– Jam 31 vjeçe, nga Tirana. Që pas ndarjes, kam një problem tepër të madh, më ka humbur besimi te meshkujt. Ka shumë djem që më kërkojnë, por unë vetëm i përbuz. Si mund ta fitoj besimin, pasi dhe veten e ndjej barrë të rëndë?Borana Marku, psikologe: – E kuptoj shumë mirë gjendjen në të cilën ndodheni, por duhet t’i jepni kohë vetes dhe do të shikoni që do të dilni nga kjo gjendje shumë shpejt. Nuk duhet të dëshpëroheni. Nëse dëshironi të rifitoni besimin te meshkujt, më parë duhet ta fitoni te vetja, duke filluar me mosfajësimin e vetes. Ne femrat kemi tendencën që për çdo gjë të fajësojmë veten. Mendoni se ndarja erdhi jo për fajin tuaj, por për shkaqe dhe probleme që nuk ju përkisnin juve. Ishte humbja e tij, jo e juaja, thuajani vetes këtë gjë herë pas here dhe do filloni ta besoni dhe të ndiheni më mirë më veten. Merruni me diçka të re, me një sport, një hobi, një kurs, dilni me miqtë tuaj, por mos frekuentoni të njëjtat vende ku shkonit më parë me ish-in tuaj. Të paktën jo për momentin, që të shmangni çdo lloj dhimbjeje dhe me kalimin e kohës, pak nga pak, pse jo, shkoni në ato vende që të inkurajoni veten, duke mos i lejuar kujtimet që t’ju vrasin të tashmen apo të ardhmen. Asgjë nuk është e përjetshme, e dashur. Ke parë ti që humbim njerëz të dashur, siç është vdekja e një prindi, apo dhe larg qoftë e një fëmije dhe përsëri jeta vazhdon. Po a ka dhimbje të fortë se këto: humbja e njerëzve më të afërt, që nuk i ke në këtë botë më?! Nuk ka. Mendoni pra se ka dhimbje më të mëdha. Ju jeni akoma e re dhe keni gjithë jetën përpara. Me kalimin e kohës do ta fitoni besimin, edhe te vetja, edhe te meshkujt. Mundohuni të mos qëndroni vetëm, por me miq. Mbushjani mendjen vetes se ai nuk ishte për ju e se ju meritoni më të mirë dhe kështu do të ndodhë. Mendoni pozitivisht dhe mos çoni dëm asnjë minutë, duke menduar për të, sepse koha është shumë e shtrenjtë për ta humbur për ata që deshën vetë të dalin nga jeta jonë. Mendoni gjërat më negative të tij dhe gjendjen e dëshpëruar që ju ka shkaktuar dhe do t’i jepni forca vetes. Ka gjithmonë njerëz të mirë, nuk janë të gjithë meshkujt njësoj. Mendoni që do të njihni një njeri pozitiv e të mirë dhe kjo do të ndodhë. Ju uroj fat.
Advertisement