojnë me vendasit, duke u vënë këtyre fëmijëve vulën e nxënësit të dobët, duke thënë se, ashtu si prindërit e tyre, edhe ata do të jenë thjesht një “fuqi punëtore“. Ndaj ndodh që fëmija emigrant përbuzet, nuk integrohet dhe në këtë rast, ndodh edhe fenomeni i mungesës së shoqërisë. Për të luftuar këtë, prindërit duhet të flasin hapur, si me fëmijët, ashtu edhe me psikologët e me mësuesit e shkollës…

– Në përgjithësi, ç’do t’u këshillonit familjeve emigrante në lidhje me fëmijët e tyre?

– Edhe pse si emigrantë, prindërit punojnë shumë dhe e kanë kohën e kufizuar, t’u rrinë afër fëmijëve, sidomos në kohën që ata ndjejnë diferencimin e dallimin nga fëmijët e tjerë, të dëgjojnë me vëmendje problemet e fëmijës e t’i japin këshilla… Gjithashtu, ata duhet të insistojnë që fëmijët të mos i humbin lidhjet me rrënjët e tyre. Kjo s’ka asgjë të keqe, edhe pse fëmijët mund të jenë rritur në vend të huaj e të kenë marrë ndoshta edhe nënshtetësi tjetër…

– Në shtyp është thënë që shumë nga drejtuesit e Krisi Avgise në Greqi janë shqiptarë, ose me prejardhje arvanitase. Po kështu, kemi dëgjuar edhe shumë raste që fëmijë emigrantësh, kur rriten, ndodh që bëhen racistë. Është ky një lloj reaksioni për atë që kanë vuajtur kur ishin të vegjël?

– Po, kjo është e vërtetë. Është provuar shkencërisht që ata fëmijë, të cilët kanë ndjerë dhunën kur ishin të vegjël, kanë shumë shanse që të bëhen të dhunshëm, sepse kur rriten, në trurin e tyre aktivizohen vatra agresive të lindura në fëmijëri. Këto sjellin veprime të njëjta me ato që kanë shkaktuar lindjen e këtyre vatrave, pra, në këtë rast, me racizëm e dhunë… Prandaj çdo ide e veprim racist duhet luftuar që në shfaqjen fillestare.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Aksidenti që i mori jetën mamit tim

Next Post

Kujt i ngjan burri ideal?

Advertisement